
Luan Stafasani: "Dashuri s'mundi të ishte". (Jeta prapë vazhdon).
Në Portalin Shkollor, ne i kemi dedikuar hapësirë edhe mësuesve për pasionet e tyre krijuese. Luan Stafasani sjell tregimin "Dashuri s’mundi të ishte. (Jeta prapë vazhdon)", një rrëfim që shpalos dilemat e një mësuesi mes ndjenjave të adoleshentëve dhe kufijve të shoqërisë.
Në qytetin ku jetoj ka dy gjimnaze. Njëri quhet"Sfidat e jetës"ndërsa tjetri 'Mëso të jetosh". Gjenden gati përballë njëri-tjetrit, i ndan vetëm një nga rrugët kryesore të qytetit. "Sfidat e jetës” është nga të parat shkolla të ndërtuara në qytetin tim dhe si e tillë ka traditë, histori, arritje e patjetër edhe love story.
Është një ndërtesë e madhe tre katëshe, në të cilën preferojnë të mësojnë nxënës çapkën pasi gjimnazin tjetër "Mëso të jetosh” e quajnë shkollë qullacësh, ngaqë dikur, për disa vite radhazi, një drejtues i tij duke përdorur kriterin e notës mesatare i përzgjidhte nxënësit nisur nga natyra e urtë dhe e qetë siç janë zakonisht nxënësit që mësojnë, ndërsa të tjerëve ju tregonte portën përballë dhe kështu ata ja mësynin për tu regjistruar tek "Sfidat e jetës" duke e mbipopulluar atë në krahasim me gjimnazin tjetër. Pata fatin e mirë të punoj si mësues e drejtues tek "Sfidat e jetës” për gati një dekadë. Kur më pyesnin të njohur të mi se kë gjimnaz do ju sugjeroja për fëmijët e tyre ju thoja se është si puna e futbollit, atë e luan edhe skuadra e qytetit tonë që luan në kategorinë inferiore edhe skuadra e Tiranës që është elitare në superiore, d. m. th mësim bëhet edhe këtu tek ne që jemi si Tirana në futboll, me histori e traditë edhe tek gjimnazi përballë që është si qyteti ynë në futboll. Gjimnazi ku jam është një xhungël, të cilën nëse adoleshenti e kalon, ai pa frikë mund të ecë rrugëve të jetës pa i hyrë gjemb në këmbë.
Siç ju thashë në fillim"Sfidat e jetës" ka parë të luhen në skenën e tij shumë histori dashurie ose love story siç thuhet ndryshe, të cilat në të shumtën e rasteve kanë pasur fund të lumtur por ka njohur edhe dashuri që s'mundën të ishin, njërën prej të cilave po e tregoj këtu.
Atë vit kur ndodhi kjo histori, klasa kujdestare e imja kishte mbërritur në maturë. Ishin djem e vajza të hedhur të cilët i kisha përzgjedhur duke patur parasysh prindërit e tyre. Bela ishte njëra prej tyre. Ishte shtatmesatare, bjondinë me sy blu, hundë të drejtë, buzë të holla dhe në të dy faqet i formoheshin groptha të vogla sa herë qeshte. I ati i saj kishte punuar disa vite në Itali dhe si duket atje i ishte fiksuar emri i vajzës së tij. Me paratë e fituara në emigracion kishte çelur një dyqan rrobash në qytetin tonë dhe me të ardhurat siguronte një jetesë normale për familjen e tij. Ishte korrekt dhe vinte të paktën një herë në muaj në shkollë të interesohej për vajzën e tij. Përveç kësaj jo rrallë më telefononte e pyeste për ecurinë e Belës.
Një ditë më erdhi në shkollë jashtë radhës, që ishte fundi i muajit si rregull. I ndesha që larg sytë e tij të shqetësuar, blu edhe ato si të Belës. U takuam dhe si u pyetëm në vija të përgjithshme e ftova të uleshim tek klasa ime, duke shfrytëzuar rastin që ajo kishte edukim fizik atë orë.
