LAMTUMIRË LATO! Nga Vebi Bexheti
Dhe tani, kur po i shkruaj këto vargje, i dashur Latif, që ti nuk do i lexosh asnjëherë, le të mbeten një nekrolog për ty, dhe lëvdatë për sukseset e punës dhe djersës, suaj, që bashkë me Ritën e kurorëzuat me suksesin me të madh të fushës së arsimit dhe të kulturës mbarëkombëtare.
Sa rëndë godet kjo murtajë. Sa e pamëshirshme që është, sa trishtime na sjell, sa lajme ugurzeza për shokët e miqtë, sa e kobshme për njerëzimin. Kjo e keqe e shekullit ta ndal frymën kur dëgjon për çdo ditë numërimin e atyre që i merr aq shpejt.
Lajmi për ndërprerjen e rrugës jetësore plot ëndrra, plane e projekte të mikut tim, Latifit, sinonim i ALBASIT, i librit shkollor, i letësisë dhe i botës shkencore në përgjithësi, ishte sa trishtues, aq edhe tronditës për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën Laton, për familjen e tij të madhe në botën shqiptare dhe jo vetëm. Ky lajm, sa shpejt mori dhenë dhe u përhap si vet murtaja, në Tetovë, Tiranë e Prishtinë, duke plagosur zemrat e qindra e mijëra intelektualëve, autorë librash, studiues dhe fëmijë e nxënës të cilët gjithmonë do e kenë parasysh në faqet e para të librave emrin e botuesve, Latif Ajrullahu-Rita Petro, që aq shumë dhanë për librin, arsimin, shkencën dhe kulturën mbarëkombëtare.
Latifi ishte njeri i planëve të mëdha në fushën e botimit të librit, në përhapjen e tij, kudo ku kishte një shkollē shqipe , nga grupet parashkollore, e deri në nivelin më të lartë të shkollimit. Ai gjendej kudo; në Shqipëri, ku edhe e kishte selinë e Kompanisë ALB-AS, në Kosovë në Maqedoni, në Tetovë dhe në Miletinën e tij, që aq shpesh e vizitonte. Latoja dallonte nga shumë të tjerë të gjeneratës së vet, ai ishte njeri pak sa i veçantë, por i dashur për të gjithë. Nga ish nxënësit e tij, kur ishte profesor nē Shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë, mbahet mend si mësimdhënës i shkëlqyeshëm i Kimisë, edhe pse pak sa i ashpër në kërkesën e tij për më tepër dije. I larguar nga puna gjatë proceseve antishqiptare të diferencimit në Maqedoninë e kohës së Jugosllavisë komuniste, Latoja nuk kërkoi asnjëherë lëmoshë nga organet e Komitetit të kohës, përkundrazi, i përbuzi ato, edhe me kushtin që të marrë rrugën e kurbetit si ëmbëltor në disa qytete të bregdetit kroat.
Në kushte kur komunizmi kishte rënë përgjithmonë, edhe në dy anët e kufirit shqiptaro- shqiptar, Latifi u kthye në Tetovë me idenë për të nxjerrë një revistë në gjuhën shqipe. Pas një kohe të suksesit të fletores ALBA , revistë për kulturë e letërsi, ky njeri nuk u kënaq me kaq, por vazhdoi të mendojë për diçka më tē madhe. Si profesor i Kimisë që ishte, i lindi ideja që të studiojë edhe për Farmaci, profesion ky, ky që mund t’i hapte rrugë për biznesin privat. Me mbarimin e studimeve në Tiranë dhe marrjen e diplomës si Mr. i Farmacisë, në Tetovë e hapi një barnatore, ku gjithashtu nuk i mungoi suksesi. Hapi i radhës ishte formimi i Shtëpisë botuese ALB-AS, me seli në Tetovë, Tiranë dhe Prishtinë, kur bashkë me partneren, poeten tani më të afirmuar në letërsinë shqipe, Rita Petron, e vazhdon rrugën e sukseseve, për të arritur të radhitet ndër shtëpitë botuese më në zë të hapësirave shqiptare, e veçmas në ate të veprimtarisë së librit shkollor.
Sa herë që mbahej Panairi i librit në Tiranë dhe në qendrat tjera shqiptare, këndi i ALBA-SIT, ishte më i vizituari, sidomos nga më të vegjlit dhe prindërit e tyre. Aty gjithmonë mblidheshin intelektualë të njohur, shkrimtarë e autorë për të biseduar me Ritën dhe Latifin, për planet e tyre në veprimtarinë botuese dhe cilësinë e librit shkollor, që për fat të keq, në atë periudhë kishte rënë mjaftë. Sukseset e kësaj shtëpie botuese, falë njeriut vizionar dhe afaristit të suksesshëm, Latif Ajrullait, bashkë me specialisten e veprimtarisë botuese, Rita Petron, librin shkollor të mbarë hapësirave shqiptare, e ngritën në nivelin që e kërkonte koha, dhe me synimet e vazhdueshme për t’u arritur edhe më tepër.
Latifi, përveç veprimtarisë së suksesshme biznisore, la gjurmë edhe si krijues e përkthyes. Romani i tij KUFIRI, i kohës së thyerjeve të mëdha politike, kur kufijt e hekurtë u bënë lehtë të kalueshëm, përfshirë edhe ato që i ndanin shqiptarët, do mbetet vepër model, me temë dashurie, në kushte, kur kufijt e kishin humbur kuptimin. Me përkthimin nga gjuha kroate e veprës psikologjike të Skot Pekut, “Rruga në të cilën rrallë shkohet”, Latifi do përmendet edhe si përkthyes.
Dhe tani, kur po i shkruaj këto vargje, i dashur Latif, që ti nuk do i lexosh asnjëherë, le të mbeten një nekrolog për ty, dhe lëvdatë për sukseset e punës dhe djersës, suaj, që bashkë me Ritën e kurorëzuat me suksesin me të madh të fushës së arsimit dhe të kulturës mbarëkombëtare.
Lamtumirë miku im Latif, pusho i qetë dhe i sigurtë se vepra jote do mbetet e përjetshme!
Nga Vebi Bexheti
Marrë nga Përqasje
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani