“Gostia” nga Mevlan Lushi

“Gostia” është shkrimi letrar i Mevlan Lushi, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Pranvera ishte shtruar si rrallëherë, gjelbërimi kishte pushtuar dhe lartësitë.

Ishin ditët e fundit të majittë vitit 1977, e vera po trokiste në derë.Por edhe viti shkollor po përcillte javët e tij të fundit. Puna jonë si mësues kishte rritur intensitetin duke iu përgjigjur detyrave përmbyllëse të shkollës,e lodhja natyrshëm nuk mungonte. Për shkollën tonë, në atë zonë të largët malore ishte koha më e përshtatshme të realizohej pikniku i përvitshëm në lartësinë e quajtur “Bjeshka e Tërfojës”. Ishte bërë traditë organizimi i një aktiviteti të tillë, veç pritej caktimi i një dite, që të ishte me diell dhe sa më e favorshme.


Shkolla jonë, aty ku kisha nisur hapat e parë të mësuesisë, ishte shkolla 8-vjeçare kryesore e zonës. I përkiste fshatit Fshat, si qendër e zonës së Grykë-Çajës. Por së bashku me mua atë vit shkollor kishte nisur rrugëtimin e dijes pranë saj edhe shkolla e mesme. Fillimi i vitit të parë kishte jetësuar kështu ëndrrën e banorëve arsimdashës. Shkolla kishte një numër jo të madh mësuesish, që përbënin stafin pedagogjik. Ishin gërshetuar harmonishëm të gjitha moshat. 


Drejtoresha e shkollës ishte një mësuese e re vendase, e emëruar atë vit në detyrën e drejtueses së shkollës. Kishte mbaruar shkollën pedagogjike dhe dallohej për aftësitë e saj, jo vetëm profesionale e njerëzore, por edhe drejtuese. 


Një mësues tjetër vinte nga një zonë fqinje, dhe kishte disa vite mësimdhënie në këtë shkollë; dy mësuese të reja, mjaft aktive, vinin nga rrethe të largëta të vendit, që me kulturën dhe traditën e qyteteve të tyre të origjinës, e plotësonin diversitetin e kulturave në atë kolektiv. 


Vinin pastaj mësues e mësuese të tjera nga fshati apo fshatrat përreth. E kështu bëheshin gjithsej rreth 10-12 mësues. Por në mesin e tyre, ata që e hijeshonin pamjen e atij kolektivi të mrekullueshëm, ishin mësuesit vëllezër Ali dhe Abdullah Shehu, veteranë të shkollës dhe të arsimit në atë zonë. Vëllezërit Shehu ishin të njohur për kontributin dhe rolin e tyre në drejtim të përhapjes së dijes dhe kulturës jo vetëm në zonë, por edhe më gjërë, në gjithë krahinën. Ata ishin mësuesit e parë që hodhën themelet e shkollës dhe arsimit në zonë. Ne arsimtarët e atëhershëm, që ishim në hapat e parë të mësuesisë, e konsideronim veten fatlumë, që i kishim në mesin tonë. 


Ishte caktuar dita për të marshuar drejt “Tërfojës”. 

Të gjithë mësuesit e kishin pritur me padurim atë ditë, veçanërisht nxënësit. Mësuesi Ali Shehu, për arsye të moshës dhe më tepër të shëndetit e kishte të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të ngjitej në këmbë në atë lartësi. Kjo edhe për vetë terrenin që ishte tepër malor. Por për këtë problem ishte menduar që më parë. Një mësues i fshatit kishte siguruar një kalë të qetë e të pajisur me mjetet e nevojshme, megjithëse edhe udhëtimi me kalë për të ishte i lodhshëm, por pavarësisht vështirësive, mësues Alija e kishte ndarë mendjen atë radhë për të qenë me ne atë ditë në Bjeshkën e Tërfojës.

Dita e caktuar erdhi shpejt. 


Nisja u bë nga shkolla. Lëvizja nisi grupe-grupe. Rruga ishte tërësisht e përpjetë dhe me kthesa të shumta. Ngjitja në vendin e caktuar do të na merrte të paktën dy orë. Rrugës na u desh të bënim edhe ndonjë pushim të shkurtër pranë ndonjë burimi me ujë të ftohtë, të cilat në atë shpat malor nuk mungonin. Mësues Alija, ndonëse e ndjeu lodhjen nuk e jepte aspak veten, madje herë pas here hidhte ndonjë shaka e bënte edhe humor. Pasi udhëtimi mori kohën e vet arritëm në vendin e quajtur “Kepi i Fumajës”. Kështu quhej vendi ku mblidheshin zakonisht shkollat në aktivitete të tilla. Ky emërtim lidhej me një gojëdhënë të vjetër, ku ngjarja e ndodhur kishte përfunduar në mënyrë tragjike. Rrafshina, që fillonte nga vendi i përmendur e vijonte drejt veriut dhe lindjes, ishte pjesë e një pllaje mjaft të gjerë, të cilën vendasit e njihnin si “Fusha e Shtarës”.