-Jam i shqetësuar për Belën, - ia nisi-, ndaj kam ardhur të ndaj shqetësimin me ju, edhe si prind që je vetë, edhe si mësuesi kujdestar , po edhe si dashamir që më je. Bela ka rënë në dashuri me Ledion, e këtë e kuptova nga mesazhet që shkëmbenin në telefon me njëri-tjetrin. Jam aq i emancipuar sa t'ia pranoj vetes që vajza ime 17-vjeçare edhe mund të dashurohet por ama jo me një mulat siç është ai djalë. Të lutem ndihmomë, fol me Belën, ajo ju vlerëson e respekton shumë edhe si kujdestar edhe si mësues letërsie.
Madje seç më përmend një roman, "Nata e Ustikës" të Petro Markos që e keni bërë së fundmi dhe mesazhin e tij "Dashuria nuk njeh ngjyrë, kombësi e fe, ajo njeh vetëm zemrën, shpirtin e sytë, e të tjerat i sfumon".
Gjatë kohës që fliste babai i Belès, mu fanitën në mendje Ledjo dhe ajo, qëndronin në një bankë e gjithë kohës i kushtoheshin më shumë njëri-tjetrit sesa mësimit.
Ledio, ishte edhe ai një syshkruar, i gjatë, elegant e me flokët sterrë të zeza. Me baba rom, siç dukej donte të rishkruante historinë e të atit të tij. Edhe ai në moshën e Ledios kishte rrëmbyer me dashuri të ëmën e Ledios ose një dorë bardhë siç i quajnë ndryshe romët të bardhët, e prej asaj kohe kur kishte ndodhur, familja e saj nuk e pranonte si bijë në shtëpi. Tamam si i ati që kishte qenë muzikant i njohur në qytetin tonë edhe Ledjo ishte bërë një nga dixhejët më të famshëm të qytetit.
-Ja dhe një patate tjetër e nxehtë- i thashë vetes.
Në fakt në punën time si mësues kisha ndeshur edhe më përpara çështje delikate për të cilat prindërit e nxënësve të mi, kërkonin ndihmën time. Për shembull, nëna e një vajze më kërkonte të flisja me të bijën që të mos vendoste shami në kokë pasi vajza i ishte bërë praktikante e fesë muslimane. Edhe këtë gjë ma kërkonte me këmbëngulje e madje me lot në sy. I shoqi ishte ndarë herët nga jeta duke e lënë të ve nuse të re me dy fëmijë të vegjël. Me këtë grua isha rritur në një pallat e më thoshte: “Të lutem më ndihmo, të kam si vëllain tim". Fola me nxënësen time rreth shqetësimit që më kishte ngritur e ëma. Ajo nuk lëvizte nga instikami i saj. Kishte argumentet dhe të drejtën e saj. "Xhamia, besimi në Zot, më kanë ndihmuar të kaloj sa më lehtë traumën e të rriturit pa baba”- ishte refreni që përsëriste nxënësja ime.
E, në të vërtetë, nuk kisha si nuk i jepja të drejtë. Në fund të fundit çdo njeri ka të drejtë në mënyrën e vet, e kjo më ndihmon të kuptoj shumë gjëra.
Për fatin e mirë të saj, nxënësja vijoi studimet e larta në degën që i pëlqente e atje u njoh me një djalë, edhe ai praktikant i fesë muslimane dhe të dy jetojnë të kënaqur me zgjedhjen e tyre dhe kanë dy fëmijë nga martesa e tyre. Po ashtu, nënës së vajzës i është daravitur shqetësimi i dikurshëm. Sa herë ndeshemi e pyes për të bijën e me një buzëqeshje të sinqertë më thotë se është e lumtur për të.
-Ja pra, -i them- koha tregoi se kishte të drejtë në zgjedhjen e saj.
-Ç'më thua presor- më ktheu në të tashmen zëri i babait të Belës.
-Është problem që kërkon maturi e arsyetim-i them.
-Si fillim mos ma lër në një bankë me të- ma kthen. Pastaj gjej kohën e fol me Belën e i thuaj se nëse nuk heq dorë mund të ndodhë çdo gjë. Madje po mendoj ta heq nga këtu e ta çoj tek "Mëso të jetosh".
