Kërcimi, një lëndë interesante në arsimin fillor
Nuk ka gjë më të bukur që nxënësi, përveç shkencës dhe lëndëve shoqërore të integrohet në artin e të kërcyerit si një balerin i vërtetë apo valltar i lindur. Kërcimi mund të përkufizohet si arti i organizimit të lëvizjeve për të shprehur dhe komunikuar.
Nuk ka gjë më të bukur që nxënësi, përveç shkencës dhe lëndëve shoqërore të integrohet në artin e të kërcyerit si një balerin i vërtetë apo valltar i lindur.
Fusha e arteve është pjesë e rëndësishme e kurrikulës, në të cilën përfshihen aspekte të kulturës materiale, shpirtërore, artistike, intelektuale dhe emocionale, ku ndërveprojnë kultura dhe shoqëria. Mësimi i arteve u afron nxënësve mundësi për të zhvilluar njohuritë artistike përmes kuptimit të tyre nëpërmjet mjeteve shprehëse si: tingujve, ngjyrave, fjalës, lëvizjeve, të cilat mësohen, formohen dhe zhvillohen përmes teknikave dhe proceseve artistike, nëpërmjet praktikës artistike, nxitjes konkrete mësuarit konkrettë, artit gjatë procesit mësimor në shkollë dhe në jetën e përditshme.
Kërcimi mund të përkufizohet si arti i përdorimit dhe i organizimit të lëvizjeve për të shprehur, komunikuar dhe krijuar. Kërcimi, si një prej disiplinave artistike brenda arteve, kërkon që ta pajisë individin me shprehitë dhe gjuhën e larmishme të lëvizjes së ngritur në art. Kërcimi i lejon njerëzit të shprehin, të komunikojnë e të kuptojnë idetë dhe ndjenjat në një mënyrë të veçantë. Kjo disiplinë i krijon mundësinë individit të krijojë marrëdhënie me veten dhe ambientin që i rrethon duke përdorur imagjinatën, intuitën dhe krijimtarinë sepse kërcimi është një mjet efikas për subjektivizmin individual dhe shoqëror. Kërcimi e përçon mesazhin e tij nëpërmjet ndjesive dhe emocioneve që ndien kërcimtari dhe ato që ndien publiku. Trupi, shqisat, ndjenjat dhe mendja janë të ndërthurura me njëra-tjetrën te një kërcimtar. Kjo ndërlidhje komplekse e bën kërcimin një përvojë unike. Me anë të mësimit të kërcimit, nxënësi ndjen magjinë dhe përsosmërinë e kërcimit. Kërcimi i lejon njerëzit të shprehin, të komunikojnë e të kuptojnë idetë dhe ndjenjat në një mënyrë të veçantë.
Njohja me kërcimin është një vlerë e rëndësishme për të mundësuar zhvillimin e personalitetit të nxënësve, zhvillimin e aftësive të tyre për të punuar në mënyrë të pavarur e sistematike si dhe për të menduar në mënyrë krijuese dhe kritike. Mësimi i kërcimit zhvillon forcën krijuese te nxënësi duke i dhënë atij fjalorin dhe principet kryesore të lëvizjeve të trupit të njeriut. Nxënësit përdorin lëvizjet e ndryshme si një mjet për të komunikuar dhe për të shprehur ide të ndryshme. Duke qenë se trupi është instrumenti kryesor i kërcimit, nxënësit njohin dhe mësojnë gjithashtu se si funksionon trupi i njeriut, duke mësuar emrat e pjesëve të trupit dhe se si ai do t’u shërbejë në kërcim. Ata zbulojnë se çfarë është e mundur të bëjnë me trupin e tyre në nivele të ndryshme. Duke krijuar kërcimet e tyre, nxënësit aktivizohen në procesin krijues dhe kanë mundësi të përdorin shumë elementë nga lëvizjet dhe teknika e kërcimit. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është mundësia që kanë nxënësit për të zgjeruar njohuritë e tyre të përgjithshme kulturore nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me kërcimet e kulturave të ndryshme. Kërcimi integrohet me të gjitha lëndët e tjera brenda fushës së arteve dhe fushat e tjera të kurrikulës, si dhe me temat ndërkurrikulare me qëllim që të zotërohen sa më mirë kompetencat kyçe. Një lidhje të ngushtë kërcimi e ka lidhjen me artin e bukur të muzikës.
