I dua dy prindër si ju...
"Vlerësoji prindërit e tu. Ti nuk ke për ta ditur asnjëherë se çfarë sakrificash kanë bëra ata për ty". Një shkrim dedikuar prindërve, mirënjohja që vjen nga fëmija e tyre. Ja se çfarë shkruan vajza e tyre për ta.
I dua dy prindër si ju...
Çdo gjë që e keni sakrifikuar për mua, e kam në kokën dhe zemrën time.
Çdo prind e do fëmijën e vet, e mbështet në rrugëtimin e tij, mirëpo jo gjithkush është i aftë të vendosi fëmijën në rend të parë, duke i sakrifikuar interesat e veta. Por, ju e keni bërë këtë për mua dhe çdo vendim i juaji më ka përmirësuar.
I dua dy prindër si ju...
Për ju prindërit e mi..!
Ky shkrim është për ju të dy.
Po ndihem pak fajtore që me vonesë po shkruaj për ju, por sot mora guximin ta bëj. Sot që jam rritur, lotët po rrjedhin faqeve teksa lexoj të gjithë rreshtat që kam shkruar, dhe ato që po mundohem t'i shkruaj.
Sa shumë kam për t'ju thënë atyre që më dhanë jetën, atyre që sakrifikuan çdo gjë për vajzën e tyre.
Prindërit e mi, ju faleminderit shumë, për të gjitha ato që më mësuat, për të gjitha ato që mi dhuruat.
Faleminderit për tërë çfarë jeni. Jeni ju ata të cilët më keni këshilluar drejt asaj rruge, që ju së bashku me mua e konsideruam të drejtë.
Keni qenë ju ata të cilët keni dhënë, si dhe vazhdoni të jepni kontributin më të madh, drejt më të mirës së mundshme. Pa praninë tuaj unë sot do të isha e padukshme, sepse keni qenë ju ata që me keni çuar drejt destinacionit për të qenë një njeri i mirë, një vajzë e shkolluar, por mbi të gjitha të jem kjo që jam sot.
"Bashkëudhëtarët e rrugës sime!"
Unë kam ardhur në këtë jetë me të qarën e një fëmije që kërkoi strehë në krahët tuaj. Ju ma dhatë atë, më dhatë më tepër se aq, më dhatë familjen model.
Jeta është udhëtimi im më i gjatë, një lojë sfiduese e viteve dhe kohës, por jeni ju që më keni falur këtë jetë. Keni arritur të më mbështesni në çdo hap të jetës sime, më rritët me dashuri, përkujdesje por mbi të gjitha më rritët një njeri të mirë.
Çfarë do të isha unë pa ju?
Sot, po mund të përgjigjem!
Pa ju, do të isha një objekt, pa vlerë në një cep të rrugës, pa një familje mbi kokë, pa dikë që kujdesej për mua. Çdo hap që kam hedhur, dhe do vazhdoj të hedh në jetë, ju detyrohem juve.
Ndaj ndjej t'ju bëj ju krenarë për mua!
Këta jeni ju, pra prindërit e mi. Qenie të gabueshme, por me plot dashuri në zemrat tuaja.
E di se dashuria mes nesh është shumë e madhe, është nga ato dashuri të cilat nuk pakësohet nga peripecitë e jetës, por përkundrazi bëhet edhe më e fortë. Sot teksa vëzhgjoj flokët tuaj, paksa të thinjur, kuptoj se ato thinja nuk janë krijuar veçse nga koha dhe vitet, por kam kontribuar edhe unë, kokëfortësia ime, dëshirat e mia të panumërta. E di se unë jam drita e syve tuaj, por sot ju duhet ta kuptoni se jeni gjëja më e çmuar që jeta më ka falur.
I dua, i dua fort dy prindër si ju!
Faleminderit o të shtrenjtit e mi!
Ju jeni bashkëudhëtarët e rrugës time, dhe unë eci në hapat tuaj.
Bija juaj,
Marina Kërçeli
Përgatiti për publikim N.Allkja.Biçaku
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Të gjithë jemi të ndryshëm, por jemi të barabartë