Ese

Fjalim për mos largimin e të rinjve nga Shqipëria nga nxënësja Ester Gjokaj

Kur je jashtë e kupton për herë të parë se çdo të thotë të mos dëgjosh rreth teje të flitet gjuha jote, çdo të thotë të shtiresh si i barabartë e si i pranuar mes vështrimesh të ftohta. Kur je atje e di çdo të thotë të punosh deri në shkatërrim, vetëm për të bërë si të pasur...

Mendoni gjithë ata të rinj që rreken të thonë se sa inferiorë ndihen shqiptarët. Sa kërkojnë të shtiren e të hiqen si europianë, dhe me të dalë nga Shqipëria, bëhen atdhetarët fanatikë. Sipas meje, problemi qëndron te zakoni ynë i trishtë, apo mbase te paaftësia jonë e theksuar për ta pranuar shqiptarin si europian pa kushte. Pse nuk mund të jetë europian i lindur por veç një tentativë për t’u hequr si një i tillë... 


Deri sot përgjigja ka qenë tek një e metë e jona, siç e thashë dhe më lart. Por sot po dal në konkluzionin se kjo konsideratë e rënduar që shqiptari ka për veten, nuk është vetëm një zakon i keq popullor, nuk është as thjesht pjesë e natyrës sonë ksenofile por vjen edhe paksa e imponuar. Them e imponuar sepse sot largimi jo vetëm që nuk ndalohet por propagandohet nga të gjithë. 


Merrni për shembull gjithë reklamat e universiteteve; “ Ejani në universitetin tonë për të marrë diplomë europiane!”, “Univerisiteti ynë, një hap drejt botës”. 


Nuk e kuptoj se si arritët ju deri te ky kategorizim; ‘europian në Shqipëri’? Europian në cilën Shqipëri, shqiptarët nuk janë europianë?! Apo te tjetra ‘shqiptar në Europë’? Shqiptar në cilën Europë, mos Shqipëria nuk është mjaftueshëm në Europë?! A nuk më thoni, pastaj, pse vallë nuk dyshon francezi në është apo jo europian? Pse nuk dyshon italiani, pse nuk mëdyshet çeku, anglezi a gjermani? Ndërsa ne ama u dashka që jo vetëm ta konceptojmë veten ndryshe por edhe të marrim rrugët për ta hedhur veten në anën tjetër të gardhit. 


Unë e pranoj se të qenit europian është krenari dhe se ky etiketim krijon një përshtypje të parë, ama nuk mundem kurrsesi të pranoj se ky emër mund të të bëjë një njeri më të mirë, më mendjehapur apo më të civilizuar, se tek e fundit të qenurit europian nuk të jep ty asgjë më shumë nga ç’ka një jo-europian. Por realiteti është ky: duket se gjithë fëmijët që dikur kishin ëndrra në sirtar që të bëheshin mësues, doktorë, futbollista e balerinë...të gjithë e kanë zëvendësuar atë ëndërr me ëndrrën e “shenjtë” për t’iu shqitur këtij vendi. Sepse të gjithë e duan atë që nuk e kanë. Dhe ndonjëherë mendoj se mirë është të bëhen të gjithë emigrantë për ca kohë (në vend të ushtrisë), që ta njohin peshën e të qenit i huaj!


Kur je atje e kupton për herë të parë se çdo të thotë të mos dëgjosh rreth teje të flitet gjuha jote, çdo të thotë të shtiresh si i barabartë e si i pranuar mes vështrimesh të ftohta. Kur je atje e di çdo të thotë të punosh deri në shkatërrim vetëm për të bërë si të pasur para rrogave 300 mijë lekëshe të shqiptarëve. 

Por, a janë vërtetë aq mirë sa duken ato dy javë të shkreta që vijnë për të gjetur nuse në plazh?!


E vërteta është se ne i presim me bukë e mish kur vijnë, por kur je atje mezi të japin një pjatë makarona apo supë supermarketi. Dhe vijnë e bëjnë sikur kanë dalë nga luksi dhe qahen se ka miza, harrojnë se jetojnë nëpër shtëpia pa divan. Atje të gjithë të ankohen sa janë lodhur, sa janë mërzitur. Ndërsa kur vijnë këtu nis avazi: “Këtu është me hik natën pa hënë”.


Prandaj unë s’shoh europianë në Shqipëri apo shqiptarë në Europë. Nuk kam parë deri më sot as europianë në Europë dhe shqiptarë në Shqipëri. Kjo nuk ka as ndonjë kuptim. Dhe mundohem të mos e kuptoj nëse jetoj mes shqiptarësh, grekësh a polakësh. Nuk dua as të di nëse rritem mes aziatikësh, amerikanësh a afrikanësh. Kjo nuk ka asnjë rëndësi specifike sepse unë kam zgjedhur të përpiqem të jetoj si njeri, të sillem e të mendoj si e tillë dhe të tjerët t’i shoh në të njëjtën mënyrë, si njerëz. Këtë më kanë mësuar deri më sot, këtë kemi propaganduar të gjithë deri më sot. 


A mund të vazhdojmë kështu?


Punoi: Ester Gjokaj, Klasa: XI, Gjimnazi: “Hydajet Lezha”


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

3,399 Lexime
2 vjet më parë