KUJT I SHËRBEN
• Mësuesit, për planifikimin, realizimin dhe vlerësimin e veprimtarisë mësimore dhe arritjet e nxënësve në klasë dhe jashtë saj.
• Prindit, për njohjen e rezultateve të pritshme të fëmijëve dhe kriteret e vlerësimit në periudha të caktuara,
• Hartuesit të teksteve mësimore dhe të materialeve ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit.
• Programi i kërcimit ka në thelbin të tij krijimin e kushteve për ndërtimin e kompetencave të lëndës si dhe të kompetencave kyçe që lidhen me to. Realizimi i temave ndërkurrikulare nëpërmjet lëndës së kërcimit, është një komponent i rëndësishëm i programit për kontributin e kërcimit dhe të gjitha arteve të tjera që përbëjnë fushën e arteve, në shoqëri dhe në jetën e përditshme. Në program, gjithashtu, përshkruhet lidhja e kërcimit me fushat e tjera, në mënyrë që kurrikula e arsimit bazë të shihet si një e tërë për realizimin e qëllimit kryesor të formimit të nxënësve. Programi përmban 3 tematika të cilat krijojnë kushte që nxënësi të ndërtojë dhe zbatojë njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat, në funksion të kompetencave të lëndës dhe kompetencave kyçe. Në program paraqiten edhe koha mësimore për secilën tematikë, që ndryshon nga klasa në klasë. Përdorimi i metodologjive efikase në mësimdhënien e kërcimit është kusht parësor për zbatimin e programit, për arritjen e kompetencave nga ana e nxënësve, duke i dhënë secilit mundësinë të shfaqë dhe të zhvillojë potencialin artistik që zotëron brenda vetes. Në këtë program vlerësimi i nxënësve, është komponent thelbësor për përmirësimin e arritjeve të nxënësve dhe procesit të të nxënit. Programi i kërcimit, nga pikëpamja e organizimit të materialit, prezantohet sipas përmbajtjes së mëposhtme:
• Programi i kërcimit, nëpërmjet përmbajtjes të përcaktuar sipas tematikave, ka si qëllim, zhvillimin e njohurive dhe koncepteve bazë për formimin artistik në kërcim, zhvillimin e inteligjencës kinetike përmes kërcimit; krijimin e mundësive për t’u shprehur dhe për të komunikuar me anë të trupit; të menduarit kritik dhe krijues, zhvillimin personal, intelektual, social dhe kulturor të nxënësve, kuptimin e vetes së tyre duke zbuluar identitetin, vlerat dhe besimet, qofshin këto personale, etnike, gjinore apo shoqërore; fitimin e vetëbesimit dhe të vetëvlerësimit, të nevojshme këto për të shpalosur veten në shumë fusha të tjera; mësimin e kërcimeve kombëtare dhe të kulturave të ndryshme, duke ndihmuar nxënësit për të mirëkuptuar dhe respektuar kultura të ndryshme, nga periudha dhe kontekste të ndryshme kulturore dhe historike, përfshirjen në veprimtari artistike tradicionale, duke manifestuar vlerat e kërcimit kombëtare si pjesë e pandashme e vlerave të artit shqiptar, pjesëmarrjen në jetën kulturore të klasës, shkollës, komunitetit, duke i vënë në shërbim të mjedisit ku jeton aftësitë dhe talentin e vet, ndërveprimin në mënyrë sociale, kulturore dhe intelektuale me grupe të ndryshme kulturore apo etnike, zhvillimin e kompetencave në kërcim për të krijuar dhe realizuar lëvizje, kërcime dhe lojëra kërcyese - muzikore, dhënien e kontributit personal në zhvillimet artistike në nivel lokal, kombëtar dhe më gjerë
KOMPETENCA E FUSHËS DHE LIDHJA E TYRE ME KOMPETENCAT KYÇE
• Ndërtimi dhe zbatimi i kompetencave kyçe nga nxënësit gjatë procesit të mësimdhënies dhe nxënies, kërkon që mësuesi të mbajë parasysh lidhjen e kompetencave kyçe, me kompetencat e lëndës për secilën shkallë. Për të realizuar në praktikë këtë lidhje, mësuesi duhet të përzgjedhë situatat, veprimtaritë, metodat dhe mjetet e përshtatshme të procesit të të nxënit. Kompetenca përcaktohet si integrim i njohurive, shkathtësive dhe qëndrimeve që një nxënës duhet t’i fitojë gjatë procesit të nxënies. Organizimi i mësimit të kërcimit me bazë kompetencat përqendrohet në atë që nxënësi duhet të dijë, të bëjë saktë dhe të shpjegojë pse e bën. Kur nxënësi realizon kompetencat e kërcimit, ai njëkohësisht është duke zhvilluar edhe kompetencat kyçe. Psh.: kompetenca e kërcimit “Interpretimi i lëvizjeve dhe kërcimeve” përfshin shumë teknika të ndryshme të kërcimit, kërcime nga e tashmja dhe e shkuara apo njohjen e elementeve të ndryshëm të kërcimit të cilat fëmijët mund t’i përdorin ato në jetën e përditshme. Rezultatet e të nxënit të kompetencave në kërcim pasqyrojnë të njëjtën qasje me rezultatet e të nxënit të kompetencave kyçe në këndvështrimin e përshtatshmërisë në jetë, shoqëri dhe punë.
