Freskida Bibaj: Infermieria, profesioni im i së ardhmes
Kjo është një ese nga maturantja Freskida Bibaj, përmes së cilës ajo tregon arsyet se përse ka vendosur të kryejë studimet për infermieri pasi të përmbyllë gjithë ciklin e arsimit parauniversitar. E reja shkruan e vendosur pse ka bërë pikërisht këtë zgjedhje.
Lënda: Gjuhë shqipe
Klasa: XII-A
Shkolla: “Adem Haxhija”, Postribë
Punoi: Freskida Bibaj
Që kur isha e vogël kisha një dëshirë që të ndihmoja njerëzit. Në fëmijëri kisha pak frikë nga gjilpërat, por me kalimin e kohës u mësova me to. Lodrat e mia kishin të bënin gjithmonë me mjekësinë, filmat e preferuar me doktorë, veshja me grykëse të bardha e shumë të tjera. Infermieria tashmë ishte pjesë e jetës sime. Tashmë kam mundësinë që të ndjek ëndrrën time më të madhe dhe ta bëj realitet.
Ka njerëz që mendojnë se infermieria është vetëm bërja e një gjilpëre, por në fakt infermieria është shumë më tepër. Ajo është një art më vete. E jo kushdo është në gjendje të jetë një infermier i mirë. Më pyesin shpesh se pse dua të zgjedh infermierinë e unë natyrshëm u them se infermieria më zgjedh mua. Është një profesion fisnik dhe i bukur.
Fjala “infermiere” për mua përkthehet në humanizëm. Të bësh betimin, se do i shërbesh me sinqeritet dhe me një zemër të madhe dhe të sakrifikosh shumë, natën ta bësh ditë, dhe ditët me shi t’i kthesh në një agim ku dielli të shkëlqejë në ditët e vështira të njerëzve të cilët kanë nevojë për të. Një sakrificë e bukur plot krenari dhe kënaqësi teksa sheh pacientët e buzëqeshur mbas shërbimit të saj. Kam shumë për të folur për këtë profesion aq shumë sa duhen ditë dhe netë të gjata dimri.
Arsyeja pse e kam zgjedhur këtë profesion është se më pëlqen t’u shërbej pacientëve. T’u ofrosh shërbime shëndetësore njerëzve, nuk mendoj se është shumë e vështirë, do punë, angazhim, por e dua shumë prandaj dhe e kam zgjedhur. Infermieria është shumë e bukur, sepse ti ke mundësinë që t'i bësh njerëzit të ndihen mirë, ke mundësinë të shërosh pacientë. Po ashtu është shumë e rëndësishme që t'i bësh njerëzit të shpresojnë kur ato ndihen keq.
Nëse e ke në zemër dhe i përkushtohesh, mjekësia nuk është e vështirë. Kur të bëhem infermiere, do të kem mundësinë të lartësoj mendjen, shpirtin dhe trupin pacientëve tanë familjarëve dhe vetvetes. Mund të të harrojnë emrin por jo si i ke bërë të ndihen. Të gjithë së bashku mund ta bëjmë këtë vend të denjë për çdo infermier.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ese për Ismail Qemalin dhe Festat e Nëntorit
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj
Njihuni me Stivenin, nxënësin që çdo detyrë e shoqëron me vizatim