Libri, ky tempull i pavdekshëm, që komunikon në çdo kohë me lexuesin
Asnjë komunikim njerëzor nuk i përngjet komunikimit letrar. Gëzuar Ditën e Librit, ditën e të gjithë atyre shpirtrave krijues, që besuan e besojnë të pabesueshmen, e na lejojnë, ne të tjerëve, lexuesve, të futemi në botën e tyre.
Asnjë komunikim njerëzor nuk i përngjet komunikimit letrar. Sado të përpiqemi ta zbërthejmë, kuptojmë se çdo përpjekje jona, nuk është gjë tjetër, veçse një dështim. Shkrimtarë të mëdhenj kanë pohuar se letërsia është një kryqëzatë, ku duhet të vdesin të gjithë. Me gjithë pafuqinë tonë për të zbërthyer enigmën, ndiejmë domosdoshmërinë e të qenit pjesë e këtij komunikimi.
Kjo ditë vjen si një kremtim, një shprehje dashurie për librin, për ata që kanë pasur guxim të fortë të komunikojnë ndryshe, të japin dhe marrin me letërsinë. Adorno pohon se letërsia duhet të ofrojë një taban, një tekst të plasaritur, prej ku nis jetën filizi i një ideje, të cilin bota nuk është e predispozuar ta mirëpresë. A nuk ndodhi e njëjta gjë me “Lulet e së keqes” të Bodlerit? Cila imagjinatë, qoftë edhe ajo më e mprehta e një mendjeje racionale, mund të krahasonte një lule, simbol të së bukurës, me të keqen? Cili lloj komunikimi njerëzor mund të shtresëzojë të tilla kumte?
Nëse Shekspiri pohon se ne jemi materiale me të cilën ndërtohen ëndrrat, do të thotë se brenda secilit ekziston instinkti, ku mjafton një mbresë, një gëzim, një hidhërim, për t’u ngushëlluar në një koncentrat të zgjedhur fjalësh, të cilat janë të afta të ofrojnë muzikalitetin, ritmin, imazhin. Në këtë udhëtim shumëplanësh, kaq të shpenguar, gjithçka i lihet në dorë krahasimit, paralelizmit, personifikimit, litotës, oksimoronit etj., me në krye mbretëreshën e tropeve, metaforës, për të na shoqëruar në lojën e bukur të fjalës artistike.
Letërsia, një grumbull shekujsh të tërë, e mbledhur në një tempull të pavdekshëm, ku nuk ekzistojnë as kufijtë kohorë, as ata vendorë, por një “e tashme e përjetshme”, e cila, sipas mënyrës së saj, është gjithnjë e vërtetë dhe universale.
Kur Rreshpja shkruan “Noton në përrua me gjethe mbështjellë/Një ditë e vdekur vjeshte/E shtergët e fundit shkuan të ngrirë/Mbi sytë e verdhë në heshtje” (Rekuiem), ikën nga bota fizike që ne njohim, ku një ditë e vdekur s’mund të notojë në përrua, për të ndërtuar botën e tij artistike, e cila pleks ndjesitë dhe të pamundurën e bën të mundur.
Kjo është forca e letërsisë, edhe në kohë të tilla vetmimi që po jetojmë. Ajo, gjithnjë, në çdo situatë, në çdo kohë, në çdo rrethanë, e gjen rrugën për te lexuesi.
Gëzuar Ditën e Librit, ditën e të gjithë atyre shpirtrave krijues, që besuan e besojnë të pabesueshmen, e na lejojnë, ne të tjerëve, lexuesve, të futemi në botën e tyre.
Shkroi: Parajsa Shtini
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...