INTERVISTË

Lorela Garuli: Vizatimi, si shprehje grafike e një komunikimi joverbal

Pavarësisht se është shumë spontan dhe argëtues, vizatimi përfshin një sistem grafik, shenjash dhe simbolesh, dmth ka një gjuhë të vetën. Qëllimi është që përmes vizatimit fëmijët ë përcjellin informacion, të tregojnë, të shprehin

Vizatimi si një instrument matës është i vlefshëm në çdo moshë, por përdorimi i tij në fëmijërinë e hershme është një nga instrumentat më të përdorura, për arsyen e thjeshtë se është një nga aktivitetet kryesore të kësaj grupmoshe krahas lojës. Për psikologen, Lorela Garuli (njëherësh autore e librit “Zbulo fëmijën tënd”, duke dhënë interpetimet e vizatimeve), vizatimi është një formë shprehjeje e si i tillë vlen si një mjet i mirëfilltë komunikimi. “Pavarësisht se është shumë spontan dhe argëtues, vizatimi përfshin një sistem grafik, shenjash dhe simbolesh, dmth ka një gjuhë të vetën. Sigurisht që, gjuha e shkruar, ajo e folur dhe përfaqësuese janë shumë të ndryshme mes tyre, por qëllimi është gjithnjë i njëjti; të përcjellin informacion, të tregojnë, të shprehin”, thotë ajo, për Portalin Shkollor.


Lorela, ju jeni autore e një libri që shpjegon psikologjinë e fëmijëve përmes vizatimeve. Pikturat që të vegjlit bëjnë, çfarë tregojnë për personalitetin e tyre?

Vizatimi tek fëmijët, ashtu si të gjitha format e tjera të zhvillimit intelektual, shprehet sipas disa stadeve e hapave që janë në përputhje me moshën dhe nivelin mendor të tij. Është një matës shumë i mirë i disa elementëve të zhvillimit: i motorikës, iniciativës, imagjinatës, lirshmërisë, shkathtësisë, mprehtësisë, mënyrës sesi percepton dhe pasqyron botën, i informacioneve që fëmija ka mbi tema të caktuara, kontekstit social, kulturor dhe ekonomik të tij. Qëllimi kryesor i të vizatuarit nga fëmija brenda një konteksti shkollor ose terapeutik është pa dyshim vlerësues. Vlerësues në mbledhjen e informacioneve dhe të të dhënave lidhur me fëmijën, informacione që vështirësisht mund të merren në rrugë të tjera, si në punën me të rriturit. Sigurisht që për nga natyra e tyre, me fëmijët është e vështirë, thuajse e pamundur të zhvillohen intervista, t’u drejtohen pyetje me synim marrjen e përgjigjeve, që do të thotë se mënyra e vetme për të ndërtuar marrëdhënien terapeutike do të jetë në rrugë joverbale, konkretisht nëpërmjet vizatimit dhe lojës. Për më tepër, informacioni që vjen në rrugë joverbale është më afër së vërtetës, duke qenë se tek fjalët individi ka një nivel më të lartë kontrolli dhe manipulimi. Fakti që vizatimi si shprehje grafike bën pjesë tek komunikimi joverbal, i shton vlefshmërinë e përdorimit edhe në kontekste terapeutike me fëmijën, si rrjedhojë e thellësisë së informacionit që ky i fundit sjell. Duke vizatuar, fëmija materializon dhe konktretizon botën e tij të brendshme

Jo rrallëherë, prindërit i konsiderojnë vizatimet e fëmijëve të tyre të parëndësisheëm. Si psikologe, ju këshilloni që këto vizatime tregojnë shumë rreth botës së brendshme të fëmijës. Në cilën moshë mund të analizohen vizatimet e fëmijëve?

Vizatimet mund të konisderohen si një burim domethënës informacioni mbi personalitetin e fëmiëjve që prej casteve të para kur këta të fundit nisin të vizatojnë. Vizatimet e para dallojnë cilësisht në formë, përmasa dhe vendosje mes fëmijëve të moshave të ndryshme; ato të një fëmije 1-vjeçar sigurisht që janë më të çrregullta se ato të një 3-vjeçari, që ka nisur të bëjë harqet e para, më pas format vertikale, i orienton më mirë në fletën e vizatimit, derisa këto zhgarravitje bëhen gjithnjë e më përfaqësuese duke marrë trajta konkrete. Para moshës 18 muajsh, nuk mund të pritet një vizatim i mirëfilltë, pasi kjo kërkon një koordinim të mirë mes aftësive motorike e atyre visual-hapësinore. Gjithsesi, qoftë edhe zhgarravitjet e para janë të një rëndësie të veçantë në krijimin e një ndjesie efikasiteti; fëmija sheh rezultatin dhe shpërblehet me një kënaqësi visuale të asaj që ka prodhuar. Fëmija do të nisë të vizatojë vija dhe harqe, sa për t’u ushtruar, që nuk kanë kuptime të veçanta emocionale për të, por janë pjesë të formave konkrete të asaj që ai sheh përreth. Më tej, do të vizatojë objekte, veten, njerëz, personazhe, jo vetëm ashtu siç ata janë në të vërtetë, por mbi të gjitha ashtu si ai i sheh, vizatime pra që pasi pëpunohen nga ndërgjegjja dhe sytë e tij do të vijnë shumë origjinalë. 


