Rrëfim

“Goditja e mësuesit”

“Ngjarja, të cilën do të rrëfej më poshtë, ka mbetur në një nga skutat e labirintit të mendjes time, pa u fshirë nga aty. Duhet të kem qenë në klasën e gjashtë, kur në shkollën ku ndiqja mësimet, ndodhi ajo që s’ishte dëgjuar deri atëherë”, rrëfim nga mësuesi Luan Stafasani.

Fëmijëria në jetën e çdo njeriu është si filli i Arianës. Ajo e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës e disa ngjarje mbeten të pashlyera nga kujtesa sa të jetë jeta. Ariana, sipas mitologjisë së lashtë greke, ishte e vetmja që ia doli të ikë prej labirintit, duke lëshuar ngado nëpër labirint një fill të hollë, të cilin e ndoqi për të dalë, pasi kishte përshkruar të gjitha skutat e errëta. Kështu dhe ngjarja, të cilën do të rrëfej më poshtë, ka mbetur në një nga skutat e labirintit të mendjes time, pa u fshirë nga aty. 


Duhet të kem qenë në klasën e gjashtë, kur në shkollën ku ndiqja mësimet, ndodhi ajo që s’ishte dëgjuar deri atëherë. Ismet Meta, një djalë në klasën e shtatë, kishte goditur me kokë në fytyrë mësuesin e matematikës, Ferrik Lita. Mësues Ferriku vinte nga Tirana dhe ishte emëruar në provincën tonë atë vit të ri shkollor. Vinte i hollë nga trupi, fytyrë e zbehtë e me flokë të verdha, që kishin filluar t’i binin në pjesën e sipërme të kokës. Zërin e kishte kumbues e bariton. Lëndën e zotëronte. Shkruante pa pushim në tabelë të zezë dhe hetonte me sy prej aty të gjithë nxënësit në klasë. Kur ne si fëmijë, nga lodhja që shkaktonin formulat e algjebrës e sa ngaqë nuk artikuloheshim sa duhet në zgjidhjen e ushtrimeve në tabelë e fletore, nuk ia shpërblenim mundin e madh që ai bënte. Na “shpërblente” me nga një çokë në kokë, e cila ishte miqësore, por dhe e ithët. Fëmijët ishin pajtuar me këtë rregull, mirëpo nuk thonë kot që çdo rregull ka përjashtimin e tij. 


Kështu që i takoi Ismet Metës, nxënësit të klasës së shtatë, të ishte përjashtimi nga rregulli. Ismeti ishte fëmijë i hallakatur, i dhënë shumë pas rrugës. I pëlqenin makinat, saqë rrugën e kthimit nga shkolla në shtëpi e bënte duke imituar zhurmën e zisit të komunales, që shpërndante drutë nëpër qytet. Kishte pasion po ashtu për pëllumbat, qentë e macet dhe si rrjedhim koha, që ai të merrej me mësimet, ishte e paktë. Shtoji kësaj edhe faktin se të dy prindërit e tij ishin njerëz të mirë e shumë punëtorë, që harxhonin kohën më të madhe në punë dhe Ismeti kishte dalë nga shinat, siç thoshim në atë kohë. Ismeti donte të bëhej personazh i njohur në rrethin e fëmijëve, si pozitiv. Por si pozitiv kërkohej shumë mund, ndërsa si personazh negativ, siç dihet, bëhesh më lehtë. Kështu që ai zgjodhi të vinte emër duke reaguar ndaj çokës që kishte marrë prej mësues Ferrikut në orën e matematikës.Si fillim Ismeti ishte ngritur në këmbë e kishte kundërshtuar mësuesin, që siç dukej, nuk e priste reagimin e Ismetit. Dhe kishte menduar se çoka e dytë do ta stepte. Mirëpo Ismeti e kishte humbur toruan dhe e kishte goditur mësuesin me kokë në fytyrë. Nxënësit në klasë ishin trembur e njëri prej tyre kishte vrapuar te drejtori i shkollës, duke e vënë në dijeni për sa kishte ndodhur. Drejtori, me të hyrë në klasë, kishte marrë me vete Ismetin e mësuesin dhe ishin kthyer në zyrën e tij. Më pas në shkollë u shfaq operativi i qytetit, bashkë me një polic, të cilët morën Ismetin dhe u larguan në drejtim të policisë.


