Shkrim filozofik

"Jeta!" - shkrim nga nxënësi Halit Trakanaku

Nxënësi Halit Trakanaku i cili këtë vit kalon në klasën e 11-të në shkollën “Sami Frashëri” Belsh, ndan me ne një shkrim të lirë filozofik mbi jetën. Ju ftojmë ta lexoni më poshtë.

Në këto çaste meditimi mora një laps e hodha në fletë të bardhë ato që më erdhën ndër mend… 


JETA është thjesht një fraksion kohe i shkurtër, e shpejtë, e pakapshme nga neuronet e njeriut dhe i vetmi avantazh është që ajo përdor efektin slow motion (lëvizje të ngadalta). Ajo është e egër në thelb, të përplas, të hedh nëpër shtigje e humnera të pafundme ku të duhet forcë që t’ia dalësh. Në një moment kur njeriu mediton, mendon për vitet që kanë kaluar, mendon për sekondat, orët që mbrapsht nuk kthehen e kur vetes ia shtron pyetjen: “Çfarë bëra në këtë kohë?”, e mërzitet kur përgjigja është një bashkësi Φ (fi- boshe)...dështim total. 


Sot njeriu helmon, godet, gjuan e vret vetëm prej egos së babëzitur të tij. Mos o njeri! Një fjalë e jotja vret breza të tërë, një veprim i yti shkakton dëme të pallogaritshme. Sot jeto për të thënë jetova me dinjitet, jeto që dheu të mos rendoj në fund, jeto duke shijuar të gjithë të mirat e kësaj ëndrre të quajtur botë! Sot njeriu yt të do, të përqafon atëherë kur sheh portofolin, dhe i huaji kur të sheh markën e bluzës ose orën e shtrenjtë në dorë. Jeta nuk është thjesht pasuri o njeri! Do të vij një moment kur videoja e jetës tuaj nuk mund të kthehet më mbrapsht. Mendo që këtë video ta mbushësh me lule e që të kënaqesh çdokënd që e sheh atë e që është krenar me ty. 


Mos urre! Urrejtja veç urrejtje shton! Kur mendon që të gjithë hallet e botës të kanë rënduar...mos u shqetëso, kjo është thjesht shenja që do të bëjë më të fortë të nesërmen, do të jetë shenja që do shpëtoj. Çdo gjë në këtë botë është kalimtare...durimi është parësor dhe çdo gjë që bën në dobi të asnjërit është humbje kohe pa të drejtë kthimi. 


Kjo është jeta, një sprovë për çdo njëri, një gënjeshtër, por ndryshe nga gënjeshtra klasike ajo i ka këmbët e gjata. Ajo është një mision që duhet përmbushur me dinjitet ashtu siç të ka hije dhe gjithmonë përpiqu të triumfosh! 

Atë mund ta përkufizoja si një kafshë të egër, të bukur, mbresëlënëse në paraqitje, por që dhëmbët t’i le nën mish e të ikin atëherë kur krimbat fillojnë të ushqehen. 

Dy fjalë për ta përfunduar: “Sot mos bëj keq, jeto i lumtur me qenien tënde, gëzohu me atë që ke sepse në fund nga dy metra katror e shumta mund të marri secili”…




Nga Halit Trakanaku

Nxënës i shkollës “Sami Frashëri” Belsh

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,845 Lexime
2 vjet më parë