Gjendja shpirtërore e fëmijës, nëse është i lumtur, i mërzitur, apo konfuz mund të kuptohet përmes vizatimeve?

Sigurisht. Për të kuptuar gjendjet emocionale, por mbi të gjitha edhe elementë të personalitetit të fëmijës, vijnë në ndihmë disa vizatime të ndryshme të cilat sqarohen në libër me detaje dhe me pjesët përkatëse të interpretuara. Kështu psh. nëse do të vlerësonim në bazë të ngjyrave të cilat përdor më shumë fëmija, do të kuptonim disa vecori të caktuara. E verdha do të shprehë sipërfaqësi, dinamizëm, lëvizje, liri, ekstraversion, kureshtje. Bluja qetësi, ngurrim, një ftohtësi në nivel emotiv. E kuqja më shumë se çdo ngjyrë tjetër është shprehëse e gjallërisë, lëvizjes, pasionit, emocionit, kurajos, deri agresivitetit, që sipas kontekstit mund të jetë tregues i një mungese kontrolli, dhune e shpërthime inati.  Më konkretisht, ka disa vizatime që fëmijët mund të bëjnë dhe mbartin një simbolikë të caktuar. Një ndër kryesorët është vizatimi i pemës. Të vizatosh pemën, do të thotë të bësh një lloj autoportreti;  nis me rrënjët që përfaqësojnë mënyrën sesi i përqasemi mjedisit tonë, vazhdon me trungun si baza dhe pjesa më e qëndrueshme e personalitetit, duke përfunduar me kurorën e degët e pemës që janë si një “çati” apo nëse do të paralelizohej me trupin njerëzor, do të simbolizonte kokën, pra të menduarit racional.  Rrënjë të thella shprehin lidhje të fortë me nënën; prania e frutave dhe luleve ka të bëjë me shprehi të mira sociale dhe prani potencialesh; me gjethe që bien shpreh boshllëk emocional e me radhë. Vizatime të tjera të rëndëishme janë: figura njerëzore, shtëpia dhe familja. Fëmija e vizaton veten të madh apo të vogël në fletë në varësi dhe të rolit që ai ka në familje. Zgjedh të vizatojë më të madh personazhin që do më shumë apo që ka më ndikim në jetën e tij. Vizaton një shtëpi të madhe me shumë dyer e dritare kur jeton një familje që i siguron afeksion e dashuri. E bën veten të vogël kur ndihet i parëndësishëm. Vizaton një cati të madhe kur është shumë ëndërrimtar, e kështu me radhë. Vizaton me ngjyra të errëta kur ndjen dhimbje, zemërim, trishtim. Këto janë vetëm disa shembuj në morinë e shprehjeve grafike të fëmijëve, që nëpërmjet vizatimit flasin për botën e tyre shpirtërore dhe mendore.


Po aftësitë e veçanta të fëmijëve, identifikohen?

Përtej të kuptuarit të elementëve të ndryshëm të personalitetit, karakterit, temperamentit, sesi fëmijët shohin marrëdhëniet sociale, si e konceptojnë familjen dhe veten, nëpërmjet vizatimeve mund të kuptojmë dhe aftësitë e vecanta apo talentet. Fëmijë që vizatojnë të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur, vizatime ku mungon harmonia, forma, rregulli, kufijtë, vizatime që paraqesin figura të cuditshme abstrakte, janë karakteristike për fëmijë me nevoja të vecanta apo crregullime të zhvillimit. Në të kundërt, vizatime e piktura shumë të sofistikuara, me një thellësi shprehjeje e mendimi, me një gjuhë simbolike të pasur, me një kombinim estetik e artistik të ngjyrave dhe detajeve, do të na japin të dhëna për fëmijë të cilët vizatimin e kanë talent që mund ta zhvillojnë më vonë dhe si profesion.

(Lorela Garuli për Portalin Shkollor)

7,832 Lexime
5 vjet më parë