Zhang Hengu

Hengu shpiku sizmografin e parë për matjen e tërmeteve

Zhangu, shkencëtari i zhdërvjelltë kinez në oborrin e dinastisë Han, ndër të tjera është marrë me astronomi, matematikë e letërsi, por, arritjet e tij më të mëdha janë në fushën e gjeografisë, frymëzuar nga detyra e tij si historian i oborrit mbretëror.

Zhang Hengu

78-139


Kronologji 

• Lindi në vitin 78 në Nan-Jang, Kinë.

• Në vitin 123 përmirëson kalendarin, duke e përshtatur me stinët e vitit.

• Në vitin 132 shpiku sizmografin e parë për matjen e tërmeteve.

• Në vitin 138 pajisja e Zhang Hengut detekton një tërmet në një largësi prej 500 kilometrash.


Shkencës perëndimore shpesh i atribuohen zbulime dhe shpikje, të cilat janë realizuar me qindra vjet përpara në qytetërime të tjera. Me siguri shkaqet për këtë janë mungesa e të dhënave të sakta, pamundësia e ndarjes së legjendave nga faktet, vështirësia në përcaktimin e meritave të një personi apo një grupi, dhe shpesh thjesht padija. Këto lloj justifikimesh nuk zënë vend kur bëhet fjalë për Zhang Hengun, jeta dhe vepra e të cilit njihet me hollësi dhe që shpikjen e vet më të rëndësishme e ka bërë 1700 vjet para se shkencëtarët europianë të “shpiknin” të njëjtën gjë.


Studimi i tokës

Zhangu, shkencëtari i zhdërvjelltë kinez në oborrin e dinastisë Han, ndër të tjera është marrë me astronomi, matematikë e letërsi, por, arritjet e tij më të mëdha janë në fushën e gjeografisë, frymëzuar nga detyra e tij si historian i oborrit mbretëror. Tërmetet në Kinë kanë qenë dukuri të shpeshta dhe Zhangut i duhej të shënonte se kur dhe ku kishin ndodhur. Ai nuk pajtohej me mendimin e vjetër se tërmetet ishin dënim i Zotit, por mendonte se si të grumbullonte të dhëna në mënyrë shkencore dhe të zbulonte një mënyrë për të parashikuar tërmetet, që sundimtari i vet të përgatitej për t’i përballuar më lehtë. Për këtë qëllim ndërtoi sizmografin e parë, pajisje së cilës i dha emrin Di Dong Ji, që do të thotë “pajisje që vëren lëkundjet e Tokës”.


Zhangu ndërtoi sizmografin e parë, të cilit i dha emrin Di Dong Ji, që do të thotë “pajisje që vëren lëkundjet e Tokës”.


Pajisja që vëren lëkundjet e tokës

Sizmografi i Zhangut ishte një pajisje shumë e madhe prej bronzi, me diametër gati dy metra. Në cilindrin e mesëm në njërin cep lidheshin tetë shkopinj të hollë prej bakri, kurse në anën tjetër të secilit shkop gjendej një kokë dragoi. Secila kokë shihte në drejtim të tetë anëve kryesore të horizontit (veri, veriperëndim, lindje, juglindje e kështu me radhë) dhe çdonjëra kishte në gojë një sferë bakri. Nën secilën kokë të dragoit gjendej një bretkosë me gojë të hapur. Kur Toka do të dridhej, sfera e bakrit nga goja më e afërt e dragoit do të binte në gojën e bretkosës dhe do të aktivizonte zilen, e cila do të lëshonte alarm në dhomat e mbretit. 


Legjenda thotë se në vitin 138, sfera prej bakri ra në anën perëndimore. Zhangu njoftoi mbretin, por askush nuk e besoi, pasi nuk kishte shenja tërmeti. Skeptikët filluan të dyshonin në aftësinë e Zhangut dhe në saktësinë e pajisjes së tij. Por, dy ditë më vonë, një kalorës solli lajmin për tërmetin e fuqishëm që kishte ndodhur pesëqind kilometra në perëndim dhe kështu Zhangu fitoi kënaqësinë e parashikimit të tij.


Vrojtimi i yjeve

Zhangu ishte një njeri me aftësi të veçanta përqendrimi, të cilat i shërbyen për t’u kthyer nga astronomia me sukses edhe më të jashtëzakonshëm. Gjatë vrojtimeve të veta ka konstatuar saktë se drita e Hënës vjen nga Dielli, dhe se errësimin e Hënës e shkakton Toka, kur kalon para Hënës me hijen e saj. Ai ka vizatuar me detaje shumë të sakta hartën e qiellit natën dhe ka vënë re ekzistencën e 124 yjësive me 2500 yje “me shkëlqim të madh”, prej të cilave 320 kanë pasur emra. Ka llogaritur se, bashkë me yjet “shumë të vogla”, ka gjithsej 11 520 yje.


Përpos kësaj, Zhangu ka shkruar shumë libra mbi astronominë, prej të cilëve më i njohuri është Lin Xian. Në librin tjetër, me titull Hun-i-chu, ka përshkruar qasjen e vet mbi gjithësinë dhe pozitën e Tokës në të. Ai shkruante: “Qielli ngjan me një vezë pule dhe është sferik si topi; Toka është si e verdha e vezës e vendosur në qendër. Qielli është i madh, kurse Toka e vogël.” Zhang Hengu, pra, ashtu si paraardhësit e tij grekë, ka besuar se Toka është sferike dhe se gjendet në mes të gjithësisë. Kjo e ka motivuar të bëjë modelin trepërmasor të gjithësisë: një sferë qiellore prej bronzi që rrotullohet me ndihmën e ujit. Gjatë një viti, koha e nevojshme për një rrotullim të plotë të sferës, tregon si ndryshon vendndodhja e yjeve.


Arritje të tjera

Edhe zbulimet e tjera të Zhangut kanë pasur domethënie revolucionare. Ai në vend të numrit 3, të cilin kinezët e kanë përdorur që nga lashtësia për p, ka futur:10 ose 3,163 që është shumë afër numrit 3,142 që përdoret sot. Zhangu, përpos kësaj, ka përllogaritur edhe kohën, duke bërë edhe korrigjimin e kalendarit kinez nga viti 123, të cilin e ka përshtatur me stinët e vitit. Është pranuar se sizmografi i Zhangut ka qenë mjaft i përparuar për kohën e vet. Këtë pajisje, deri në ditët e sotme, nuk ka arritur ta riprodhojë askush. Ai ka ndërtuar edhe “rrugëmatësin” e parë ose “tahografin”. Zhangu konsiderohet edhe si njëri nga katër piktorët më të mëdhenj të kohës së vet. Përpos të gjithave, ai ka shkruar edhe njëzet vepra të njohura letrare.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

2,986 Lexime
6 vjet më parë