“Gjurmë në jetë” nga Dafjola Bushi Nepravishta
“Gjurmë në jetë” është shkrimi letrar i Dafjola Bushi Nepravishta, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Ndonjëherë, e besojmë apo jo, mjafton vetëm një buzëqeshje e sinqertë, një fjalë e ngrohtë për të depërtuar pa zhurmë, me hapa të lehtë drejt skutave të botës së një fëmije duke lënë një gjurmë të pashlyeshme aty.
Çdo fëmijë përfaqëson një individualitet më vete, si një pjesëz pazëlli, të cilën e bashkoj me të tjerët për të plotësuar një të tërën. Vetëm në këtë mënyrë mund të përjetoja sadopak arritjen e një qëllimi, që kisha vendosur me veten duke prekur një botë të panjohur, por jo të padepërtueshme.
Viti i ri shkollor sapo kishte nisur. Isha gati, plot energji të reja. Ishte një shkollë fshati e vogël, ku nxënësit i njihnim thuajse të gjithë, e bashkë me ta dhe problematikat familjare dhe sociale të tyre.
Nisur nga kjo, preferoj të mos përmend emra në rrëfimin tim.
E kisha dëgjuar nga kolegët e mi të ciklit të ulët se familja e vajzës nuk kishte pranuar asnjëherë në ato vite mësuese ndihmëse. Mentaliteti i ngushtë dhe i ngurtë i asaj zone malore nuk i kalonte kufijtë e të pasurit dëshirë për ta parë fëmijën të ecë përpara në një nivel me fëmijët e moshës së saj.
E ndjeja që edhe këtë vit nuk do të ndryshonte asgjë. Askush nuk do të kërkonte diçka për të mirën e vajzës imcake, trupi i së cilës nuk përkonte me moshën e saj. Shpatullat e brishta mezi mbanin çantën e madhe. Në fytyrë kishte një buzëqeshje të veçantë.
Kur qesh fëmija, qesh e gjithë bota e të rriturve, por ajo lloj buzëqeshje të transmetonte pafajësi e dëlirësi. Një të tillë, jo kushdo e kuptonte, sepse ajo buzëqeshje nuk ndryshonte asnjëherë.
Atë ditë, sa u futa në klasë, u fashit zhurma që vinte në korridor, karakteristikë kjo e çdo fillim viti, sepse çdonjëri prej tyre kishte një copëz nga jeta fëmijërore për të rrëfyer nga gjithë ajo mungesë e gjatë e pushimeve. Tani e ndienin veten më të rritur, ngaqë qenë bashkuar me më të mëdhenjtë e shkollës.
Teksa i pyesja për emrat, i erdhi radha vajzës. Nga vështrimi e kuptova dëshirën që kishte për t’u përgjigjur edhe ajo. E përsërita pyetjen:
- Si e ke emrin?
Ndonëse ia dija emrin, doja ta dëgjoja prej saj. Pas pak sekondash, më tingëlluan në vesh një grumbull shkronjash të pakuptueshme e pa një rend të zakonshëm. Nuk doja ta vija në vështirësi, bëra sikur e kuptova dhe ia ktheva me buzëqeshje. Faqet i morën një ngjyrë trëndafili të lehtë, e cila iu përhap në gjithë fytyrën e vogël.
Pas asaj dite, diç më brente në ndërgjegjen time. Një zë i brendshëm, i panjohur më parë nuk më linte të qetë. Më shtynte drejt një sfide të panjohur. Ca pyetje më kumbonin në kokë:
-Nuk mund të bësh diçka për të?
-Përpiqu njëherë! Në fund të fundit nuk humbet asgjë.
E kuptova qartë në ditët që vijuan, se nuk dinte të shkruante as emrin e saj, ditën kur kishte lindur, pra gjërat më të rëndësishme me të cilat do të prezantohej në jetë dhe me jetën.
Minutat e fundit të çdo orë mësimi ia kushtoja asaj. Ngrihej në dërrasën e zezë dhe mundimshëm bashkonte shkronjat. Kjo vazhdoi për disa kohë.
Atë ditë, kur arriti të shkruante të plotë emrin e vet pa ndihmën time, e gjithë klasa duartrokiti. Ishte një gëzim i papërmbajtur, jo vetëm për mua, por edhe për shokët e saj.
Ngrohtësia, mbështetja, motivimi bëri që ditët në vijim, dalëngadalë të pasoheshin me arritje të reja. Shkruante ditëlindjen e saj, emrat e prindërve dhe të vëllezërve, merrte pjesë në aktivitete të vogla brenda klasës...
Gëzohesha që bota e saj po ndryshonte. Ndryshim i vogël, por i rëndësishëm.
Buzëqeshja nuk iu zbeh për asnjë çast, njëlloj si ato rrezet e brishta diellore që na shoqërojnë në çdo stinë. Shpresoj që kjo rreze dielli të vazhdojë të ndriçojë edhe në ditët që do të vijnë, në mënyrë që ajo ta gjejë veten në rrugët e jetës.
Thuhet:
“Mos shko aty ku të bie shtegu, por aty ku nuk ka shteg, dhe lër një gjurmë”.
Shpresoj të kem lënë një gjurmë të vlefshme në jetën tënde, o zemër diellore!
Dafjola Bushi Nepravishta
Dafjola Bushi Nepravishta ka lindur më 26 Nëntor 1982, në Berat. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, në degën Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Punon si mësuese e lëndës Gjuhë shqipe në një shkollë 9-vjeçare. Dashuria për letërsinë, sidomos për poezinë ka nisur që në fëmijëri. Në gazetën Ex Libris ka publikuar ciklin me poezi “Në qiellin tim bien yje”. Në gazetën “Nacional” ka publikuar ciklin me poezi: “Lumi dhe Bregu”. Ka marrë pjesë në konkursin Vexhi Buharaja III-IV me cikël poezish. Poezitë e saj janë publikuar në gazeta online si “Destinacion”, “Ciceroni”, “Orfeu”, Qendra “Press”, “Albspirit”.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“7 Marsi ynë” nga Behare Kasa
“Nxënësi im sy bojëqielli” nga Albana Myzyri