INTERVISTË

Kristel dhe Klesta, binjaket e harqeve që fituan çmimin e parë të “Perform-Online” gjatë karantinës

Klesta në violonçel dhe Kristel në violinë janë dy motra binjake të talentuara të cilat së fundmi kanë fituar çmimin e parë për kategorinë instrumente në konkursin “Perform-Online”.Ato vazhdojnë klasën e dytë në Liceun Artistik për muzikë klasike dhe janë 8 vjeçe. Rrëfimet e tyre i gjeni në këtë intervistë.

Ato janë bërë model frymëzimi për shumë fëmijë dhe të rritur të cilët e pëlqejnë muzikën klasike. Tashmë quhen “Binjaket e harqeve” jo pa qëllim! Kanë mundur që të fitojnë vëmendjen e një publiku të gjerë gjatë kohës së karantinës me performancën e tyre në violinë dhe violonçel në konkursin virtual “Perform-Online”, nga të cilat dolën edhe fituese të çmimit të parë për kategorinë “Instrumente”. 

Vogëlushet që në parashkollor kishin lehtësi në mësimin e notave muzikore. Parapëlqenin pikërisht  instrumentet me të cilat sot shfaqin talentin e tyre. Në shkollen “Dëshmorët e Lirisë”, në klasën muzikore, hynë në konkurs dhe fituan të drejtën për klasën e parë në violinë dhe violonçel. Më pas në klasën e dytë, kaluan tek Liceu Artistik “Jordan Misja”, pasi u dalluan në disa konkurse ndërkombëtare dhe në Tiranë. Për më tepër ne kemi zhvilluar me to një intervistë, përgjatë të cilës na kanë rrëfyer për talentin dhe pasionin e tyre për muzikën...




Klesta dhe Kristel, ju fituat çmimin e parë në konkursin “Perform-Online” (për kategorinë instrument) gjatë kohës që të gjithë po qëndronim nëpër shtëpitë tona. A mund t’i përshkruani emocionet e atij momenti dhe t’i ndani me lexuesit tanë? Si u ndjetë atë ditë?


Klesta: Po flas unë e para, meqë kam lindur 5 minuta para motrës time binjake. Ishte një garë e gjatë. Emocionet u shtuan ditë pas dite, kur prindërit na tregonin komentet e publikut online. Nëse në një skenë emocioni na pushton para dhe gjatë interpretimit, këtë radhë ishin mijëra vetë që na vlerësuan me komentet e tyre përgjatë një muaji.  Në këtë konkurs,  ne nuk përfaqësonim vetëm veten, por edhe Liceun Artistik “Jordan Misja”. Kjo na e shtoi krenarinë kur morëm çmimin e parë. Ne iu bashkuam Liceut në fillim të klasës së dytë, falë mikpritjes të drejtores Valbona Gavelli, nën drejtimin e mësueseve Ritvana Selita në violonçel dhe Pranvera Tego në violinë. Jemi shumë me fat që po punojmë me mësueset, të cilat kanë nxjerrë muzikantë të talentuar ngado në botë.

Kristel: Ishte ndjesi shumë e bukur të shihje se muzika jonë ua kishte fituar zemrën të gjithëve. Megjithëse u përgatitëm në kushte të vështira, larg mësueseve të Liceut Artistik, arritëm të japim një performancë të pëlqyeshme. Ndjemë gëzim të madh që “Bella Ciao” e jonë fitoi vendin e parë.



E zgjodhët vetë të performonit muzikën e këngës “Bella ciaoo” në violinë  dhe violonçel për këtë konkurs apo morët ndonjë rekomandim? 


Klesta: “Bella Ciaoo” ishte caktuar nga organizatorët e konkursit. 

Kristel: Ishte pak e vështirë në fillim të luanim muzikën e kësaj këngë të vjetër italiane. E sollëm tek publiku, sipas mënyrës tonë, duke e bërë të këndshme edhe për fëmijët.   


  

Cili ka qenë urimi më i bukur që keni marrë dhe nga kush? 


Klesta: Kemi marrë shumë urime, sidomos nga shokët dhe shoqet e ngushtë që kemi në Orikum, Kristi, Ortensia, Alesia, Maria, Livia. Ata  brohorisnin: “Bravo binjaket!”. Ne morëm instrumentet dhe luajtëm për ta një pjesë të vogël, që e kemi përgatitur vetë nga filmi “Aladini”. Duartrokitjet dhe përqafimet e tyre janë urimi më i bukur që kemi marrë. 

