
Mimoza Hafizi feston sot ditëlindjen, një jetë mes shkencës dhe letërsisë
Mimoza Hafizi, astrofizikane dhe pedagoge, feston sot ditëlindjen. Përveç kontributit në shkencë, ajo ka shkruar “Infiniti Blu” dhe “Duke pritur supernovën”, romane që sjellin botën e pafundësisë dhe eksplorimin e universit përmes një qasjeje artistike dhe shkencore.
Sot, më 20 shkurt, feston ditëlindjen Prof. Mimoza Hafizi, një nga figurat më të shquara në fushën e astrofizikës në Shqipëri, pedagoge, politikane dhe autore librash shkencorë dhe letrarë. Përveçse ka dhënë kontribut të çmuar në kërkimin shkencor, Hafizi ka ndikuar edhe në formimin e brezave të rinj nëpërmjet mësimdhënies dhe publikimeve të saj.
Një karrierë e spikatur akademike dhe shkencore
E lindur në Shkodër në vitin 1962, ajo u diplomua me Medalje të Artë në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, në degën Fizikë Speciale. Studimet doktorale i kreu në École Normale Supérieure, Paris. Ka qenë pedagoge pranë Departamentit të Fizikës që nga viti 1995 dhe ka dhënë leksione në Shqipëri, Francë dhe Itali. Për disa vite, ka drejtuar Departamentin e Fizikës dhe ka qenë anëtare e asociuar e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Letërsia si një tjetër dimension i saj
Përveçse shkencëtare, Mimoza Hafizi është autore e librave që ndërthurin shkencën me imagjinatën. Të tillë janë dy titujt të botuar nga ALBAS, “Infiniti blu” dhe “Duke pritur supernovën”.
“Infiniti blu”, një roman shkencor i lëvruar pak në letërsinë shqipe, por i domosdoshëm për të afruar publikun me astronominë dhe fizikën. Ai eksploron konceptin e pafundësisë në shkencë, filozofi dhe letërsi. Romani u jep përgjigje pyetjeve si: A është e pafundme Bota? A ka pasur një fillim? A do të ketë një fund? Apo gjithçka është e përjetshme? Përgjigjet vijnë përmes personazheve inteligjentë që eksplorojnë të fshehtat e universit dhe mendjes njerëzore.
“Duke pritur supernovën”, një histori mbi parashikimin e një shpërthimi yjor që mund të ndodhë së shpejti. Një grup të rinjsh, Hana, Martini dhe shokët e tyre, ndërmarrin një aventurë drithëruese për të kuptuar misteret e supernovave, të kaluarës dhe të ardhmes. Me një kombinim të fakteve shkencore dhe rrëfimit artistik, ky roman sjell një udhëtim të jashtëzakonshëm në univers dhe në historinë njerëzore.
Si një nga gratë e pakta në Akademinë e Shkencave dhe një promovuese e shkencës në Shqipëri, Prof. Mimoza Hafizi vazhdon të mbetet një figurë frymëzuese për të rinjtë dhe veçanërisht për vajzat që duan të ndjekin rrugën e shkencës. Në këtë ditë të veçantë, i urojmë edhe më shumë suksese dhe arritje në rrugëtimin e saj!
Nga Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare 2025: Festimi i diversitetit gjuhësor dhe kulturor