ESE

“Kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj”

Sjellim një ese që e ka shkruar një vajzë e re nga Kosova, Albina Osmani. Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga një organizatë joqeveritare dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.

Në këtë jetë të gjithë vijnë si fletë e bardhë! Ndoshta jeta nuk do ketë gjithmonë ngjyrat tona të preferuara… Nganjëherë do jetë vetëm bardh e zi sikur ekrani televiziv që dukej para 20 viteve. Pavarësisht si do reflektojnë ngjyrat në jetën tonë, unë besoj që askush nuk kemi ardhur gabim në këtë jetë, Zoti na krijoi për një arsye, e ç ‘është më e veçanta se të gjithë kemi ardhur në këtë jetë nga krijesa më e bukur që quhet grua.


Ti që më gjykon mua, zhveshe egoizmin nga vetja edhe nëse të ndjek nga mbrapa, injoroje. Në qoftë se për ty nuk jam më shumë se një ollog, atëherë je gabim! Unë mund të bëj aq sa bënë ti… pse jo edhe më shumë, por prapë mos më trajto keq! Nëse jam femër jeta ime dua të jetë më shumë se vetëm 15 vite, jam ende fëmijë që kam nevojë për kraharorin e nënës, jo për kraharorin e një bashkëshorti, kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj! Të njëjtën gjuhë flasim, të njëjtin ajër thithim, atëherë pse të mos bëhemi solidar. Të gjithë jemi njerëz me kokë, a mjafton kjo për të pirë njësojë gllënjka uji. A mjafton kjo që të më shikosh me një sy më pozitiv, të mos më shikosh ngjyrën e lëkurës, por ngjyrën e shpirtit! E di pse? Sepse askush nuk ka mundur ta kuptoj përmbajtjen e librit duke shikuar vetëm kopertinat e tij.


Sa shpesh them më vete se mos Zoti më dënojë në mënyrën më ç ‘njerëzore kur më solli në këtë planet të quajtur “Tokë” e sidomos në një vend të quajtur “Kosovë” ku mezi i lanë vend në hartën e botës, aty ku të jesh njeri do të thotë të kesh dy këmbë e dy duar pa ditur mirë rëndësinë e fjalës. Gjëja e vetme që në këtë botë kemi të përbashkët është shpresa! Më fal këtë nuk mund ta ndryshoj… Por prapë se prapë ndihuni të lirë nga kjo sepse shpresa ime dallon nga ajo juaja! Shpresa ime po bëhet ëndërr, ëndërr që të dal rrugëve e lirë pa dëgjuar njeri të më ofendoj e të më shikoj me neveri, të kapem dorë për dore më të gjithë fëmijët e tjerë e të largojë këtë mllef që po më ngulfat, të rri e qetë pa pritur ditën kur për pak para do largohem nga shtëpia… unë nuk jam objekt për t’u blerë as për t’u bërë lodra juaj, e as skllav i juaji. Në qoftë se ti si prind më sheh sikur një çamçakëz para syve tu, për të tjerët nuk do jem as mikrob, do jem një hiç! Nuk dua të jem e tillë, zemrën dhe mendjen vendosë në dyluftim se do ia dalë mbanë, por jo.


Diskriminimi ndaj meje është bërë përditshmëri e imja, nganjëherë vetmin bëjë miken time më të mirë, e bëjë mbretërinë time… më dëgjon në heshtje pa bërë zhurmë, më pëlqen ajo, është e vetmja që më kujton se do vij dita kur dheu do na mbuloj trupin, si timin të zi edhe tëndin të bardh! Përfundimi i të gjithëve do jetë njësoj… do bëhemi engjëj por atëherë do jemi engjëj pa ngjyrë!


ESE NGA ALBINA OSMANI


Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga një organizatë joqeveritare dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com




(Portali Shkollor) 

1,983 Lexime
4 vjet më parë