Këshillim për arsimim dhe karrierë, hapet zyra e parë në Tiranë
Në Tiranë është inauguruar qendra e parë e këshillimit të karrierës, e cila ndihmon të rinjtë e të rejat në vendimet e tyre lidhur me profesionin dhe arsimin, si edhe të rriturit që kërkojnë punë.
Janë të shumtë ata që mundohen nga pyetja se çfarë profesioni do të zgjedhin ose çfarë karriere do të ndërtojnë. Në kushtet kur shumë të rinj mbarojnë një shkollë dhe punësohen në sektorë, që nuk kanë lidhje me diplomën, atëherë, diçka ka munguar.
Zyra e Këshillimit të Karrierës Bashkia Tiranë, ofron një shërbim të ri për të rinjtë e të rejat dhe komunitetin më gjerë.
Ajo do të shërbejë për të informuar dhe këshilluar të rinjtë e të rriturit në vendimet e tyre lidhur me profesionin dhe arsimin.
Nën Kryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti dhe Ambasadori i Zvicrës Adrian Maître ishin të parët që vizituan qendrën në ditën e saj të hapjes. Shërbimet e qendrës ndjekin modelin zviceran të qendrave të karrierës, të përshtatura sipas kontekstit të Shqipërisë dhe nevojave të të rinjve e të rejave në vend.
“Këshillimi për karrierë sjell një përfitim të dyfishtë: Së pari, të rinjtë e të rejat përfitojnë nga një vendimmarrje e mirë-informuar për karrierën, çka sjell mirëqenien e tyre shoqërore, financiare dhe emocionale. Së dyti, punëdhënësit përfitojnë nga të rinj më të mirë-informuar dhe të mirëkualifikuar, që hyjnë në tregun e punës. Për këtë arsye, jam i lumtur që projekti zviceran i punësimit të të rinjve RisiAlbania po bashkëpunon me Bashkinë e Tiranës për të ofruar shërbime të këshillimit të karrierës. Ju uroj suksese për funksionimin dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të kësaj qendre, në të mirë të të rinjve të këtij vendi dhe kryeqytetit të tij”, tha Ambasadori Zviceran Adrian Maître.
“Jemi shumë të lumtur që hapim sot këtë zyrë e cila është jo vetëm e para në Shqipëri, por dhe ne rajon. Gjithmonë e më shumë karriera po fokusohet drejt fushave inovative, drejt asaj që do të jetë trendi i 100 viteve të ardhshme dhe ne do të donim t’i paraprinim këtij zhvillimi duke i ndihmuar të rinjtë në orientimin e tyre. Përmes portalit karriera.tirana.al, të rinjtë do të mund të aksesojnë gjithçka që kjo zyrë ofron”, u shpreh nën-kryetarja e bashkisë Tiranë, Anisa Ruseti.
Zyra do të bashkëpunojë me institucionet publike, bizneset dhe shoqatat e të rinjve për të rritur në mënyrë të vazhdueshme cilësinë e shërbimit. Grup mosha të ndryshme do të marrin shërbime të specializuara: edukim për karrierë për nxënësit para universitar, këshillim në grup dhe në mënyrë individuale dhe trajnim për zhvillimin e karrierës për të rinjtë dhe të rriturit e interesuar.
Këshilluesit që punojnë në qendër janë trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare profesionale dhe shkëmbimeve me homologët zviceranë. Zyra do të përdorë mjete bashkëkohore për të eksploruar fushat e karrierës me interes për punë kërkuesit, për të analizuar nevojat e tyre për këshillim dhe orientim, si edhe për të identifikuar vështirësitë që hasin të rinjtë e të rejat dhe të rriturit në marrjen e vendimeve gjatë udhëtimit të tyre profesional.
Gjithashtu, qendra ofron vet-shërbim online. Faqja e internetit www.karriera.tirana.al ofron informacion dhe mjetet për këshillim karriere, si edhe informacion për mundësi arsimimi dhe trajnimi, praktika profesionale dhe vende pune.
Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani