“General & Playboy”, premierë në Teatrin e Metropolit
“General & Playboy” është komedia më e re që vjen në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) vënë në skenë nga autori dhe regjisori Bujar Kapexhiu, në datë 30 mars ora 19:00.
Komedia “General & Playboy” është premiera e radhës në skenën e Teatrit të Metropolit e cila do të shfaqet në datat 29, 30, 31 mars dhe 1, 2 prill në orën 19:00. Në këtë shfaqje vijnë përballë pasionet dhe mentalitetet në dy kohë, në atë komuniste dhe sot. Bujar Kapexhiu për këtë vepër është frymëzuar nga një gjeneral, i cili u lirua nga detyra vetëm pse udhëtonte shpesh jashtë shtetit. Ai shkroi pjesën “General dhe Playboy” dhe vendosi gjithçka mes së shkuarës së diktaturës dhe të sotmes.
Subjekti
Një gjeneral i formuar në vitet para ardhjes së demokracisë; një kapter, dhe ky nga koha e diktaturës; dhe familja e një biznesmeni, i ardhur nga provinca në kryeqytet. Midis dy ushtarakëve ndihet diferenca arsimore, sidomos me futjen në NATO, që e detyron gjeneralin në moshë të nisë mësimet për gjuhën angleze, me mësuese në shtëpi.
Kontradikta kryesore, ajo që e bën më komike ngjarjen, është ballafaqimi dhe konflikti parimor për konceptin e moralit ndërmjet gjeneralit me konceptet e vjetruara dhe nipit të tij me lirinë e shprehjes në demokraci, të cilën e konkretizon nëpërmjet një biznesi fitimprurës, botimin dhe shpërndarjen e një reviste erotike.
Në këtë sfond familjar është edhe ballafaqimi dhe paralelizmi midis gjeneralit që e largojnë nga detyra për motive qesharake dhe nga ana tjetër krushqia dhe miqësia familjare, që komshiun kapter e gradon në një post të rëndësishëm.
Komshiu quhet XHEMAL. Shkurt e thërrasin XHEMO. Ai emrin e tij e shkruan EMAL se nuk e mban mend germën XH dhe me ngritjen në përgjegjësi, si ushtarak i NATO-s vetëquhet XHEJMS. Metamorfozë shumë komike kjo, që përshkon fillin e subjektit nga fillimi në fund të ngjarjes.
Papunësia, mungesa e të ardhurave, pensioni qesharak, goditjet dhe presioni i moralit të ri dhe liberal e transformojnë gjeneralin demodé dhe e detyrojnë të hyjë në rrjedhën e kohës, tashmë i ambalazhuar me koncepte të reja që i përshtaten më së miri ekonomisë së tregut. Nga kundërshtar i ashpër e kategorik i kësaj reviste, ai në fund të komedisë merr përsipër shpërndarjen e kësaj reviste. Në ekonominë e tregut triumfon e reja.
“Unë kam kënaqësinë të rikthehem në Teatrin Metropol, pasi në këtë mjedis e kam nisur karrierën time artistike sapo kam mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve për regji, u emërova regjisor i Estradës së Tiranës. Në këto ambiente kam nisur aktivitetin në vitin 1968 - 1973. Në përgjithësi njeriu ka një cikël në jetë, për ta mbyllur i rikthehet edhe njëherë fillimit. Kështu po ndodh edhe mua, po i rikthehem edhe njëherë skenës ku e nisa”, pohon mes të tjerave regjisori Kapexhiu gjatë konferencës për shtyp.
Komedia vjen nën interpretimin e: Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Suela Konjari, Xhevair Zeneli, Muharrem Hoxha, Edvin Mustafa, Ramela Koleci, Serxho Harizaj, Devin Koçeku, Elio Kapxhiu. Skena: Denis Jorgo, kostumet: Aurela Duriçi, as.regji: Bruna Borova.
Vepra vjen si bashkëpunim i Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol), Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe Yildiz Films & Theatër.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"