Interneti

“Hapni sytë”, fushatë për sigurinë në internet

UNICEF-i në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, prezanton një fushatë të re të quajtur “Hapni sytë”, duke u përqendruar te fëmijët si përcjellësit më të mirë të mesazhit, për t’i dhënë fund dhunës në internet.

Në shkallë botërore, një në tre përdorues të internetit është fëmijë. UNICEF-i synon të shtojë zërat e adoleshentëve, për të ndihmuar në trajtimin e dhunës në internet, shfrytëzimit dhe abuzimit, si edhe për të garantuar që fëmijët gëzojnë përfitimet, që sjell interneti dhe përdorimi i celularëve. Fushata, do të prezantohet në shkollën “Ahmet Gashi” në Laprakë, Tiranë.

Edhe pse ka një mungesë të të dhënave të besueshme për abuzimin në internet; megjithatë raportet e shkurtra ekzistuese konfirmojnë praninë e pornografisë së fëmijëve dhe përdorimin online të materialeve të tilla. Shumica e prindërve në Shqipëri nuk dinë se si t’i mbrojnë fëmijët nga rreziqet e internetit dhe nuk janë të vetëdijshëm për mjetet e kontrollit prindëror siç është filtrimi i përmbajtjes. Për të trajtuar këtë shqetësim, është organizuar një fushatë ndërgjegjësimi për sigurinë në internet, e para e këtij lloji në Shqipëri, e cila ka si synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe ofrimin e informacionit për fëmijët, prindërit, mësuesit dhe ofruesit e shërbimeve për ta bërë internetin më të sigurt për fëmijët.

Fushata është hartuar nga një kompani komunikimi profesionale duke përdorur një kombinim kanalesh për mesazhe vizuale (spote TV, dritat e qytetit, dhe postera). Në konsultim me fëmijët në diskutime në fokus grupe u hartuan materiale për Informim, Edukim dhe Komunikim. Fushata do të zgjasë katër javë dhe do të mbulojë rreth 65-70 për qind të të rinjve në Shqipëri.

Fushata “Hapni sytë” u tregon fëmijëve: Po, ju do të përdorni internetin. Ju do të ndesheni me përmbajtje dhe sjellje që janë të rrezikshme. Kjo i ndodh çdokujt. Por, duke punuar së bashku dhe mbështetur njëri-tjetrin, ju mund të merreni me këto çështje në një mënyrë më të sigurt dhe të shëndetshme. Kur ne ndihmojmë njëri-tjetrin të gjejë mënyrat e duhura për të reaguar, ne mund të përcjellim një mesazh real.

“Fëmijët janë pjesë e rëndësishme e zgjidhjes, kur trajtojmë shfrytëzimin dhe abuzimin seksual në internet. UNICEF-i po u bën thirrje qeverisë, sektorit Telekomunikacionit, prindërve dhe mësuesve të dëgjojnë fëmijët dhe të forcojnë dialogun nëpërmjet konsultimeve direkte ose kërkimeve, si edhe të integrojnë mendimet e tyre në politika, strategji dhe programe që janë hartuar për të trajtuar abuzimin dhe shfrytëzimin seksual në internet të fëmijës”, -tha Antonella Scolamiero, Përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri.

“Qeveria britanike beson se siguria në internet është e rëndësishme. Ne kemi financuar 10 milionë paund për UNICEF-in që të organizojë këtë fushatë në mbarë botën. Mbretëria e Bashkuar është krenare për të udhëhequr Aleancën Globale “Ne Mbrojmë” për trajtimin e shfrytëzimin në internet të fëmijës, duke hedhur bazat e një pune të mirë të bërë deri më tani”, -tha Duncan Norman, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

Në vitin 2012, Komiteti i Konventës për të Drejtat e Fëmijës shprehu shqetësimin e tij për mungesën e një sistemi efikas për të mbrojtur fëmijët nga imazhet dhe informacioni i dëmshëm që lidhet me dhunën, racizmin dhe pornografinë, si edhe për të parandaluar aksesin në informacione të pasigurta për fëmijët në Shqipëri.

Që prej asaj kohe, si rezultat i grantit të qeverisë britanike dhe përpjekjeve të UNICEF-it për advokaci, në vitin 2016 u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga katër Ministri (Ministria e mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë) dhe u hartua një Plan Kombëtar Veprimi, për sigurinë e fëmijëve në internet që pasoi Samitin e Abu Dhabit, për Shfrytëzimin dhe Abuzimin Seksual të Fëmijëve në Internet.

Këto përpjekje rezultuan në prezantimin e platformës së parë online në Shqipëri “I sigurt” si një platformë raportimi për abuzimin dhe fyerjet në internet. Pavarësisht progresit, shteti duhet të zhvillojë më tej legjislacionin e tij për mbrojtjen e fëmijës nga shfrytëzimi seksual dhe pornografia në internet. 

Për një fushatë të suksesshme dhe ndikim më të madh, është thelbësore që qeveria dhe bizneset nga industria e komunikimit / telefonisë të veprojë tani dhe të trajtojë çështjet e dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

Fushata kombëtare “Hapni sytë” do të menaxhohet njëkohësisht me fushatën globale të UNICEF-it global “Reply For All” për t’i dhënë fund dhunës në internet.

2,725 Lexime
7 vjet më parë