Kishte kaluar ora dhjetë, kur ne sosëm / mbërritëm aty. Një pjesë e nxënësve kishin arritur që më parë, madje pa e ndjerë fare lodhjen, pasi ishin të mësuar me të tilla ecje. Terreni tepër i thyer dhe i vështirë dhe rendjet e tyre për t’i ndihmuar prindërit në mbijetesën e kohës i kishte bërë ata të jenë tepër të gjallë dhe dinamikë.


Moti atë ditë qëlloi të ishte mjaft i mirë. Rrezet e diellit rrezatonin me tërë energjinë e tyre duke përkëdhelur çdo pëllëmbë toke. Ajri i pastër bashkuar me aromën e luleve dhe flladin e bjeshkëve të ledhatonin shpirtin. Por motit asnjëherë s’mund t’i besohet, veçanërisht në lartësi të tilla. Ndonëse qielli ishte i kthjellët e blu, larg mbimalin e Korabit ca re të holla puplore sapo kishin filluar të nxirrnin kokën. Lartësia ku ndodheshim bënte të mundur që shikimi të arrinte larg në pafundësinë e bjeshkëve drejt Lindjes dhe jo vetëm, duke i kaluar kufijtë shtetëror. E kështu shesh pamja mbi to, por edhe mbi malin Korabishte mjaft e gjërë.


Pllaja e Bjeshkës së Tërfojës në atë ditë fund pranvere ishte mbuluar nga bari i dendur e i veçantë që vendasit e quanin “Fang”, ndërsa lulet shumëngjyrëshe: të verdha, të kuqe, vjollcë... dukej sikur i kishin hapur garë njëra - tjetrës. Natyrae kishte zbukuruar atë si për ditë feste. Ngjasonte me një qilim të vërtetë.


Tërfoja është një rrafshinë me një lartësi 2105 metra mbi nivelin e detit. Kjo bën që gjelbërimi këtu të arrijë kulmin në fundin e pranverës. Në gropat në jug të saj gjendej akoma dëbora e ngjeshur nga ashpërsia e dimrit që kishte kaluar. Ai dimër kishte patur shumë dëborë. Këto grumbuj dëbore ishin edhe rezerva ujore për blegtorët që veronin me delet në atë bjeshkë. Në veri, në fundin e pllajës, në krye të saj, në vendin e quajtur “Tabe” gjendeshin disa shenja pozicionesh, gjurmë këto të luftërave të zhvilluara kundër pushtuesve të huaj. Kjo “fushë” përshkohej mespërmes nga ato që njihen me emrin “Rrugët e Pazarit”, që gjarpëronin nga bjeshkët e Korabit dhe të çonin drejt Prizrenit. As këtu nuk mungonin gjurmët e historisë. Çdo pëllëmbë tokë e jona ka një histori.


Organizatorët e këtij aktiviteti ishin kujdesur me përpikmëri deri në detaje për drekën, duke mos lënë asgjë mangët, që nga mishi i qengjit të pjekur me mjeshtëri e deri tek ushqimet tradicionale të zonës si: fli, ëmbëlsira, djathëra, etj. Dikush ishte kujdesur në veçanti për pijet, si pjesë e përgatitjeve për drekën. Ndonëse ndihej mungesa e tyre në tregun e atëhershëm, shitësi i fshatit të qendrës, një profesionist tregtie tepër i kujdesshëm dhe i njohur gjithashtu në rreth, asnjëherë nuk gjendej bosh. Dikush i groposi pijet së bashku me kosin e deles “rude”, në grumbullin e dëborës për të mos u ngrohur nga dielli. 

Ajo bjeshkë, atë ditë ishte më e lumtur se kurrë. S’kishte pritur asnjëherë kaq shumë vizitorë. Nxënës dhe nxënëse të veshur me rroba nga më të bukurat i jepnin jetë e gjallëri asaj bjeshke. Ngjyrat e veshjeve të tyre popullore kombinonin më së miri me ngjyrat e luleve. Të lirshëm, në natyrshmërinë e tyre, të qeshur dhe të gëzuar ata u bënë pjesë e lojërave nga më të ndryshmet si në: futboll, volejboll, lojëra të shumta popullore të krahinës; vraponin, shetisnin, këndonin etj. Nuk munguan as të rinjtë nga fshati, të cilët edhe ata u bënë pjesë e asaj feste, pjesë e gëzimit tonë.


Dy - tre mësues të rinj, të apasionuar pas futbollit vazhduan lojën. Për këtë, formuan dy skuadra, e për të plotësuar numrin e lojtarëve, angazhuan disa djem të rritur të fshatit, e kështu zgjidhën problemin e ekipit.

Ndërsa mësues Alija, i shoqëruar nga kolegë të tjerë ndiqte nga afër ndeshjen, por edhe bisedonte me një grup që ishin pranë tij. Një radio “Iliria”, që dikush e kishte marrë me vete transmetonte në ato çaste muzikë të trevës sonë nga një kanal kryesor i trojeve shqiptare. Në atë majë të lartë valët e stacioneve radiofonike arrinin me intensitet të plotë.


