Një filozofi mësimdhënieje

Kur syri bëhet vesh e veshi bëhet sy- rasti në mësimdhënie!

Syri duhet të bëhet vesh, e veshi duhet të bëhet sy për të kuptuar botën e fëmijëve. Syri duhet të bëhet vesh e veshi duhet të bëhet sy për të kuptuar se mundësit që ofron mësimdhënia janë shumë më të mëdha se mangësitë, të metat dhe pengesat që ne shohim te fëmijët.

A e keni vërejtur që në shumë raste ne fokusohemi tek mangësitë, tek problemet dhe të metat. A e keni vërejtur që shpeshherë, prindërit, mësimdhënësit po edhe shoqëria  fajin për rezultate të dobëta e adreson tek nxënësit. A e keni vërejtur sa herë ne thirremi në përvojën shumëvjeçare si mësimdhënës po edhe si prindër dhe nuk reflektojmë fare se ndoshta përvoja jonë është përvojë njëvjeçare e shpërndarë në shumë vite. Pra ne kemi bërë të njëjtën gjë vit mbas viti. 


A mos vallë do ishte çmenduri nëse kërkojmë rezultate më të mira në shkollat tona duke përdorur të njëjtat metoda  dhe të njëjtin mentalitet që e kemi përdorur me dekada? Pra ne shpesh fokusohemi tek peshku  dhe harrojmë që jemi në rrezik nga krokodili.  


E dini pse?


Sepse syri duhet të bëhet vesh, e veshi duhet të bëhet sy për të kuptuar botën e fëmijëve. Syri duhet të bëhet vesh e veshi duhet të bëhet sy për të kuptuar se mundësit që ofron mësimdhënia janë shumë më të mëdha se mangësitë, të metat dhe pengesat që ne shohim tek fëmija. 


Syri duhet të bëhet vesh e veshi duhet të bëhet sy e të shohim se pikëpyetjet që ne shohim  munden lehtë të shndërrohen në pikëçuditje nëse ne shohim mundësit e jo pengesat, nëse ne përdorim aftësinë analizuese , dhe nëse ne nuk shohim vetëm bardh e zi, po  dritën e kalojmë përmes një prizmi që na ofron mundësinë të shohim edhe ngjyrat e tjera. 

Kjo fotografi tregon qartë se si ne vendosim të shohim vetëm atë që ne duam. Po kjo fotografi tregon gjithashtu që me qetësi, fokus, dëshirë dhe përdorim të aftësisë analizuese mund të shohim përtej përkufizimeve që ne i vendosim vetvetes. Po mbi të gjitha kjo fotografi tregon se ti dhe kolegët, shokët, miqtë e tu do shikoni dy persona dhe dy mosha krejt të ndryshme, dhe  si gjërat i perceptoni ndryshe.


Po ajo që do kishte vlerë dhe do ndihmonte të dilej nga përkufizimi po edhe egoja personale është analiza e përbashkët për të parë detajet dhe tërësinë. E këtë e ofron puna kolegjiale- puna kolegjiale e ofron mundësinë e ngritjes te aftësia analizuese e cila është jetike për suksesin e nxënësit. 


Shumë mësimdhënës  edhe sot mjetin e vetëm e kanë librin, pra njëjtë si në këtë fotografi, janë të përkufizuar , kanë mbetur në zonën e komoditetit dhe nuk largohen nga ajo sepse shohin vetëm atë që duan të shohin. E dini pse? Nga frika për të dështuar. Po mos harroni se gjërat/përvojat më të mira janë jashtë kësaj zone. 


Ndajë miq të nderuar afrojuni fëmijëve hapësirë  dhe krijoni raste e detyra që kërkojnë dhe stimulojnë aftësinë analizuese nëse dëshironi që ata të ecin para, në të kundërt do vazhdojmë të tundim “ujë”.  Pra kemi dy rrugë o të rinohemi me dituri duke përdorur aftësinë analizuese o të plakemi me analfabetizëm duke mësuar përmendësh fakte pa pasur mundësi reflektimi.


Shkrim nga Shpend Rrukiqi



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,248 Lexime
3 vjet më parë