Ajo që ndodhi tronditi pa masë shkollën, po dhe opinionin e qytetit tonë të vogël. Për t’i dhënë një mësim të mirë rastit nuk u mjaftuan vetëm me përjashtimin e Ismetit, po atij iu organizua një gjyq publik, siç  thuhej atëherë. Në seancën gjyqësore u ftuan të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollës. Ismeti ishte vendosur në bankën e të akuzuarve, në mes të dy policëve. Gjyqtari i çështjes, veshur me një mantel të zi, hyri nga dera pas tavolinës ku qëndronte trupi gjykues. Tiparet ezmere të fytyrës sikur ishin sterrosur më shumë nga ngjyra e zezë e uniformës së gjyqtarit. Hijerëndë, siç sillen gjyqtarët në raste të tilla, kërkoi që të gjithë të pranishmit të ngrihen në këmbë. U prezantua me emër të vetin dhe të çështjes që do të gjykonte, për shkak se, siç tha ai, në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ligji nuk lejon profesionin e avokatit, Ismetit i ishte dhënë mundësia që në emër të tij të fliste babai i tij. Prokurori i çështjes rrëfeu ngjarjen, për të cilën ishin mbledhur në atë sallë gjyqi. Fjala më pas iu dha mësues Ferrikut. Ai tha që ishte hera e parë që merrte pjesë në një seancë gjyqësore e në një situatë të tillë s’do të donte të ishte as si ndjekës i thjeshtë gjyqi. Foli për punën e tij, përkushtimin që e karakterizonte, dashurinë për nxënësit e në fund si u përcoll pak në fyt, rrëfeu dhe ngjarjen me Ismetin, të cilit nuk ia falte atë veprim ndaj mësuesit. Kërkoi që ai të merrte masën që i takonte. Ismeti rrinte i heshtur. Në emër të tij foli babai, që i kërkoi të falur mësuesit, bëri autokritikë, që nuk ishte marrë sa duhej me të birin, duke u justifikuar në një farë mënyre me largësinë e punës. 


Pasi dëgjoi të gjitha palët në gjyq, gjyqtari i çështjes kërkoi 30 minuta kohë dhe u tërhoq së bashku me trupin gjykues për të marrë vendimin. Salla u boshatis, pjesëmarrësit dolën para oborrit, ku vijuan komentet e gjyqit. Ismeti qëndronte me kokën ulur, mes dy policëve në bankën e të akuzuarve. Pas pushimit u rikthyem në vendet tona në sallën e gjyqit. Gjyqtari u rikthye i shoqëruar nga dy ndihmësit e tij. Qëndroi në këmbë dhe shpalli vendimin: “Në mbështetje të kodit të procedurës penale, neni aq e paragrafi kaq, (s’më kujtohen numrat), shtetasi Ismet Meta, i biri i Vetimit dhe Teutës, dënohet duke u dërguar në shkollën e riedukimit në Tiranë”

Kjo shkolla e riedukimit ishte e mirënjohur, sepse kush dërgohej aty, (nga qyteti ynë ishin jo pak që kishin shkuar), çedukoheshin më shumë. Kështu që thamë me mend, më mirë të ishin mjaftuar me përjashtimin nga shkolla jonë, se sa ta çonin atje. Mësues Ferriku nuk vonoi dhe e transferuan në Tiranë, pranë familjes së tij. Siç thashë në fillim, kjo ngjarje s’më shqitet nga mendja. Ismeti në ditët e sotme e ka ndërtuar jetën në Itali. Ngjarjen që tregova nuk ia fal ende vetes. Kështu më tha kur e takova rastësisht njëherë në Tiranë, kur kishte ardhur të shihte prindërit e moshuar. Ndërsa mësues Ferrikun, duke kërkuar në Facebook, e gjeta në Londër, ku kishte ndërtuar jetën e tij e ku vijonte pasionin si mësimdhënës për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, pranë një shoqate kulturore-artistike të ngritur nga shqiptarët e atjeshëm.



Shkruar nga mësuesi Luan Stafasani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,911 Lexime
1 vit më parë