• Në zhvillimin e kompetencave të kërcimit, nxënësi gjithashtu, zhvillon kompetencat kyçe në lidhje me krijimtarinë, interpretimin, vlerësimin e kërcimit, përpunimin e informacionit për kërcimin, prezantimin e detyrave të zhvilluara, punën në grup, komunikimin efektiv etj. Për të realizuar lidhjen e kompetencave kyçe me kompetencat e lëndës së kërcimit mësuesi ndjek këto hapa:
• përzgjedh rezultatin/et e të nxënit për kompetencat kyçe që synon të arrijë nxënësi në shkallën përkatëse;
• zbërthen në rezultate të nxëni për kompetenca kyçe për secilin vit mësimor rezultatin/et e të nxënit për shkallë, për kompetencat kyçe;
• përzgjedh rezultatin/et e të nxënit për shkallë për kompetencat e lëndës së kërcimit që synon të arrijë nxënësi;
• zbërthen në rezultate të nxëni për kompetencat e lëndës së kërcimit për vit mësimor, rezultatin/et e të nxënit për shkallë; - përzgjedh përmbajtjen/et mësimore, mjetet didaktike, metodologjinë e mësimdhënies, përmes të cilave realizon rezultatet e të nxënit të kompetencave të kërcimit në një vit mësimor, si dhe rezultatet e të nxënit për kompetencat kyç në një vit mësimor;
• planifikon mësimdhënien duke përfshirë periudhën kohore gjatë së cilës do t’i arrijë rezultatet e të nxënit brenda vitit shkollor;
• kryen analiza dhe vlerësime të ecurisë së nxënësve pas realizimit të orëve mësimore, detyrave, projekteve, për të verifikuar arritjet e rezultateve të të nxënit për vit mësimor dhe shkallë për lëndën e kërcimit.
KOMPETENCAT
• Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit
• Merr pjesë në veprimtaritë artistike.
• Kupton mesazhet që u drejtohen.
• Shprehet në mënyrë të përshtatshme me anë të gjuhëve, simboleve, shenjave, kodeve dhe formave të kërcimit.
• Komunikon efektivisht dhe shfrytëzojnë në mënyrë të pavarur, kritike dhe krijuese mundësitë e të shprehurit.
• Kompetenca e të menduarit
• Mendon në mënyrë krijuese
• Merr dhe përpunon njohuritë në mënyrë të pavarur, krijuese dhe me përgjegjësi.
• Zhvillon aftësitë për të menduar në mënyrë kritike, krijuese dhe ndërvepruese.
• Ndjek udhëzimet për të realizuar një krijim apo veprimtari.
• Kompetenca e të mësuarit për të nxënë
• Përzgjedh mjetet për të realizuar një kërcim.
• Përdor burime të ndryshme për të realizuar një kërcim
• Zgjidh në mënyrë të pavarur detyrën e dhënë.
• Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin
• Ndërrmer nisma për të zhvilluar aktivitete artistike brenda dhe jashtë klasës, duke kontribuar në mënyrë krijuese.
• Kompetenca personale
• Zhvillon besimin tek vetja gjatë krijimit të një kërcimi.
