Made in Albania, maska karnavalesh që udhëtojnë nëpër botë
"Në një studio në veri të Shqipërisë, artistët pikturojnë, zbukurojnë dhe krijojnë me delikatesë dhjetëra mijëra maska veneciane që shpërndahen nëpër botë"-kështu e nis artikullin media franceze "FRANCE 24" për artin që bëjnë shkodranët.
Në një studio të qetë në veri të Shqipërisë, artistët pikturojnë, zbukurojnë dhe krijojnë me delikatesë dhjetëra mijëra maska veneciane që shpërndahen nëpër botë gjatë sezonit të karnavaleve.
Rreth 50 persona, janë pjesë e këtij stafi që bëjnë këto sende artizanale në Shkodër që eksportojnë deri në 30,000 maska në të gjithë globin çdo vit.
“Në fillim çdo maskë është një mister, ju duhet të jeni të durueshëm për ta bërë atë, por nuk mund të prisni të shihni produktin përfundimtar”- shpjegoi Nora Gjonaj, një artiste 41-vjeçare që ka punuar në Shqipëri në fabrikën e Maskave të Artit në Venecia për dy dekada.
Maskat variojnë nga veshjet relativisht të thjeshta për sytë e deri te pjesët e kokës zbukuruese, me kosto që shkojnë nga 20 euro deri në 1.500 euro, në sallën e ekspozitës në Itali.
Ndërsa shumica e maskave eksportohen në tregun e Venecias, ku për fatin e keq këtë vit karnavalet u anuluan për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Ndërkohë maskat e tjera do të dërgohen në rreth 40 vende të tjera, përfshirë Francën, SHBA, Britaninë e Madhe dhe Australinë.
Kompania gjithashtu merr porosi gjatë gjithë vitit nga ata që marrin pjesë në top maskaradash, si dhe nga kineastët dhe artistët e teatrit që kërkojnë kostume.
Kjo studio u themelua në vitin 1997 nga Edmond Angoni, një shqiptar 64-vjeçar që punonte në Itali dhe hapi dyqanin e tij kur u kthye në atdhe.
Për të krijuar këto maska punëtorët çdo gjë e nisin nga balta apo argjila që marrin në liqenin Shkodrës, e më pas ndjekin një seri hapash për të pasur maskën përfundimtare.
“Ne i kushtojmë shumë vëmendje anës artistike të maskave, duke i trajtuar ato me pasion dhe dashuri si vepra arti”- tha Edmond Angoni.
Salla e ekspozitës së maskave po bëhet gjithashtu mjaft tërheqëse për turistët që duan të shohin maskat me imazhet marramendëse, përfshirë maskat luksoze të zbukuruara me fletë argjendi dhe ari, pendët, diamantet dhe perlat.
(Burimi: France24.com, Portali Shkollor)
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...