Shuhet shkrimtari i madh

Letërsia në zi, shuhet kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare

Është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçari kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare.Ai njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ku shquhet kryesisht për prozë,por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë.

Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare. Mësohet se Kolosi i letrave shqipe wshtw shuar sot në urgjencën e Tiranës, në moshën 88-vjeçare. Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Ismail Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.


Profil/ Kush ishte Ismail Kadare, nga fëmijëria te pasioni për letërsinë! U nderua nga Macron me titullin më të lartë francez ‘Urdhri i Lartë i Legjionit të Nderit’


Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Kadare ishte shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqiptare, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.


Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm, më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960).


Kadare nisi të shkruante kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.


Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); "Ëndërrimet", (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin "Shekulli im" (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: "Përse mendohen këto male" (1964), "Motive me diell" (1968) dhe "Koha" (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal, rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.


Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.


Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur" (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980).


E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t'i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues.


Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar. Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.


Vitet e hershme


U lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke patur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit; çifti pati edhe dy fëmijë të tjerë, Kadrijen (1937-2022) dhe Shahinin (1943-2021). Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati ka punuar si postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.


Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur. Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar "Frymëzime djaloshare".


Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë "Mjegullat e Tiranës", të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hurshoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht. Në institutin Gorki, vendosi t’i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi “të mirë”. U detyrua t’i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare, por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”.

 

Çmimet


Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi", një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohej emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Kadare u vlerësua me çmimin ‘Man Booker International’ më 2005, çmimin ‘Princesa de Asturias’ për Artet më 2009 dhe Çmimin ‘Jeruzalem’ më 2015. Kadare u vlerësua dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ishte vetë presidenti francez Emmanuel Macron, që i dorëzoi Kadaresë dekoratën e "Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit" gjatë vizitës në Tiranë.


Vitet ’70, suksesi ndërkombëtar


Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet "Kështjella" (1970) dhe "Kronikë në gur" (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.


Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’i rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore "Shqipërinë e Re". Romanit i vuri titullin "Dimri i vetmisë së madhe". Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar "Dimri i madh" dhe u përkthye edhe në frëngjisht.



Jeta private


Ismail Kadare u martua me shkrimtaren, Helena Kadare, me të cilën kishte edhe dy vajza. Gresa mbaroi Fakultetin e Shkencave ë Natyrës, në Francë vijoi dhe kreu studimet në Universitetin e Sorbonës dhe punon si shkencëtare dhe pedagoge në Francë. Ndërsa e vogla, Besiana ka qenë ambasadore e përhershme e Shqipërisë në UNESCO, e liruar nga detyra më 2016 u emërua ambasadore e Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke mbuluar edhe përfaqësuesen e Shqipërisë në Kubë, jo rezidente.



Poezi

Vëllimi i tij i parë poetik i titulluar "Frymëzime djaloshare" u botua më 1954. Më pas do t’i botoheshin "Ëndërrimet" (1957), "Shekulli im" (1961), "Poemë blindazh" (1962) dhe më i çmuari "Përse mendohen këto male" (1964), "Motive me diell" (1968) dhe "Koha" (1976). Që në vitin 1966 trajtoi në poezi temën e Kosovës, ashtu edhe për Vietnamin.



Punët e shquara


“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

“Dimri i madh”

“Kronikë në gur”

“Kush e solli Doruntinën”

“Kështjella”

“Pallati i ëndrrave”

“Dosja H”

“Darka e gabuar”



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

454 Lexime
5 muaj më parë