• Respekton punën e vet dhe të të tjerëve
• Bashkëpunon me të tjerët pamvarësisht kulturës, aftësive dhe nevojave brenda dhe jashtë shkollës për një qëllim të përbashkët
• Kompetenca qytetare
• Diskuton dhe bashkëpunon me të tjerët për çështje të ndryshme kulturore. • Zbaton rregullat e teknikave të lëvizjes së trupit, elementeve teknik, të krijimit.
• Kompetenca digjitale
• Njeh dhe përdor mjetet magnetofon, audio, video CD, DVD etj.
SI MUND TA LIDHIM ME TEMAT NDËRKURRIKULARE
• Temat ndërkurrikulare janë tema madhore, me të cilat përballet shoqëria tani dhe në të ardhmen. Qasjet ndërlëndore në këtë lëndë nënkuptojnë marrëdhënien reciproke midis 2 ose më shumë lëndëve brenda një fushe apo edhe me fusha të tjera të të nxënit. Edhe kërcimi është i lidhur me lëndët brenda saj dhe me lëndë të tjera. Në shqyrtimin e temave ndërkurrikuare:
• Identiteti kombëtar dhe njohja e kulturave;
• trashëgimia kulturore;
• bashkëjetesa paqësore, nxënësi kontribuon përmes aktiviteteve artistike, duke shpalosur vlerat e kulturës së vet, duke respektuar dhe promovuar vlerat e kulturave të tjera, duke bashkëpunuar vetëm dhe në grup në aktivitete të ndryshme, duke dhënë kontributin e vet, duke dhënë zgjidhje situatave dhe problemeve të ndryshme artistike, duke përdorur gjuhë të saktë artistike për të komunikuar vlera dhe qëndrime, duke shpjeguar teknika dhe lëvizje të ndryshme kërcimi që lidhen dhe me lëndë të tjera që ata mësojnë;
• Në arsimin fillor, mësuesit përmes mësimit të përmbajtjeve mësimore, u japin mundësinë nxënësve të konsolidojnë përvojat me të cilat ato vijnë dhe kanë, duke i pasuruar dhe vendosur ato në një rrugë të drejtë dhe të saktë. Nxënësi mëson të komunikojë dhe shprehet përmes gjuhës artistike të kërcimit, për të krijuar ide të ndryshme gjatë kërcimit, duke eksperimentuar dhe zhvilluar më tej idetë e veta artistike, duke organizuar krijimin e vet, sipas elementeve dhe gjuhës së kërcimit. Nxënësi fillon të familjarizohet me lëvizjet e ndryshme të kërcimeve që janë mjaft të njohura për të, duke zbatuar teknika të ndryshme të lëvizjes, duke respektuar rregullat e kërcimit, duke ndarë përvojat e veta performuese të kërcimeve me të tjerë dhe interpretuar në mënyrë artistike. Nxënësi analizon për kërcime të ndryshme, duke shpjeguar kuptimin e lëvizjeve në kërcime dhe duke bërë një gjykim kritik dhe estetik;
• Kërcimi është i lidhur me lëndët brenda saj, por edhe me fusha të tjera të nxëni në kurrikul. Kështu kërcimi dhe elementet e saj, si: hapësira, ritmi, lëvizja, dinamika, tempi etj. lidhen shumë mirë me disiplinat e tjera artistike brenda fushës së arteve, muzikën, artin pamor, teatrin, por edhe me matematikën, fizikën, shkencat shoqërore etj. Disa lidhje ndërlëndore të kërcimit me fusha të tjera janë:
FUSHAT KURRIKULARE
• GJUHËT DHE KOMUNIKIMI
• - Leximi dhe shkrimi i të dhënave koreografike.
• - Të kuptuarit e problemit apo situatës.
• - Përkthimi i njohurive artistike.
• - Mbrojtja e një argumenti apo hedhja poshtë e tij.
• MATEMATIKA
• - Numrat – numërimi i hapave, lëvizjeve.
• - Respektimi i figurave në kërcim dhe hapësirë.
• - Hapësirë e barabartë.
• SHKENCAT E NATYRËS
• - Karakteristikat e tingujve .
• - Forca e trupit.
• - Forca e rëndesës.
• MATEMATIKA
• - Numra
• – numërimi i hapave, lëvizjeve.
