JOHANES KEPLER

Meritat e Keplerit në astronomi

Atë që filloi Koperniku duke propozuar modelin heliocentrik të sistemit diellor, që do të thotë se planetët rrotullohen rreth Diellit, Kepleri e përfundoi, duke sjellë dëshmi eksperimentale matematikore, të cilat vërtetuan këtë tezë.

Një ditë, papritur, Keplerit i erdhi ideja se orbitat e planetëve ishin eliptike.


Kronologji

• Në vitin 1600 Kepleri punon në Pragë bashkë me Tiko Brahen, matematikanin

perandorak.

• Në vitin 1601 pas vdekjes së Brahes, Kepleri trashëgon postin e tij.

• Në vitin 1609 boton veprën Astronomia e Re, në të cilën paraqit dy ligjet e veta mbi lëvizjen e planetëve.

• Në vitin 1611 boton Dioptrics, veprën e parë të njohur në fushën e optikës gjeometrike.

• Në vitin 1619 boton veprën Harmonia e botës, që përmban ligjin e tretë për lëvizjen e planetëve.


Edhe pse, ndoshta, është më pak i njohur se Koperniku, matematikani gjerman Johanes Kepleri ka meritën se bëri të mundur që teoria e astronomit polak më në fund të pranohej gjerësisht. Atë që filloi Koperniku duke propozuar modelin heliocentrik të sistemit diellor, që do të thotë se planetët rrotullohen rreth Diellit, Kepleri e përfundoi, duke sjellë dëshmi eksperimentale matematikore, të cilat vërtetuan këtë tezë.


TIKO BRAHEJA

Për arritjet e tij, vetë Kepleri i është mirënjohës astronomit më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit gjashtëmbëdhjetë, danezit Tiko Brahe. Braheja u bë i vetëdijshëm për aftësitë e Keplerit sapo lexoi artikullin, që ai e kishte shkruar kur ishte student në Universitetin e Tubingenit. Kur Keplerit iu desh të lëshonte vendin e punës si pedagog i matematikës në Graz të Austrisë, Braheja e ftoi të bëhej asistenti i tij në Pragë, nën patronazhin e Rodolfit II, mbretit të Mbretërisë së Shenjtë Romake, me kombësi gjermane. Në vitin 1600  Kepleri e pranoi atë punë dhe vendosi me Brahen raporte të frytshme dhe një bashkëpunim tepër të vrullshëm, i cili më pas u zbeh. Një nga shkaqet e mosmarrëveshjeve ka qenë se Kepleri e vlerësonte jashtëzakonisht këndvështrimin e Kopernikut, ndërsa Braheja e kundërshtonte ashpër. Astronomi danez kishte shpikur alternativën e vet mbi rrotullimin e planetëve, por ajo asnjëherë nuk u provua. Edhe pse historia do të provonte se Braheja kishte gabuar, për Keplerin dhe astronominë në përgjithësi, ai ishte një vëzhgues brilant i qiellit, që la shënime të shkëlqyera. Kur Braheja vdiq (në vitin 1601), Kepleri jo vetëm e trashëgoi postin e tij si matematikan perandorak në gjykatën e Rudolfit, por, edhe shënimet e tij astronomike.


ORBITA E MARSIT

Me ndihmën e shënimeve të Brahes, mbajtur gjatë njëzet vjetëve, Kepleri iu shtrua punës për të llogaritur dhe sqaruar orbitën e Marsit. Pavarësisht punës së gjatë tetëvjeçare për të vërtetuar mendimin e Kopernikut se rrugët e planetëve janë rrathë, ai nuk arriti të nxirrte përfundimin e kërkuar. Një mëngjes, sa u zgjua, Keplerit i ndriçoi mendjen një dritë e fortë. Përnjëherë e kuptoi se planetët assesi nuk mund të lëviznin në rrathë të mbyllur, por në rrugët në formë elipsoide, pra në rrathë (të shtypur) që kanë dy ”qendra“ njëra pranë tjetrës. Me këtë zbulim ai gjeti edhe një zgjidhje të thjeshtë matematikore, që nuk kishin arritur ta gjenin as Ptolemeu dhe as Koperniku, kur ishin përpjekur të parashikonin lëvizjen e planetëve.

 

LIGJET E KEPLERIT

Zbulimet e veta Kepleri i botoi në veprën Astronomia e re në vitin 1609. Në të janë formësuar dy ligje shumë të rëndësishme për kuptimin e gjithësisë. Në botimin e mëvonshëm të vitit 1619 Harmonia e botës, ai shtoi edhe një ligj tjetër të rëndësishëm. Këto tri ligje përbëjnë ligjet e Keplerit për lëvizjen e planetëve. Ligji i parë tregon zbulimet e tij të hershme, që planetët lëvizin në rrugë eliptike, ku Dielli është njëra nga qendrat, ose më saktë “qendra” bosht. Ligji i dytë thotë se të gjithë planetët përshkojnë të njëjtën rrugë në të njëjtën kohë, pa marrë parasysh se në cilin vend të orbitës gjenden. Kjo është e rëndësishme, sepse do të thotë që planeti herë gjendet më afër Diellit, i cili është në njërën nga dy qendrat, dhe herë më larg tij. Pra, kur planeti është më afër Diellit, ai lëviz më shpejt, ndërsa kur është më larg tij, ai lëviz më ngadalë. Ligji i tretë i Keplerit thotë se katrori i periodës së rrotullimit të planetit rreth Diellit (perioda është koha që nevojitet për një rrotullim të plotë rreth Diellit; për Tokën ajo zgjat një vit) me kubin e largësisë së planetëve nga Dielli, të shprehur në njësi astronomike, është madhësi konstante. Kështu, me vetë matjen e periodave të planetëve mund të kuptojmë largësinë e tyre nga Dielli. Zbulimet e Keplerit, përveçse kanë qenë një zgjidhje bindëse për parashikimin e lëvizjes së planetëve, ato kanë shërbyer edhe si një shtysë e mëvonshme për Isak Njutonin që të arrinte te teoria e gravitetit.


Arritje të tjera

Vepra e fundit madhore e Keplerit ishte Tabelat e Rudolfit e vitit 1627. Të ndërtuara me shumë mund, tabelat e kësaj vepre për llogaritjen e pozicioneve të planetëve u përdorën thuajse në të gjithë shekullin pasues. Kepleri bëri zbulime të rëndësishme edhe në fushën e optikës, ku futi konceptin “rreze drite”. arritje të tjera Në vitin 1634 u botua vepra e tij fantastiko-shkencore me titull Ëndrra ose Astronomia e Hënës. Që nga antikiteti deri në këtë kohë, ishin zbuluar vetëm dy yje të reja, që mund të vëreheshin me sy të lirë, njërin prej të cilëve e ka zbuluar pikërisht Johanes Kepleri në vitin 1604.



Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)

5,903 Lexime
5 vjet më parë