JOHAN VAN HELMONT

Ligji i "pashkatërrueshmërisë së materies”/ Johan Van Helmont 1579 – 1644

Ai arriti të dallonte ligjin “e pashkatërrueshmërisë së materies”, duke kuptuar, për shembull, se metalet që treten në acide janë “të fshehura” aty, dhe se mund të rifitoheshin sërish në sasi të barabartë...

 Johan Van Helmont 1579 – 1644

Kronologji

Lindi në vitin 1579 në Bruksel, në një familje të pasur fisnike.

• Rreth vitit 1621 Kisha e dënon me arrest shtëpiak.

• Në vitin 1648 i biri boton përmbledhjen e veprës së tij Origjina e mjekësisë (Ortus Medicinae).


Ndërsa shkencat e fizikës, astronomisë dhe biologjisë anatomike ecnin me hapa gjigantë drejt kohëve moderne, shkenca e kimisë, në krahasim] me atë që njohim sot, ishte shumë prapa. Ndoshta rastësisht ose ndoshta nga fakti se shkencat e tjera kishin vrojtuar dukuri më të lehta, në fushën e kimisë nuk ishin përqafuar qasje racionale tipike për revolucionin shkencor. Mbase pritej botimi i veprës së kimistit pak ekscentrik flamand Johan Baptist van Helmontit (pas vdekjes) dhe të fillonte transformimi.


MBIKËQYRËS I KUJDESSHËM

I lindur në një familje pasanikësh, Van Helmonti nuk ka pasur nevojë që të lodhet për të gjetur një punë për të siguruar jetesën, kështu ka mundur që t’i lejojë vetes një jetë komode, duke u mbyllur në laboratorin e vet, ku ka bërë një numër të madh eksperimentesh. Van Helmonti, duke u nisur nga disa besime popullore, për shembull, se plaga duhet shëruar duke përdorur armën, e cila e shkakoi atë, edhe pse kjo ishte në kundërshtim me mësimet e fesë, pohonte se është veprim tërësisht natyror, dhe jo ndonjë magji. Siç mund të parashikohej, qëndrime të tilla e futën në konflikt me Kishën, prej së cilës u dënua dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në arrest shtëpiak.



GURI FILOZOFIK

Një tjetër besëtytni popullore, të cilën Van Helmonti vazhdonte ta besonte, ishte ekzistenca e gurit filozofik. Në të vërtetë, kërkimet për atë gur të panjohur, atë perlë të imagjinuar, kanë qenë një nga forcat shtytëse në prapavijën “e shkencës” së alkimisë. Për alkimistët, guri filozofik çudibërës mund t’i shndërronte metalet e tjera në ar e argjend dhe, sipas legjendës, do të zgjaste jetën e njeriut a do ta përtërinte atë. Pavarësisht se ekzistenca e këtij guri ishte imagjinare, ajo ka mundësuar zbulimin e shumë proceseve të rëndësishme kimike. Gjithsesi, Van Helmonti pati aq sukses, sa të konsiderohej prej disa studiuesve si “babai” i biokimisë bashkëkohore. Duhet thënë se ishte i pari që përdori metodën me llogaritje në kërkimet e veta, duke kryer matje shkencore për të paraqitur rezultatet e eksperimenteve të veta. Ai shfrytëzonte peshoren kimike dhe vëzhgimet e veta i verifikonte me kujdes.



UJË, GJITHANDEJ UJË

Një nga shembujt që tregon verifikimet e tij të kujdesshme është eksperimenti me pemën e shelgut. Helmonti mbolli një shelg dhe bëri matje të vazhdueshme për pesë vjet rresht. Gjatë kësaj kohe shelgu arriti masën 85 kg. Shkencëtari  e bëri këtë për të treguar se thuajse e gjithë lënda përbërëse e shelgut përbëhet nga uji. Ai e shmangu teorinë e Aristotelit të katër elementeve (plus eter) dhe përkrahu mësimet e plakut të zgjuar grek Tales, që fliste për epërsinë e ujit, gjë që e forcoi me anë të eksperimentit të tij. Gjatë këtyre pesë vjetëve pema ushqehej vetëm me ujë dhe me një sasi shumë të vogël dheu ku ishte mbjellë. Van Helmonti zbuloi se masa e dheut ishte zvogëluar vetëm me disa dekagramë, gjë që e bindi se pema përbëhej thuajse tërësisht nga uji që kishte thithur. Ajo që nuk arriti të zbulonte Van Helmonti, ishte fakti se pesëdhjetë për qind e peshës së shtuar të pemës vinte nga dyoksidi i karbonit që ajo kishte marrë nga ajri e çuditshme kjo, kur mendon se Van Helmonti i kishte zbuluar gazet.



ELEMENTET E AJRIT

Në eksperimentet e tjera Van Helmonti ishte shumë i vetëdijshëm për ekzistencën e gazeve. Zbulimi i tij kryesor ishte se ajri përbëhet nga një sërë gazesh. Ai kuptoi se elemente të ndryshme, kur nxehen, avullojnë gaze të ndryshme. Vetë ai zbuloi katër lloje gazesh, të cilat i quajti gas carbonum, gas silvester (dy lloje) dhe gas pingue. Këto gaze sot njihen si dyoksid karboni, monoksid karboni, oksid azoti dhe metan. Van Helmonti ishte ai që futi në përdorim fjalën “gaz”, që në të vërtetë është shqiptimi i fjalës greke “kaos” në gjuhën flamande.



Arritje të tjera

Përveçse në fushën e kimisë, Van Helmonti ka kryer studime edhe për ushqyerjen, tretjen dhe fiziologjinë, duke aplikuar të njëjtën metodologji. Megjithatë, në kërkimet e veta ai nuk arriti të shkëputej nga lidhja me mistiken. Kjo ka sjellë zhvlerësimin e një pjese të madhe të tyre, parë në këndvështrimin tonë bashkëkohor. Ajo që mbetet me rëndësi, është se ai arriti të dallonte ligjin “e pashkatërrueshmërisë së materies”, duke kuptuar, për shembull, se metalet që treten në acide janë “të fshehura” aty, dhe se mund të rifitoheshin sërish në sasi të barabartë. Përmbledhjen e veprës së shkencëtarit Van Helmont e botoi i biri në vitin 1648 me titull “Origjina e mjekësisë”.




Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)


2,797 Lexime
5 vjet më parë