-Nuk ka kohë për këtë gjë- thashë -edhe dy muaj përfundon gjithë shkolla. Unë do flas me Belën e do t'i kërkoj që të paktën sa të plotësojë 18-të vite ta ngrijë këtë histori. Sepse si mësues ju kujtoj vazhdimisht nxënësve të mi që deri në të 18-tat duhet patjetër të dëgjojnë këshillat e prindit, mësuesit. Si ti bëjë 18-të , njeriu edhe ligjërisht mund të bëjë zgjedhjet e tij, pasi supozohet se është maturuar.
U ndamë me të atin e Belës, por shqetësimi qëndronte ende varur në fytyrën e tij.
Me Belën dhe Ledion fola dhe ju kërkova atë që kisha diskutuar me prindin e vajzës, 'ngrirjen' deri në të 18-tat e Belës.
-Nëse ke dashuruar ndonjëherë profesor, -tha Ledjo - ngrirja më duket e pamundur në flakën e dashurisë. Flaka i shkrin të gjitha dhe këtë e kemi diskutuar edhe në pjesët letrare përgjatë viteve të gjimnazit. Dashuria triumfon mbi çdo barrierë.
Megjithatë,- insistova - mirë është ta provoni opsionin e ngrirjes, deri në shtator kur vijnë të 18-tat.
Dy muajt që kishin mbetur kaluan shpejt . Aso kohe ishte traditë që në oborrin e shkollës organizohej festa e maturës. Maturantët vishnin bluza të bardha dhe me lapustil shkruanin në bluzat e njëri-tjetrit batuta të shkurtra, thënie nga mësuesit për to etj.
Muzika e DJ Ledios ushtonte jo vetëm në oborrin e shkollës po ajo pushtonte gjysmën e qytetit. Për dy orë me radhë kënga e vallja nuk pushonin. Më pas djemtë pasi kishin siguruar makina sa më të bukura merrnin damën e tyre sipas njohjes e shoqërisë që kishin me vajzat e klasës dhe xhironin nëpër rrugët e qytetit. Edhe ky ritual merrte një orë kohë. Në mesditë, qyteti e rrugët e tij ju ishin dukur shumë të ngushta e kështu Ledio dhe Bela kishin menduar të bënin një ecje në një rrugë fushore në dalje të qytetit. Shpejtësia dhe euforia bënë që makina me dy maturantët të humbiste kontrollin e të përfundonte duke u rrotulluar disa herë në asfalt. Ledjo mbeti i vdekur në vend ndërsa Bela e plagosur rëndë u transportua me helikopter në Tiranë e pas një muaji në reaminacion për fatin e mirë të saj shpëtoi.
Ngjarja ishte e dhimbshme dhe tronditëse. Nga ajo kohë edhe festimet e maturës ndryshuan, u shtuan edhe masat e policisë për të mos lejuar maturantë të ngisnin makina pa patentë. Në banesën e fundit Ledio u përcoll nga një numër i madh njerëzish.
Koha kalon dhe shumë plagë të shpirtit i shëron, e jeta prap vazhdon. Kështu ndodhi dhe me Belën. Ajo u regjistrua në shkollën e policisë e shumë shpejt e pamë si police të patrullës së përgjithshme në qytet.
Një ditë me makinën time u përfshimë në një incident të vogël rrugor dhe rregulli e donte të shkoja në komisariatin e policisë bashkë me makinën dhe po ashtu një polic futet në vendin e parë. Tek unë më takoi të vinte Bela. Duke ecur i thashë "Eh, Bela si vjen puna, të shoqërosh mësuesin në komisariat".
-Jo presor- ma ktheu ajo- unë po shoqëroj makinën për verifikime jo mësuesin.
-Bëj shaka -ia ktheva. A je mirë me gjithçka?
Po,-u përgjigj -pas Dashurisë që s'mundi të ishte, në shkollën e policisë jam njohur me një tjetër djalë, edhe si i thonë, kemi ndarë dhe llokumet e jemi fejuar. Është me punë në Tiranë e shpresoj t'i bashkohem së shpejti dhe me punë.
Dhe kështu ndodhi, një ditë Belën e dallova në Tiranë me patrullën "Shqiponja".
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Detyrë klase: Dhoma ime
Emocionet e vitit të parë