• - Respektimi i figurave në kërcim dhe hapësirë.
• - Hapësirë e barabartë.
• TEKNOLOGJIA DHE TIK
• - Mbledhja e informacionit nëpërmjet internetit.
• - Organizimi dhe përpunimi i informacionit.
• - Analiza dhe interpretimi i informacionit.
• - Paraqitja dhe prezantimi i tyre.
• EDUKIMI FIZIK, SPORTET DHE SHËNDETI
• - Ecja marsh
• - Ritmi - Hapi – Kërcimi
KOMPETENCAT E LËNDËS
• Kompetencat e lëndës dhe tematikat e saj bazuar në këtë kurrikul, lënda e kërcimit synon të përmbushë 3 kompetencat e lëndës, të cilat lidhen me kompetencat kyçe që një nxënës duhet të zotërojë gjatë jetës së tij dhe që arrihen nëpërmjet 3 tematikave kryesore.
• Kompetencat e lëndës:
• Kompetenca 1:
• - Krijimi nëpërmjet lëvizjeve
• Kompetenca 2:
• - Performimi/interpretimi i lëvizjeve dhe kërcimeve
• Kompetenca muzikore 3:
• - Vlerësimi i lëvizjeve dhe kërcimeve
• Tematikës e lëndës:
• Tematika 1:
• -Gjuha dhe komunikimi i kërcimit
• Tematika 2:
• -Teknikat dhe proceset e kërcimit
• Tematika 3:
• -Historia, kërcimi dhe shoqëria
NXËNIA
• Përdorimi i metodologjive efikase në procesin e të nxënit të kërcimit është kusht për rritjen e cilësisë së arritjeve nga ana e nxënësve, duke i dhënë secilit mundësinë të shfaqë dhe të zhvillojë potencialin artistik që zotëron brenda vetes. Organizimi i mirë i procesit të mësimit të kërcimit do të thotë që nxënësit të vendosen në situata konkrete dhe praktike artistike, ku ata përjetojnë dhe mësojnë elementët dhe rregullat e kërcimit. Mësimdhënia e kërcimit, për nga vetë natyra, nënkupton një veprimtari emocionale dhe fizike jo gjithmonë të vetëdijshme për nxënësit e kësaj grupmoshe. Çdo përmbajtje dhe veprimtari mësimore e kërcimit, është e pëlqyeshme dhe krijon emocione, kur nxënësit,të cilët drejtohen drejt një veprimtarie në mënyrë të vetëdijshme, çka u mundëson atyre shprehjen e potencialit të tyre intelektual/artistik në shumë aspekte. Mësimdhënia e kërcimit, synon gjithë përfshirjen, motivimin, barazinë në të gjitha aspektet dhe bazohet në mësimdhënien e nxënien bazuar në kompetenca; mësimdhënien me në qendër nxënësin dhe mësimdhënien e nxënien e integruar. Nxënësit e një klase janë të ndryshëm, për sa i përket mënyrës se si ata nxënë: individualisht, në grup, nën udhëheqjen e mësuesit,të pavarur, me anë të mjeteve konkrete etj. Planifikimi dhe përzgjedhja e metodave të mësimdhënies në mësimin e kërcimit mban parasysh:
• kompetencat kryesore të të nxënit të kërcimit;
• lidhjen konceptuale, ruajtjen e koherencës vertikale të njohurive e aftësive në kuptimin që ndërtimi i çdo njohurie dhe edukimi i çdo aftësie mbështeten në ato të mëparshmet;
• formimin dhe forcimin e aftësive bazë të lëvizjes;
• rëndësinë e zbatimeve praktike të kërcimit, brenda dhe jashtë klasës, të cilat lidhin konceptet e kërcimit me situata të jetës reale;
SI MUND TA VLERËSOJMË NXËNËSIN?
