Fituesi Luan Topçiu rrëfen për përkthimin më të mirë: Fatin e librit e vendos koha dhe lexuesi
Marrjen e Çmimit Kombëtar për Përkthimin më të mirë për vitin 2018, Luan Topçiu e quan emocion të rrallë sepse për të është një mirënjohje nga “shtëpia e tij”, mëmëdheu. Në një intervistë ai ka folur për ndjesitë e këtij vlerësimi.
Ai nuk është i panjohur për botën e librave dhe për lexuesit shqiptar. Luan Topçiu sipikat në letrat shqipe si kritik, studiues letrar, profesor universitar, përkthyes apo diplomat. Me një kontribut në njohjen e kulturës rumune, për vetë angazhimin diplomatik që ka në këtë vend, ai ka botuar një sërë librash në shqip e rumanisht. Së fundmi, Ministria e Kulturës e ka vlerësuar me Çmimin Kombëtar për Përkthimin më të mirë për vitin 2018 me librin e Linda Maria Baros “Shtëpia me brisqe rroje”, botuar nga shtëpia botuese ALBAS. Topçiu u vlerësua me motivacionin për përkthimet e arrira artistikisht, me gjuhë të begatë e frymë, për veprat e përzgjedhura që kanë pasuruar letrat ndërsjelltazi, botën e librave me libra nga bota. Në një intervistë dhënë për Portalin Shkollor ai ka folur për ndjesitë e marrjes së këtij çmimi dhe për të qenurit përkthyes e autor i shumë librave.
Z.Topçiu ju sapo jeni vlerësuar me çmimin letrar si përkthyesi më i mirë për vitin 2018, me librin e Linda Maria Baros “Shtëpia me brisqe rroje”. Si u ndjetë kur iu dha ky çmim? Mund të na rrëfeni pak nga ai moment, po e ndiqje nga ku, sepse dimë që nuk mundët të ishit i pranishëm në këtë event të organizuar nga Ministria e Kulturës?
Ndihem jashtëzakonisht i nderuar që m’u dha ky çmim i rëndësishëm. Mora vesh që isha i nominuar për këtë çmim nga rrjetet sociale dhe e dija datën dhe orën e ceremonisë. Befasia ishte kur mora fotot e para nga miq që ndodheshin në sallë dhe më konfirmuan faktin se isha fitues. Për një njeri që punon, gëzimi i një çmimi kombëtar, por dhe çfarëdolloj vlerësimi është i natyrshëm dhe legjitim.
Nuk është hera e parë që vlerësoheni me çmime për letërsinë, kujtojmë që keni fituar çmimet ndërkombëtare “Valahia” dhe "Lucian Blaga". Por çfarë do të thotë për ju tashmë të vlerësoheshit edhe kombëtarisht si përkthyes, me motivacionin për përkthimet e arrira artistikisht, me gjuhë të begatë e frymë, për veprat e përzgjedhura që kanë pasuruar letrat ndërsjelltazi, botën e librave me libra nga bota?
Librat e mi fillojnë nga fjalorë akademikë dygjuhësh, sprova, hulumtime për letërsinë dhe artin dhe vazhdon me dhjetra libra të përkthyer. Aktualisht drejtoj një revistë albanologjike dhe kulturore në Bukuresht, “Albanica”, e cila ka rreth 250 faqe dhe botohet nga ALAR (Shoqata e Shqiptarëve të Rumanisë). Edhe për këtë revistë kam përkthyer qindra faqe nga letërsia shqipe dhe nga studimet albanologjike. Pra, përkthimi tek unë është një punë shumëvjeçare, sepse e konsideroj të domosdoshme dhe të vlefshme kur është fjala për njohjen e kulturës së një populli dhe sidomos për qarkullimin e vlerave. Përkthimi nuk është vetëm një akt artistik dhe kulturor, por edhe një akt i shprehjes identitare. Kështu që jam ndjerë shumë i nderuar dhe i motivuar kur më kanë vlerësuar me dy çmime të rëndësishme në Rumani për përkthim, siç e theksoni edhe ju në pyetjen tuaj. Por marrja e çmimit në Shqipëri, për mua, ka një domethënie të veçantë dhe, sigurisht, edhe emocione të rralla, sepse ky çmim është i barabartë me mirënjohjen në shtëpinë tënde. Mëmëdheu im mbetet gjuha shqipe.