Kristel: Urim të bukur morëm dhe nga prindërit dhe gjyshi. Menjëherë, pasi Qendra Performancë njoftoi çmimet, ata na uruan: “Ju lumtë! Është bukur të kesh kaq shumë miq, sidomos kur flet me gjuhën e muzikës!”.   



Për ju kjo nuk ka qenë hera e parë që jeni shpallur fituese apo jo? Dimë që keni marrë çmime edhe në konkurse të tjera muzikore. Cilat kanë qenë ato? 


Klesta: Në maj të 2019-ës, unë mora pjesë në konkursin ndërkombëtar të muzikantëve “Ars Kosova”, ku  ishin pjesë fëmijë nga gjithë Ballkani. Këtu mora çmimin e dytë. Më herët kemi marrë pjesë në Konkursin Lidhja e Muzikantëve të Prizrenit, në koncertin e përbashkët me shkollën e muzikës të këtij qyteti. 

Kristel: Edhe unë mora pjesë në konkursin në Prishtinë. Ishte fillimi për mua, sepse kisha vetëm dy muaj që kisha vënë duart në violinë.  Më pas kemi marrë pjesë në konkursin “Tirana Talent”, ku pak ditë me parë të dyja u vlerësuam me çmim të dytë. Por kemi marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera në Tiranë.



Talentin tuaj për muzikën e keni shfaqur qysh kur keni qene në parashkollor duke i përvetësuar shumë shpejt notat muzikore? Por çfarë tregojnë për ju notat muzikore? Çfarë është për ju muzika? 


Klesta: Për mua muzika është pjesë e natyrës. Ashtu si zogjtë ulen nëpër degë, edhe notat qëndrojnë në pentagram duke sjellë harmoninë e tingujve. 

Kristel: Notat e muzikës janë vetëm 7. Më pëlqen që vetëm me to krijohen tinguj pa fund, që dalin nga 4 telat e violinës time.



Çfarë ju pëlqen tjetër, përveç muzikës?

 

Klesta: Mua më pëlqen shumë kërcimi. U gëzova shumë kur mësova se bashkë me çmimin kemi fituar të drejtën për  të marrë pjesë në një kurs baleti pranë Qendrës Performancë.

Kristel: Mua më pëlqen të vizatoj dhe të lexoj libra me tregime. 



Klesta dhe Kristel ju jeni në një klasë. Mësoni bashkë, luani bashkë, bëni aktivitete të ndryshme bashkë...etj, si është të kesh një motër binjake?


Klesta: Është shumë bukur. Kristel është edhe shoqja ime më e ngushtë. Megjithëse jemi binjake, ne kemi natyra të ndryshme, të veçanta dalluese, të cilat na i njohin prindërit, mësueset dhe fëmijët.  

Kristel: Mami na thotë gjithnjë se ne kemi një zemër të madhe, e cila u nda në dysh kur erdhëm në jetë 8 vite më parë. Kështu që Klesta është gjysma ime.  Që kur kemi qenë të vogla na janë drejtuar si “binjake” për çdo gjë. Ndërsa tani na thonë “binjaket e harqeve”. Kjo gjë na pëlqen dhe na shtyn të provojmë pjesë të reja së bashku. 



Besojmë se këtë pyetje do jua kenë bërë shpesh, ashtu siç ndodh edhe me fëmijët e tjerë...çfarë keni dëshirë të bëheni kur të rriteni?


Klesta: Dua të bëhem violonçeliste e zonja si dhe të mësoj të gjitha instrumentet e tjera.

Kristel: Do të doja të isha edhe këngëtare.   



Si do t’i kaloni pushimet e kësaj vere?


Klesta: Ne sapo i kemi filluar pushimet pranë detit Jon.

Kristel: Na pëlqen që t’i kalojmë muajt e verës pranë detit, me shoqet dhe shokët e ngushtë që kemi në Orikum. 



Keni dëshirë t’i thoni diçka fëmijëve të tjerë ose bashkëmoshatarëve tuaj?


Klesta: Cilado që të jetë dëshira dhe ëndrra juaj, duhet të punoni fort që ta realizoni. 

Kristel: Të gjithë fëmijët janë të talentuar. Çdo njëri prej tyre mund të bëhet artist. I ftoj të na bashkohen në rrugën e artit.


Performanca e Klestës dhe Kristel nga e cila u shpallën fituese: 

Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,990 Lexime
4 vjet më parë