• Në përputhje me parimet e qasjes së të nxënit bazuar në kompetenca, vlerësimi konsiderohet si element i mësimdhënies,i cili përqendrohet në nivelin e arritjes së kompetencave. Informacioni i siguruar nga vlerësimi,i ndihmon mësuesit të kuptojnë anët e dobëta dhe anët e forta të nxënësve në përmbushjen e kompetencave,u jep mundësi të përmirësojnë mësimdhënien dhe të pajisin nxënësin me informacionin përkatës për progresin e tij. Sigurisht është i domosdoshëm edhe vlerësimi i përmbajtjes lidhur me zotërimin e njohurive dhe demonstrimin e aftësive në kërcim nëpërmjet treguesve të besueshëm për progresin e tyre (psh. Vet vlerësimi, interpretim i kërcimeve të karaktereve të ndryshme dhe lojërash kërcimore- muzikore, portofol me punë artistike, pjesëmarrja në një aktivitet artistik etj.) Vlerësimi përshkon gjithë procesin mësimor dhe i shërben përmirësimit të këtij procesi. Në kërcim, ndryshe nga lëndët e tjera, mbështetet në parimin e individualizimit, ku çdo nxënës posedon dhe zhvillon prirje të veçanta, duke u shprehur në mënyrë individuale. Inkurajimi, imagjinata, shprehja origjinale dhe krijuese, interesimi, përjetimi artistik, interpretimi dhe prezantimi i punëve koreografike janë forma, të cilat ndihmojnë në vlerësimin e punës krijuese të nxënësve në arte. Gjithashtu, pjesmarrja individuale dhe në grup, në aktivitetet artistike të ndryshme që organizohen në klasë, shkollë dhe në komunitet, janë pjesë e procesit të vlerësimit. Vlerësimi mbështetet tërësisht në rezultatet e të nxënit dhe objekt i vlerësimit janë krijimi i kompetencave të kërcimit të nxënësve, në përmes krijimit, performimit/interpretimit dhe vlerësimit artistik. Arritjet në fushën e kërcimit dhe të arteve janë më shumë individuale, prandaj duhet edhe të vlerësohen si të tilla. Kjo gjë bëhet në funksion të matjes së kompetencave artistike të caktuara, që arrin të zhvillojë nxënësi gjatë procesit mësimor, vetëm ose në grup, përmes veprimtarisë praktike, d.m.th., përmes të kërcyerit, realizimit teknik, të krijuarit, të analizuarit të lëvizjeve dhe kërcimeve etj. Nxënësit vlerësohen, ndërsa demonstrojnë arritjet nëpërmjet veprimtarive e produkteve të ndryshme.
ÇFARË MATERIALESH NA NEVOJITEN?
• Gjatë mësimit të kërcimit për realizimin e kompetencave, mësuesi përdor mjete didaktike dhe burime, të cilat nxënësi i prek, i shikon, i përdor, i dëgjon etj. Ai/ajo përdor mjete vizuale, teknologji të nevojshme, jep ndihma të veçanta, përshtat shembuj të ndryshëm, krijon ambiente për aktivitete alternative etj. Edhe teknologjia ka një ndikim të madh në kërcim duke ndihmuar nxënësit të eksplorojnë kërcime, lojëra kërcyese - muzikore, vepra të thjeshta koreografike, duke zhvilluar aftësitë e tyre në mësimin e tyre. Mësuesi përdor fjalë dhe fjali të qarta, të sakta, kuptimore dhe me një fjalor të saktë të gjuhës artistike koreografike. Mësuesi siguron qasje përmes materialeve të përshtatshme me moshën dhe mundësinë e nivelit të të mësuarit dhe ju prezanton/sqaron nxënësve përmbajtjet caktuara ose shkathtësitë që ata duhet të performojnë në kërcim. Kërcimi studiohet përmes njohjes dhe përdorimit të mjeteve, materialeve, teknikave e procedurave specifike të kërcimit, p.sh.: shikim të shfaqjeve për ndjekjen e pjesëve koreografike TV dhe DVD, për muzikën përdoren magnetofoni dhe CD. Përveç materialeve shfrytëzohen edhe burime mësimore si teksti shkollor, interneti etj. Disa nga mjetet më të përdorshme didaktike janë: Mjetet audio vizive si: TV, magnetofon, video, video-projektor, kompjuter, internet, CD, DVD. Mjetet verbale, tekstet si: libri i mësuesit, albume që mund të përdoren në shkollë dhe demonstruar vepra të ndryshme artistike. Këto burime duhet të diskutohen dhe vlerësohen nga stafi si një pjesë e planit të tyre për kërcimin.
(Florinda Palaj; Portali Shkollor)
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Detyrë klase: Dhoma ime