Hiparku

Katalogu i parë i yjeve, arritja më e madhe astronomike e Hiparkut?

Hiparku i ka kushtuar shumë kohë matjes së vendndodhjes së Tokës në raport me yjet. Rezultatet e këtyre matjeve kanë mundësuar një numër të madh llogaritjesh dhe zbulimesh.

Hiparku

Viti 190 – 125 p.e.s.


Kronologji

E dhëna më e rëndësishme për Hiparkun është viti 134 p.e.s., kur vuri re një yll të ri në yllësinë e Akrepit. Shumica e të dhënave për jetën e Hiparkut kanë arritur deri te ne nëpërmjet shënimeve të Ptolemeut. Pjesa më e madhe e veprave të tij burimore është zhdukur. Ka lindur në Nike, Bitini, në Turqinë e sotme, ku filloi të merret me vëzhgime astronomike. Për një kohë të gjatë qëndroi në Rodos, ndërsa më pak në Aleksandri.


Hiparku i ka kushtuar shumë kohë matjes së vendndodhjes së Tokës në raport me yjet. Rezultatet e këtyre matjeve kanë mundësuar një numër të madh llogaritjesh dhe zbulimesh.


Procesi i eukinoksit

Duke krahasuar rezultatet e vëzhgimeve të veta me ato të Timoharisit nga Aleksandria, të një shekulli e gjysmë më parë, si dhe me të dhënat edhe më të vjetra babilonase, Hiparku zbuloi dukurinë, të cilën sot e njohim si procesi i ekuinoksit. Ai zbuloi atë çast kohor në të cilin ndodh ky proces (dy herë në vit, ku dita dhe nata janë të barabarta), dhe nëse merren parasysh gabimet në vrojtimet e paraardhësve, planetët lëvizin ngadalë vazhdimisht nga lindja në perëndim, në krahasim me bazën e yjeve të palëvizshme. Duke llogaritur lëvizjen vjetore, ai përcaktoi vlerën prej rreth 46 (drita) sekonda, që është shumë afër me vlerën 50,26 sekonda dritë të marrë nga matjet bashkëkohore, duke pasur parasysh pajisjet që ai ka pasur në dispozicion.


Është njeriu i parë që ka përdorur konceptin e gjatësisë dhe gjerësisë në përshkrimet e vendndodhjeve gjeografike.


Nga toka në hënë

Në bazë të vëzhgimeve të veta, Hiparku arriti të përcaktonte shumë saktë kohëzgjatjen e një viti, duke nxjerrë një shifër, e cila ka një diferencë më pak se gjashtë minuta e gjysmë nga rezultatet e sotme. Ai ka arritur të përcaktojë me saktësi kohëzgjatjen e stinëve të vitit dhe kohën kur do të ndodhnin eklipset. Vështronte rrugën e paramenduar të Diellit dhe mundohej të bënte diçka të ngjashme me rrugën jashtëzakonisht të çrregulluar të Hënës. Edhe pse këtë e arriti deri-diku, përllogaritjet e tij nuk qenë tërësisht të sakta. Ai është munduar të përcaktonte madhësinë e Diellit dhe të Hënës, si dhe largësinë e tyre nga Toka, duke matur hijen e Tokës gjatë kohës së eklipsit. Edhe pse për këtë nuk ka qenë plotësisht i saktë, prapëseprapë ka nxjerrë vlerën prej 386 000 kilometrash për largësinë ndërmjet Hënës dhe Tokës, që i afrohet shumë vlerës së sotme.


Katalogu i yjeve

Ndoshta arritja më e madhe astronomike e Hiparkut është katalogu i parë i yjeve, të cilin e ka vizatuar përkundër paralajmërimeve të bashkëkohësve të tij, se do të akuzohej si i pafe. Thuhet se shtysa për ta bërë këtë ka qenë zbulimi i një ylli të ri, që e bëri të mendonte se yjet nuk janë të pandryshueshme, siç mendohej deri atëherë. Deri në fund të jetës regjistroi vendndodhjet e rreth 850 yjeve, që është një sukses i konsiderueshëm duke pasur parasysh kushtet e atëhershme. Veç kësaj, ai shpiku shkallën për përcaktimin e shkëlqimit të yjeve: nga më të dukshmet (shkalla e parë) deri tek më të zbehtat (shkalla e gjashtë). Edhe pse me përmirësime të konsiderueshme, ato shkallë përdoren ende sot.


Zhvillimi i trigonometrisë

Duke qenë se Hiparku po përparonte shpejt në astronomi, lindi nevoja që ai të bënte zbulime të reja edhe në fusha të tjera, si p.sh., në matematikë, në mënyrë që ta kishte më të lehtë punën për kryerjen e vëzhgimeve dhe llogaritjeve. Ndër to dallon krijimi i një varianti të hershëm të trigonometrisë. Pa e njohur konceptin e sinusit, i është dashur të krijojë një tabelë me kordat e rrethit, ku tregon raportin ndërmjet gjatësisë së kordës që bashkon dy pika të një rrethi, dhe këndit me qendër në rreth, përballë kordës.


Arritje të tjera

Edhe pse Hiparku konsiderohet si një nga astronomët më me ndikim të lashtësisë, zbulimet më të vlefshme ai i ka në fushën e matematikës dhe të gjeografisë. Gjeografi dhe astronomi Ptoleme e cilëson Hiparkun si paraardhësin e tij kryesor dhe e vlerëson më së shumti për matjet astronomike dhe katalogimin e yjeve. Por ai ka merita të padiskutueshme edhe si zbulues i njohur i trigonometrisë dhe qe njeriu i parë që dha pozicionet e disa vendeve në sipërfaqen e Tokës me anë të gjerësisë dhe gjatësisë gjeometrike. Rezultatet e veta mbi trigonometrinë i ka aplikuar në planetin ku po kryente vëzhgimet. Është shumë e rëndësishme, që në llogaritjet e veta matematikore largësia e vendeve në sipërfaqen e Tokës t’i shërbente konceptit të gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike. Si shumë arritje të tjera të Hiparkut, edhe ky zbulim mbetet i vlefshëm edhe në ditët tona.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

2,515 Lexime
6 vjet më parë