ANALIZË

Libri që ndryshoi përgjithmonë letërsinë

Libri “Bëmat e Lizës në Botën e Çudirave” e ka ndryshuar letërsinë për fëmijë një herë e përgjithmonë. Qëllimi i tij nuk është t’i mësojë fëmijët përmes edukimit, por përmes argëtimit.

Libri “Bëmat e Lizës në Botën e Çudirave” e ka ndryshuar letërsinë për fëmijë një herë e përgjithmonë. Qëllimi i tij nuk është t’i mësojë fëmijët përmes edukimit, por përmes argëtimit.


“Liza në Botën e Çudirave” është një tregim fantastik, i botuar në 123 vende të botës. Ai rrëfen për udhëtimin fantastik të vogëlushes Lizë, që ka ndodhur kohë më parë në një ditë vere. Liza kalon nëpër disa aventura njëra pas tjetrës, takon Lepurin e Bardhë, Macen Lakmitare, Kapelabërësin, mbretin, mbretëreshën etj.


Ashtu si u rrëzua Liza në vrimën e lepurit, ashtu u dashuruan edhe lexuesit pas saj. Të gjithë u përpoqën të shpjegonin sesi “Bota e çudirave” solli një dallgë kaq të madhe ndryshimi në letërsinë për fëmijë. Vetëm në një botë aventurash mund të zhduket një mace, mund të takojmë një breshkë histerike, apo një vemje duhanpirëse, që u kaplojnë imagjinatën duke filluar nga më të rinjtë, deri te më të moshuarit.


Autori iu largua rregullave strikte të moralit të një shoqërie puritane, me të cilat shkruheshin librat asokohe. Ai shtoi karaktere dhe ilustrime. Fëmijët tashmë kishin një zhanër, ku “marrëzia letrare” merr hov. Skena e letrave ishte gati për Lizën. E shkruar gjatë Epokës së Artë të Letërsisë për Fëmijë, vepra e Kerol është një formë argëtimi sa absurde, por edhe madhështore, ndryshe nga gjithçka që erdhi para ose pas saj. Përpara vitit 1865, vitin kur Liza po botohej, fëmijët nuk lexonin libra me lepuj që belbëzonin ose me vajza kureshtare që nuk kishin frikë të thoshin çfarë kishin në mendjen dhe imagjinatën e tyre.


Librat, madje përrallat, historitë me kalorës, nuk kishin për qëllim vetëm të argëtonin djemtë dhe vajzat, por t’i edukonin ata.  Gjithçka filloi të ndryshonte, sidomos kur Zhan Zhak Rusoi mendoi për fëmijërinë në një mënyrë të re. Rusoi hodhi poshtë besimin puritan se njerëzit kanë lindur në mëkat, ai i pa individët si natyrshëm të mirë dhe fëmijët si të pafajshëm.


Kështu, nga mesi i shekullit të XVIII, një portretizim romantik i fëmijërisë ishte ky: veprime të shfrenuara, shprehje krijuese, konkluzione të pafajshme dhe qëllime të mira. Kjo frymë filloi të depërtonte në letërsinë e fëmijëve.


Autorët dhe botuesit pluhurosën historitë e tyre me stërhollime stilistike, sepse fëmijët nuk vareshin më nga feja ose udhëzuesit e mirësjelljes. Bota e tyre po merrte një kuptim të ri. Ndërsa shkrimtarët kuptuan fuqinë e argëtimit, librat me predikime dolën jashtë mode. Librat hynë në një fazë të re. Qëllimi i tyre ishte të dhuronin kënaqësi. Mësimi i lexuesve të vegjël përmes teknikave zbavitëse u bë popullore.


Nga fundi i shekullit të XVIII, raporti mes edukimit dhe argëtimit, nuk ishte i ndarë. Shkrimtarët prezantuan karaktere komplekse nga ana psikologjike, të vendosur në situata, ku nuk kishin gjithnjë një rrugë të qartë morale për të ndjekur. Lexuesit e rinj nuk kanë pse të edukohen vetëm nga prindi, mësuesi apo edukatori. Liza e bëri këtë ndryshim.


Ndryshe nga fshatrat romantike, në të cilat vendoseshin përrallat deri në atë kohë, Liza noton në një pellg lotësh dhe luan me flamengo e iriqë. Në të njëjtën kohë, ajo ngul këmbë, përpiqet për më të mirën e saj, duke përdorur një gjykim të shëndoshë, çka përfaqëson një vlerë të përrallave tradicionale.


Në një letër që Keroli i drejtoi Aleksandër Makmillanit, në shkurt të vitit 1869, shkroi, “E vetmja pikë për të cilën kujdesem, është që fëmijët ta shijojnë sa më shumë librin”.


Krijimi i veçantë i Kerolit përmbys çdo normë logjike apo gjuhësore, por sërish ka kuptim, sepse kjo është e vërteta artistike. Ndoshta e vërteta më e bukur ndonjëherë. Karakteret jonjerëzore veprojnë si njerëz dhe bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, zbërthejnë të vërtetën pa e shkatërruar atë.


Aventurat përshtaten në mënyrë mjeshtërore, por jo konvencionale. Liza në botën e çudirave është një parajsë e fjalëve, paradokseve, sinqeritetit të fëmijërisë. Ajo që bashkon lojën e fjalëve me anomalitë analitike është Liza. “Kush jam unë në të vërtetë? Ah, ky është pazëlli që duhet zgjidhur”.


E veshur me një fustan të thjeshtë, me mëngë të gjata deri në gju, Liza është më komplekse dhe e guximshme se veshja e saj. Ajo flet me veten, tipike për një fëmijë krijues dhe kureshtar. Tronditet nga ndryshimi i gjatësisë së saj, gjë që nënkupton afrimin e pubertetit.  Zhgënjehet nga takimet e çuditshme dhe mbetet kureshtare gjatë gjithë kohës.


Përpjekjet e saj të vazhdueshme për të zbuluar rregullat e çuditshme janë të guximshme dhe të njohura për këdo që është i humbur, i hutuar, i frikësuar. Liza arsyeton dhe përpiqet t’i japë botës së saj një kuptim. Ajo tenton të logjikojë të palogjikueshmen dhe të arsyetojë mbi të paarsyetueshmen. Liza i jep formën më të bukur habitatit të saj. A nuk bën secili prej nesh këtë gjë? Liza mund të jetë kushdo nga ne që përpiqet të qëndrojë i arsyeshëm në një botë të çmendur.


Ashtu si Piter Pani apo Herri Poter, Liza është një fëmijë i zakonshëm që shkon në një aventurë të jashtëzakonshme, gjithmonë e shoqëruar nga lexuesit e saj, duke i futur në një botë sa kureshtare, aq edhe të qartë shpirtërore.


 


Analizë për librin “Bëmat e Lizës në Botën e çudirave”, nga Parajsa Shtini


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,385 Lexime
3 vjet më parë