Kompetencat për nxënien gjatë gjithë jetës
Koncepti “shoqëri e hapur” dhe “globalizëm” shoqëruar dhe me zhvillimin intensiv të teknologjisë, ka theksuar nevojën për zhvillim kompetencash që sigurojnë të nxënët e vazhdueshëm.
Koncepti “shoqëri e hapur” dhe “globalizëm” shoqëruar dhe me zhvillimin intensiv të teknologjisë, ka theksuar nevojën për zhvillim kompetencash që sigurojnë të nxënët e vazhdueshëm. Referuar qëllimit të arsimit parauniversitar, pjesë e të cilit është arsimi parashkollor, kompetenca kyçe konsiderohen:
Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
Kompetenca e të menduarit;
Kompetenca e të mësuarit për të nxënë;
Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin;
Kompetenca personale (vetjake);
Kompetenca qytetare;
Kompetenca digjitale.
1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit
Fëmija parashkollor përgatitet të komunikojë në mënyrë efektive:
- Dëgjon dhe merr informacion për botën që e rrethon.
- Tregon aftësi në rritje, për të dëgjuar kur flasin të rriturit, bashkëmoshatarët ose fëmijët më të vegjël.
- Komunikon në gjuhën amtare, drejtshqipton tingujt, shkronjat dhe fjalët më të përdorshme.
- Shprehet me anë të simboleve, kodeve, shenjave dhe shprehjeve të tjera artistike.
- Shpreh tolerancë dhe empati në komunikim.
- Ua komunikon mendimet, ndjenjat apo ngjarjet që përjeton, të rriturve dhe fëmijëve të tjerë.
- Shpreh mendimin e vet, ku dhe kur duhet etj.
2. Kompetenca e të menduarit
Fëmija parashkollor zhvillon aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, krijuese dhe ndërvepruese:
- Vëzhgon, krahason dhe vlerëson ngjarje dhe veprime.
- Zgjidh situata të thjeshta problemore.
- Kërkon zgjidhje të shumëfishta për detyrat dhe problemet.
- Përdor simbole për të paraqitur objekte.
- Vlerëson dhe vetëvlerësohet.
- Krijon dhe “shpik” gjëra të reja.
- Mendohet para se të bëjë një punë a një detyrë.
- Zbulon lidhjet mes shkakut dhe pasojës.
- Kërkon ndihmë, kur ka nevojë.
- Mbron mendimin e vet.
3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë
Fëmija parashkollor përgatitet për të nxënë gjatë gjithë jetës:
- Tregon interes për të nxënë.
- Shfaq interes për të përjetuar përvoja të reja.
- Merr nisma në bashkëveprim me të tjerët.
- Tregon këmbëngulje për të marrë pjesë në veprimtari edhe nëse gjatë zhvillimit të tyre përballet me vështirësi.
- Përdor aftësitë krijuese dhe fantazinë në veprimtaritë e jetës së përditshme.
- Mëson nga përvojat vetjake dhe i përdor njohuritë e fituara në situata të reja.
- Mëson dhe shkëmben përvoja pozitive në grup, merr dhe mban përgjegjësi.
- Siguron mjetet, materialet dhe kohën para se të kryejë një detyrë.
- Përfundon një punë të nisur.
- Rishikon punët që bën, korrigjon gabimet dhe i përmirëson ato.
4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin
Fëmija parashkollor orientohet drejt së ardhmes dhe nxitet të përmbushë objektivat që i vë vetes:
- Paraqet mirë vetveten, duke vënë theksin në pikat e forta.
- Punon në mënyrë të pavarur dhe në grup.
- Organizon dhe udhëheq veprimtari të nxëni dhe shoqërore.
- Merr pjesë në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit.
- Diskuton me të tjerët për mjedisin që e rrethon.
- Zbaton në mënyrë të pavarur udhëzimet e dhëna.
5. Kompetenca personale (vetjake)
Fëmija parashkollor bën jetë të shëndetshme, përfshihet në mënyrë efektive në jetën familjare dhe shoqërore.
- Mban dhe zhvillon qëndrim pozitiv për veten, kupton se është unik dhe ndihet krenar për arritjet e tij.
- Shpreh dhe menaxhon në mënyrën e duhur sjelljen dhe emocionet.
- Shfaq aftësi vetëkontrolli në punë individuale dhe në grup.
- Shfaq vetëbesim gjatë veprimtarive të ndryshme.
- Ndihmon dhe shfaq empati për të tjerët.
- Bën zgjedhje të përgjegjshme për shëndetin vetjak.
- Mendohet para se të veprojë.
- Parashikon pasojat e një sjelljeje të caktuar.
- Respekton punën e vet dhe të të tjerëve.
6. Kompetenca qytetare
Fëmija parashkollor përkushtohet ndaj të mirës së përbashkët dhe përgatitet të veprojë si qytetar i përgjegjshëm.
- Demonstron njohuri për komunitetin, ndërvarësinë midis njerëzve, roleve të ndryshme sociale dhe përgjegjësinë qytetare.
- Kupton rolet në familje dhe përgjegjësitë e anëtarëve të saj.
- Ndërvepron lehtësisht me të rriturit që njeh.
- Bashkëpunon me bashkëmoshatarët.
- Kupton sjellje të ndryshme dhe ndikimin e tyre (pozitiv dhe negativ).
- Përshtatet në mjedise të ndryshme.
- Shfaq empati përkundrejt të tjerëve.
- Mirëkupton dhe respekton dallimet ndërmjet njerëzve.
- Pranon të tjerët.
7. Kompetenca digjitale
Fëmija parashkollor fiton shkathtësitë e para të përdorimit të kompjuterit, për ta përdorur atë për qëllime personale.
- Përdor në mënyrë të përshtatshme disa pajisje teknologjike dhe tregon ndikimin e tyre në jetën e përditshme.
- Realizon vetë vizatime dhe punime të thjeshta në kompjuter.
(Portali Shkollor)
Udhëzues metodik për librin “9 miqtë e mi”
Orë model me fëmijët e çerdhes 24
“Dua të bëhem mjek”