Dua të shtoj dhe diçka, kur shkruan një libër, kur përkthen një libër, askush nuk mendon se ai do t’i nënshtrohet një konkursi. Libri konkurron me veten e tij. Çmimet veçse zbukurojnë dhe motivojnë punën e krijuesit. Fatin e librit, në fakt, e vendos koha dhe lexuesi.
Ndërsa motivimi i jurisë duket se ka parasysh ndihmesën time, më gjerë se sa tek një vëllim i përkthyer. I shpreh mirënjohjen anëtarëve të jurisë dhe të gjithë dashamirësve të mi për urimet dhe përkrahjen.
Me shtëpinë botuese Albas ju keni bashkëpunuar për të sjellë të përkthyer dy libra, atë të Liviu Lungu, Burgosja e poetit Ovidius, në vitin 2017 dhe po në këtë vit, librin e Linda Maria Baros, “Shtëpia me brisqe rroje”, me të cilin fituat edhe çmimin e fundit. Ishte një zgjedhje e juaja apo e sugjeruar për të përkthyer këtë libër të veçantë me poezi, i cili autores romune-franceze i ka dhënë çmimin Guillaume Apollinaire në Paris, 2007?
Me Shtëpinë Botuese Albas kam bashkëpunuar disa herë. Më 2017 kam botuar në Rumani një vëllim me poezi të Rita Petros, botuar në Shtëpinë Botuese të mirënjohur rumune “Corint” dhe më 2018 Albas-i boton romanin Burgosja e poetit Ovidius të shkrimtarit rumun, me origjinë shqiptare nga nëna, Liviu Lungu. Përzgjedhja e librit të poetes rumuno-franceze, Linda Maria Baros, për ta përkthyer në shqip ishte thjesht përzgjedhja ime. Jam nisur nga ideja për t’i ofruar lexuesit shqiptar një poet “ndryshe”, modern në konceptimin e poezisë, në përfytyrimin artistik dhe gjuhën poetike të përdorur. Për këto arsye, Linda Maria Baros është vlerësuar me çmimin Guillaume Apollinaire në Francë në 2007. Poezia e saj është botuar në 39 vende. Është nënkryetare e Pen-Club-it francez, Doktore shkencash në letërsi të krahasuar në Universitetin e Sorbonës, anëtare me titull në Akademinë Mallarmé në Francë. Drejtore e Festivalit franko-anglez të poezisë, që zhvillohet në Paris. Është edhe botuese dhe drejton Shtëpinë Botuese La Traductière. Është kryeredaktore e revistës ndërkombëtare të poezisë La Traductière, që e boton kjo shtëpi botuese. Ka përkthyer rreth 40 libra. Pra, është një autore me një veprimtari letrare të jashtëzakonshme, por edhe një poete e vlerësuar.
A mund të na flisni diçka më tepër rreth librit “Shtëpia me brisqe rroje”, i cili duket që të intrigon që në titull?
Libri me poezi “Shtëpia me brisqe rroje” i poetes rumuno-franceze Linda Maria Baros, ngjason një ngrehinë metaforike të sigurisë së lartë, një godinë e fortifikuar me mure imazhesh, përfytyrimesh, figurash, meditimesh etj. Shtëpia metaforike është e mbrojtur nga „brisqe të mprehtë”, që e mbrojnë nga rreziqet e jashtme. Është fjala për një metatekst, ku teksti nuk fillon dhe nuk mbaron duke lëçitur vetëm një poezi të vetme, por kur lexon të gjithë vëllimin, sepse ai funksionon si një i tërë, ashtu siç nuk mund të quhet e plotë një vizitë në një godinë, në qoftë se nuk shikon të gjitha dhomat, bodrumet, kthinat, vendet e fshehta të saj etj. “Shtëpia me brisqe rroje” është një kronotop ku muret pikëtakohen, ku takohet hapësira dhe koha, siç takohen rrugët, kthimet, pritjet, shpresat, ankthet, dashuria, frika, malli, ëndrrat. Në muret e shtëpisë nyjëtohet gjithçka dhe midis këtyre mureve të shtëpisë gjendesh gjithmonë, si në asnjë vend tjetër, i vetëm, ballë për ballë me fillërinë. Linda Maria Baros ndjek një mënyrë të veçantë për të njohur vetveten. Ajo e vizaton dhe e viziton shtëpinë e krijuar prej saj, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, konkreten, abstrakten, brendësinë dhe pjesën e jashtme, unin - të tjerët, arsyen - ndjenjën. Kjo godinë metaforike e ndërtuar prej saj nuk përfundon, megjithëse i ka të gjitha përbërësit (simbolikë): pragun, derën, dyshemenë, tavolinën, dritaret, muret. I mungon çatia, e cila lë hapësirë për perspektiva të panjohura. Veçanërisht spikat përdorimi i një simbolizmi konkret.
