Pasuri kulturore

“K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e UNESCO-s

“K'cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO. Ky vallëzim festiv, simbol i identitetit kulturor të Tropojës,ruan traditat shekullore përmes muzikës, ritualeve dhe veshjeve tradicionale, duke promovuar pasurinë kulturore shqiptare globalisht.

Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K'cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.


 “K'cimi i Tropojës” është një tjetër elementi unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.


“K'cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës. 


Vallëzimi interpretohet në raste të ndryshme ceremoniale dhe shoqërore, si dasma, fejesa dhe festa lokale. Lëvizjet e tij ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet. Performancat shpesh përfshijnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë, duke ruajtur kështu autenticitetin e elementit.


“K'cimi i Tropojës” mbetet i gjallë përmes transmetimit brez pas brezi, si në kontekste spontane ashtu edhe përmes përfshirjes në kurrikulat arsimore lokale. Kjo siguron vazhdimësinë dhe zhvillimin e tij, duke e kthyer në një simbol kombëtar të identitetit kulturor shqiptar.


Përfshirja e “K'cimit të Tropojës” në listën prestigjioze të UNESCO-s ka nisur përmes nismës së Shoqatës “Kërcimi i Tropojës” në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Përgatitja e dosjes është realizuar me pjesëmarrjen e gjerë të ekspertëve dhe komunitetit lokal.


Dokumentimi dhe plotësimi i dosjes ka përfshirë hulumtime në terren, krijimin e një përshkrimi të detajuar të elementit, mbledhjen e materialeve arkivore dhe dëshmive nga komuniteti. 


Regjistrimi i këtij elementi në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s ndihmon në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e mbrojtur atë për brezat e ardhshëm. Ky është një hap tjetër i madh për Tropojën dhe për Shqipërinë, që dëshmon vlerën universale të traditave tona.



Postimi i plotë i Ministrit Blendi Gonxhja:

Lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare! 

“K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO!

Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Një trashëgimi që përçon ritmet, emocionet dhe identitetin tonë kombëtar, tashmë të njohur në nivel global si një thesar kulturor.

Një tjetër hap drejt lartësimit të vlerave kombëtare duke na bërë dhe me krenarë për vendin tonë!

Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet e tij sociale duke bashkëngjitur një video të “K’cimit të Tropojës”.


“MIRËMËNGJES, dhe me lajmin e bukur se “K’cimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, si edhe me kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës, ju uroj një ditë të mbarë“, shkruan Rama.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

184 Lexime
2 javë më parë