“Mësuesja më mësoi të notoj në detin e dijes pa u mbytur”
Mësuesi, figura e parë e rëndësishme për fëmijët pas prindërve, takimi i parë me të dhe si e rishikojnë këtë takim nxënësit pas shumë vitesh. Lexoni krijimet e nxënëseve Rudina Haxhiu dhe Sidorela Muçaj.
Janë dy dedikime për mësueset që i kanë frymëzuar nxënëset Rudina Haxhiu dhe Sidorela Muçaj. Nëpërmjet krijimeve të tyre ato tregojnë se sa e rëndësishme ishte mësuesja e tyre për figurën dhe shembullin që përcillte tek ato. Diku në brendësi të shkrimit nxënëset tregojnë se më vonë e kanë kuptuar se sa shumë i ka dashur dhe sa shumë kanë punuar mësueset që ato të “mund të notonin thellë në detin e dije pa u mbytur”.
Mësuesja ime
Linda, rashë në kontakt me këtë botë, u kapa pas fillit të saj dhe dalëngadalë u zhvillova aty, në gjirin e familjes duke arritur tashmë moshën për të nisur udhëtimin e gjatë shkollor. U dorëzova nga prindërit në bankat e para pa e ditur se do të njihesha me një prind të dytë. Pa e ditur se po krijoja një familje tjetër të madhe. Një familje të mbushur me ngrohtësi dhe të mbështjellë nga një atmosferë plot shkronja dhe numra.
Isha e vogël, ende nuk i kuptoja mirë të gjitha dhe e kisha të vështirë të përshtatesha me jetën shkollore. Fillimisht çdo gjë më dukej e çuditshme, por duke ia lënë kohës gjithçka u kthye në të zakonshme, unë krijova botën time të dytë. Kisha nisur rrugën drejt dijes dhe mbi të gjitha drejt formimit të identiteti tim.
Në një mënyrë krejt të natyrshme unë po bëhesha pjesë e mbretërisë së njohurive dhe të kreativitetit që nuk njeh fund. E gjithë kjo falë punës së palodhur e të përkushtuar të asaj, ishte pikërisht mësuesja ime e fillores që më bëri të kuptoja domethënien e fjalës misionare. Ajo kishte lindur për të qenë aty mes nesh. Zëri i saj që gjithmonë më bënte thirrje të eksploroja dhe shuaja kureshtjet e mija.
Ashtu me pafajësinë fëminore nuk e kuptoja që ajo më kishte vendosur në qendër e veten e saj në periferi me qëllim që unë të vendosja copëzat e para të universit tim.
Tani që jam e rritur jam në dijeni se ishte ajo mësuesja ime e fillores që më bëri të notoj më thellë në detin e dijes pa u mbytur, vetëm duke lundruar.
Rudina Haxhiu, klasa 11-B, shkolla "Sandër Prosi"
Mësuesi im
Mësova se jeta është e bukur
Çdo ëndërr fluturon si një flutur
Çdo fjalë e ka një kuptim
Por ajo që ti bën s’ka shpërblim
Më mësove të shkruaj, të lexoj
Që rrengjet e jetës t’i sfidoj
Më dhe kurajo kur isha në vështirësi
Më mësove shqipen në letërsi
Mësova fjalë të mëdha me shumë kuptim
Gjithçka falë teje mësuesi im.
Çdo vështirësi ti ma lehtëson
Çdo ditë me gjëra të reja ma zbukuron
Vlerat e jetës na i mëson
Faleminderit që ekziston
Asgjë në botë ty nuk të zëvendëson
Sidorela Muçaj, 10-A, shkolla "Sandër Prosi"
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Detyrë klase: Dhoma ime