Marshimi im në botët e librave
Endesha nëpër botët homeristike, shekspiriane, balzakiane... me krahët e një zogu që fluturon cipë më cipë me sipërfaqen e njelmët të një oqeani pa fund. Ashtu sikurse Odiseu në lundrim për të mbërritur në vendin e tij, u zhyta unë...
Nëse do të më pyesnit: “Çfarë është për ty leximi?”, unë do t’u përgjigjesha: “ Leximi është një aventurë që zë fill me të lexuar fjalët e para në paragrafin e një libri, një botë që të shfaqet krejt papritur dhe duke hyrë në të ti humb sensin e kohës, idenë se ku je dhe mendja, e ndjekur nga trupi, flatrojnë në vend a kohë tjetër. Të ëndërrosh pa t’u dashur të mbyllësh sytë.
Asgjë nuk zë vet udhë, ashtu sikurse uji nuk rrjedh prej çezme pa hapur rubinetin. 1)
Më kujtohet hera e parë në orën e letërsisë, ishte mesi i vjeshtës dhe gjithashtu më kujtohet lista e gjatë me libra që zysha na dha që të lexonim. Nisa të vrisja mendjen se si do t’i lexoja të gjithë ata libra (më besoni, nuk kisha lexuar me shumë se pesëmbëdhjetë libra në jetën time). Dola nga libraria duke i menduar gjatë gjithë kohës librat që kisha blerë si gjëra që nuk do të më hynin në punë përtej orës së mësimit.
E kisha gabim. Sapo nxora librin e parë (që ishte Hamleti) nisa të imagjinoja princin fatkeq në kullën e vrojtimit. Ngjarja m’u duk aq reale, personazhet e prekshme dhe dialogjet i dëgjoja të dilnin vërtetë nga gojët e tyre. E mbylla librin dhe u çudita kur e gjeta veten rishtas në dhomën time. Kisha hyrë në një botë ku ndihesha rehat me veten, ku nuk e ndjeja mungesën e realitetit, madje mund të them se ato fjalë të derdhura në letër zunë të mbushnin vendet boshe tek unë. Që nga ai moment e kuptove që kisha shtënë në dorë portalin që mund të më shpinte atje ku unë doja.
Një oqean i thellë, në të cilin mund të zhytesh pa patur frikë se do të mbytesh.
Kur e kuptova se sa mirë ndihesha në botët ku po udhëtoja dhe po kaloja përtej kufijve të ndarë me letër, vendosa të mos dal më prej tyre, të shkoj edhe me thellë derisa të prek fundin e jetës. Endesha nëpër botët homeristike, shekspiriane, balzakiane... me krahët e një zogu që fluturon cipë më cipë me sipërfaqen e njelmët të një oqeani pa fund. Ashtu sikurse Odiseu në lundrim për të mbërritur në vendin e tij, u zhyta unë në atë oqean herë të qetë e herë të trazuar, për të shkuar tek vetja ime që më thërriste nga përtej horizontit.
Duke marrë rrugëtimin nëpër këtë udhë pa krye, kuptova që libri dhe leximi nuk është vetëm burimi e dijes apo një fjalori të pastër e një gjuhe gurgulluese. Prej aty rrjedh burimi i shumë jetëve dhe ngjarjeve që më ndryshuan konceptin e jetës. Kështu fillova ta shihja çdo libër që lexoja si një “Kalë Troje”. E merrja ndër duar një libër dhe e futja brenda vetes pa e ditur se ç’kish brenda, kur krejt papritmas ngjarja më godiste me shkulme frymë-ndaluese, derisa më pushtonte krejt qenien dhe mbi atë libër mbeteshin damkat e hirta të një jete që u dogj.
Mos lexo si fëmija për t’u argëtuar, apo si ambiciozi për të mësuar, lexo për të jetuar. 2)
Kjo shprehje e Floberit më ndjek kudo nga prapa dhe pikërisht kjo arsye me shtyn të lexoj. Nuk do të resht asnjëherë së lexuari libra dhe do të ndaloj vetëm kur të më perdelisen sytë për të fundit herë. Por të paktën do të jem i kënaqur, pasi po mbyll jetën time duke kujtuar 1000 jetët që jetova më parë.
1) Thënie nga Louis L’Amour.
2) Thënie nga Gustav Flober
(Klajdi Tarko, 17 vjeç; Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
Detyrë klase: Dhoma ime
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali