Ese

Kaltrina Spaho: Çfarë është letërsia për mua

Ese nga nxënësja e vitit të dytë Kaltrina Spaho, shkolla “Ernest Koliqi”. Me rastin e muajit të letërsisë gjimnazistja i ka kushtuar një shkrim pikërisht rëndësisë së letërsisë parë në botkuptimin e saj.

Ese nga Kaltrina Spaho              

Klasa: XI-3                   

Tetor 2021


Letërsia, është një bashkësi grimca smeraldi, që përfaqëson botën në gjithëpërfshirjen e saj. Ajo është vetë jeta në një kohëzgjatje të pavdekshme. Veprat letrare, që janë grimcat e kësaj bashkësie të pafundme, shërbejnë si busull për arsyetimin dhe perceptimin e jetës njerëzore. Qenia e personazheve të portretizuara në këto vepra është thelbësore, pasi shërbejnë si provë metafizike e ekzistencës së njerëzimit, sepse është fuqia e letërsisë, ajo që e zhduk nocionin për kufijtë e kohës.


Kjo pemë shumëvjeçare me emrin letërsi, ka lëshuar rrënjë aq të thella në historinë e njerëzimit, me degëzimet e shumëfishta të gjinive, me gjethet dhe lulëzat e panumërta të veprave, të fton në botën e saj ndjellëse dhe dehëse, ta mbush shpirtin me dituri dhe qytetari, të bën njeri më të mirë për shoqërinë, të pasuron dhe të përmbush. 


Nëse je duke lexuar një libër dhe kaplohesh nga ai, ti bëhesh personazh në të, iluminohesh e fisnikërohesh. Rrugëton dhe ti në kohë së bashku me të. Mëson të kaluarën e popullit tënd dhe të popujve të tjerë, përmes syve të heronjve të saj. Para teje shfaqet një Skënderbe, luftëtar trim, bujar dhe i virtytshëm, që lufton për lirinë e popullit të tij dhe ti ndihesh krenar për rrënjët e tua, për gjakun arbënor që të rrjedh në damarë. Mëson nga vjen dhe ku do të shkosh.


Përsiatjet në këtë rrugëtim mes kësaj morie smeraldesh, nuk kanë të sosur. Sa më shumë të zgjasë udhëtimi aq më shumë të duket sikur njëmendëson rreth jetës e botës, sepse e tillë është potenca e letërsisë. Në këtë udhëtim bëhesh një “prometean”, që lufton deri në vetëflijim për zjarrin feksës që i dhuron njerëzimit, apo një Medea sa vrasëse dhe hakmarrëse, po aq luftarake dhe e vendosur për të drejtat e saj, por edhe një Zhulietë e dlirë, që dashuron me zjarr e pasion, duke e ngritur në kult këtë ndjenjë të bukur njerëzore.


Por një udhëtim si ky është i pafundëm, nuk ka kurrfarë limiti të matshëm për lartësitë që mund të arrish. Bëhesh i pangopur për dije e njohuri, një etje e pashueshme të pushton. Ti je një dijës, pikërisht ashtu si Fausti, gjithmonë i trazuar prej njohurive të shumta që zotëronte dhe akoma më shumë prej atyre që s’kish mundur të zotëronte. Lexon një vepër dhe ti i shton edhe një smerald kurorës që ke vënë mbi kokë. Të duket vetja si një mbret a mbretëreshë, ku çdo gur i çmuar të ndriçon rrugën e jetës.


Dhe shkrimtari, një qënie e vdekshme, por që prapa lë gjurmë të përjetshme, shfaq reflektimet e shpirtit dhe botëkuptimit të tij e të realitetit të kohës në zbulimin dhe lëmimin e këtyre smeraldëve duke shpresuar të inspirojë, me anë të gërshetimit të botës shpirtërore me atë fiziken, të bukurës me të shëmtuarën, tragjikes me komiken dhe i bën ballë kohës duke i përkitur pakohësisë. Kështu, letërsia arrin të jetë kaq aktuale dhe të shfaqë madhështinë shpirtërore e sublime të njeriut. 


Dhe pavarësisht se sa shekuj kanë kaluar, a cilit komb i përket autori që e ka krijuar, çdo vepër ka treguar vlefshmërinë e saj në çdo epokë, duke i shërbyer kohës që jetojmë dhe asaj që do të vijë, sepse e tillë është letërsia: ajo ka origjinë, por nuk ka atdhe, ajo i përket të gjithëve. 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,405 Lexime
3 vjet më parë