Nuk munguan as vrapimet apo shëtitjet me kuaj, madje mësueset, që siç thashë vinin nga dy qytete të largëta të Shqipërisësë Mesme, provuan edhe ato kalërimin me kuaj, gjë që nuk e kishin përjetuar më parë. Kalërimi apo vrapimi në hapsirën e gjerë deri në vendin e quajtur “Tabe” shoqëruar nga një grup i apasionur për vrapime, ishte i papërsëritshëm. Ato nuk patën aspak frikë se mos binin nga kuajt. Shtresa e barit të imët, tejet të dendur dhe që ngjante me një shtresë sfungjeri, ishte mbrojtja më e sigurtë.

Koha kishte ecur shpejt dhe pa u kuptuar. Kishin kaluar disa orë. Ishte çasti për të pushuar dhe për të konsumuar drekën. Mësuesit, pasi orientuan nxënësit për të pushuar dhe për të ngrënë u tërhoqën mënjanë në një lëndinë drekimi. Ishte një drekë e veçantë. E veçantë, pasi atë ditë shkolla jonë ishte e vetme në atë piknik, në dallim nga rastet e tjera, kur vinin zakonisht edhe shkollat e zonës. Atë radhë patëm vendosur të ishim vetëm ne, shkolla jonë. Aty mernin pjesë të gjithë mësuesit. Askush s’kishte munguar. Ishte vërtetë si një drekë familjare.


Në krye të sofrës së improvizuar ishte mësuesi dhe kolegu ynë Ali Shehu, e pastaj vinin të tjerët. Për herë të parë merrja pjesë në një aktivitet të tillë si mësues, pasi kisha vitin e parë të punës (stazhit). Pas disa ditësh unë do të largohesha për mbrojtjen e diplomës. Ndërkaq edhe dy mësueset “jabanxhie” nuk do të vinin më në këtë shkollë, pasi pritnin transferimin për nëqytetet e tyre. Misionin e tyre fisnik në këto zona të largëta e përmbyllnin me sukses.

Edhe drejtoresha gjithashtu do të krijonte familjen e saj, pra do të largohej. Por edhe mësues Alija, që po i afrohej moshës së pensionit, kishte sakrifikuar për t’u ngjitur në atë lartësi. E kështu ky aktivitet dhe ajo drekë konsiderohej në një mënyrë edhe si drekë lamtumire. Të gjitha këto e bënin të veçantë atë ditë.


Mësues Alija, si njohës i shkëlqyer i kulturës dhe i traditave të pasura popullore, e mbajti peshë atë ditë me tregimet dhe historitë e vetashoqëruar edhe me humorin e tij të hollë. I qetë dhe me fjalë të ëmbla që buronin nga shpirti i tij njerëzor, na e bëri më të gëzueshme festën. Madje nuk nguroi edhe të këndonte për dëshirë të vet dhe tonën njëkohësisht një këngë të njohur popullore nga treva e Kosovës, duke e plotësuar panoramën e asaj dite. Mbase ai natyrshëm risillte vitet e tij të fëmijërisë, vitet, kur me gjithë vështirësitë e kohës, kishte vijuar shkollën fillore në shkollën e parë shqipe të Kolesjanit të Lumës. 

Kujtonte pastaj vitet e arsimimit dhe vitet e para si mësues. Unë e kisha patur mësues e drejtor, ndërsa tani koleg, por atë ditë njoha dhe shumë anë të personalitetit të tij. Nuk munguan këngët dhe humori që sollën me fabulat e tyre edhe kolegët e tjerë.


Kur dreka kishte marrë kohën e vet, retë e holla kishin kaluar mbi Tërfojë pa u vënë re, ndërsa dielli kishte peshuar më tepër nga perëndimi. Për pak çaste, disa pika shiuranë mbi kokat tona, pasi përshkonin rrezet tërthore të diellit duke e plotësuar atmosferën e festës. Brezi shtatëngjyrësh i ylberit u shpalos në kodrën përballë. 

Kishte ardhur çasti të ktheheshim.

Ajo drekë do të merrte një emër të veçantë. Dikush me shaka e pagëzoi: “mikrobanketi” ynë. Për mua një fletë ditari sapo ishte mbyllur, por rrugëtimi im sapo kishte nisur. Të veçantat e asaj dite vështirë se do të përsëriteshin më.



Mevlan Lushi 

Ka lindur në Shkinak të Kukësit. Ka kryer arsimin e lartë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Matematikë, në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues në shkollën e Mesme të Bashkuar Fshat të Grykë-Çajës 1976-1994, drejtor i shkollës 8-vjeçare Shkinak 1994-2003, mësues matematike në Gjimnazin “Havzi Nela” Kukës 2003-2019. Ka dalë në pension në mars 2019. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,040 Lexime
1 vit më parë