Emocionet e vitit të parë
Edhe viti i parë karakterizohet nga dinamika. Ai është sa i bukur aq edhe i lodhshëm, ku ndjesi të ndryshme e kontradiktore si kënaqësia, gëzimi, ankthi, mërzia të shoqërojnë gjatë gjithë kohës.
Koha asnjëherë nuk ndalet e madje ndonjëherë duket sikur ecën më shpejt se zakonisht. Kur je një fëmijë i vogël e kur shumë shpejt rritesh e kalon vitet një e nga një dhe ja ku gjendesh në universitet. Teksa je ende në bankat e shkollës të duket sikur koha lëviz shumë ngadalë, por kur vjen momenti që përfundon 12 vite shkollë ndalesh edhe thua: Si kaluan vallë kaq shpejt këto vite?
Por ndonjëherë edhe nuk ke kohë ta bësh këtë pyetje pasi sa mbaron një cikël shkollor, përpara të shfaqet tjetri e gjendesh paksa e papërgatitur për atë çka të pret. E megjithatë rrjedha e kohës nuk ndal e ti duhet patjetër të ecësh me ritmin e saj duke filluar kështu rrugën drejt universitetit me emocione e ndoshta edhe ankth. Si një studente e cila sapo ka përfunduar vitin e parë në universitet mund ta quaj këtë periudhë si një periudhë tranzicioni e këtë vit të parë plot dinamik. E quaj 'tranzicion' sepse ndryshimi e kalimi nga një fazë tek tjetra duket sikur ndodh sa hap e mbyll sytë dhe je në një ambient të ri e me përgjegjësi të cilat nuk i kishe më parë.
Edhe viti i parë karakterizohet nga dinamika. Ai është sa i bukur aq edhe i lodhshëm, ku ndjesi të ndryshme e kontradiktore si: kënaqësia, gëzimi, ankthi, mërzia të shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Është një vit i bukur sepse simbolizon hapat e parë që hedh në rrugën që ke zgjedhur të ndjekësh në të ardhmen, e kjo të fal emocione. Ky rrugëtim duket sikur bëhet më konkret kur je në dyert e universitetit, në këtë hapësirë të re e ndryshe të pa eksploruar më parë nga ty, me njerëz të rinj e me një mënyrë ndryshe mësimdhënieje. Këto të dhurojnë emocione e kënaqësi sepse tanimë je duke shkelur vetë në këtë ambient të cilit i dëgjoje emrin nga studentë të tjerë dhe mezi prisje ta shihje me sytë e tu.
Por emocioni shoqërohet edhe me ankth sepse e panjohura shpesh të frikëson dhe të rejat që rezervon universiteti për studentët e rinj janë të panjohura e ndoshta ndaj shpesh këta të fundit përjetojnë ankth. Sa i bukur, viti i parë është edhe i lodhshëm gjithashtu sepse të duhet të ndryshosh ritmin se si i bëje gjërat më parë, të duhet të përshtatesh me kërkesat që duhet të përmbushësh pasi edhe mënyra e mësimdhënies në universitet, e ndryshme nga gjimnazi, ta kërkon këtë gjë. Ambienti i ri ka njerëz të rinj, dhe njohja e ndrojtur e fillimit të shërben për të krijuar një shoqëri të re, anëtarët e së cilës i ke pranë gjatë kohës në shkollë, por edhe jashtë saj kur ke nevojë. E megjithatë teksa hedh hapat e parë për t'u njohur në anën tjetër mund të të shoqërojë edhe pyetja nëse po zgjedh njerëzit e duhur, pyetje e cila të bën vë në dilemë edhe të ndihmon që të tregohesh i kujdesshëm në çdo hap që hedh.
E krahas të gjithave, ndjenja që mund të përjetosh më shpesh është edhe mërzia që të shkakton gjithçka ke përreth, përgjegjësia që ke për veten, ngarkesa në shkollë, largësia nga familja e shpesh ashpërsia e mjedisit ku ndërvepron të bëjnë që në një moment të duash të largohesh nga gjithçka për t'u strehuar drejt familjes tënde, pasi mendon se nuk ke më forcë për të vazhduar më tej. Por ashtu si retë e zeza largohen për t'ia lënë vendin qiellit të kaltër e me diell, ashtu edhe mërzia largohet për t’ia lënë vendin kurajos që gjen brenda vetes për të ecur përpara, për të përfunduar rrugëtimin në të cilin je nisur e për të cilin po bëhen sakrifica jo vetëm nga ty.
Kështu pra mund ta përshkruaj vitin e parë në universitet, plot ngjarje e si një mozaik të vogël ndjesish që në përfundim të tij të bën të kuptosh se je rritur tashmë e përpara të pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë, të cilën për ta përfunduar të duhet besim, kurajo e vullnet. Të treja këto gjenden tek secili prej nesh, mjafton t'i zbulojmë e gjithçka do të duket më e lehtë.
(Nga: Emanuela Pepa, studente në Fakultetin e Shkencave Sociale, Portali Shkollor)
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Fier, nxënësit e shkollës “7 Dëshmorët” botojnë 2 gazeta