Vepra nuk i takon vetëm shkrimtares në këtë rast, por edhe përkthyesit që e sjell atë në një gjuhë tjetër. Ju keni përkthyer mbi 30 libra, përveçse jeni autor i shumë librave studimorë, me ese etj. Është e vështirë të jesh përkthyes?
Përkthyesi është një ndërmjetës midis kulturave. Sigurisht, është një punë komplekse. Përkthimi nuk mund të jetë një akt thjesht gjuhësor, leksikor. Një përkthim i mirë është ai që përkthen mendësinë, kulturën e autorit, veçoritë psikologjike kombëtare, ai që asimilon figuracionin dhe teknikat e shkrimit etj. Performanca më e madhe e një përkthimi ndodh atëherë kur përkthimi nuk ndihet si i tillë, por sikur është shkruar në gjuhën e përkthyer. Kur vjen fjala për poezinë, kjo nënkupton edhe njohjen e ligjeve të muzikës, të vargëzimit dhe ritmit, saktësisë së fjalëve (përveç studimit të shënjimit, theksit leksikor, gramatikor dhe stilistik, modalitetit, koherencës së stilit, inkuadrimin e tekstit në korpusin e shkrimtarit, vendin e autorit në epokë, etj.). Pra, përkthimi nuk presupozon vetëm njohjen e dy gjuhëve që përdor, por edhe talent, intuitë, njohje shumëplanëshe, aftësi krijuse etj. Një përkthyesi të mirë nuk duhet t’i mungojnë demonët e krijimit. Në këtë mënyrë, përkthyesi shton frymën e vet me gjuhën që përdor, me dinamikën dhe ritmin që i jep përkthimit. Libri përjetohet dhe rishkruhet nga përkthyesi me të njëjtën kërshëri dhe zell sic ndodh tek autori. Të gjitha keto elementë e bëjnë përkthyesin autor të dytë të veprës (në një formë të re). Po t’i kthehemi ndihmesës së përkthyesit në kulturën e një vendi, do të pohoja se një gjuhë është formuar dhe forcuar së pari nga përkthimi, dhe jo rastësisht shkrimtarët e mëdhenj kombëtarë të periudhave të ndryshme, veçanërisht romantikët e të gjitha gjuhëve dhe kulturave, ishin njëkohësisht edhe përkthyes të zjarrtë. Në thelb, në një kuptim më të gjerë, pasuria shkrimore nuk ndahet në origjinal dhe i përkthyer, në prodhim vendas apo i importuar. Shkrimi është dhe përkthim. Gjuha shqipe i detyrohet, përpos autorëve shqipshkrues, dhe përkthimeve të Kristofor Kristoforidhi, Fan Nolit, Robert Shvarc, Petro Zhejit, etj
Kultura shqiptare shkrimore nuk përbëhet vetëm nga librat e shkruar nga shkrimtarët shqiptarë, por dhe nga librat e përkthyer nga autorë të huaj në gjuhën shqipe.
Cilat janë ndryshimet mes një shkrimtari dhe një përkthyesi, po pikëtakimet mes tyre?
Përkthyesi letrar nuk është vetëm një njohës shumë i mirë i gjuhës nga përkthen, por një shkrimtar në gjuhën në të cilën përkthen- ky është pikëtakimi.
Ndryshimi është se operon me idetë dhe figuracionin e tjetërkujt. Identifikimi i përkthyesit me autorin, asimilimi i ideve të tjetrit, të mësohesh me veshjen e tjetrit, të mësohesh të jetosh nën lëkurën e tjetrit, është një proces i domosdoshëm. Përkthimi nuk mjafton të jetë vetëm besnik, por dhe i bukur.
Padyshim në se të pëlqen teksti që përkthen e bën punën e përkthimit më joshëse, më mikluese. Në çdo çast përkthimi të vendos para dilemash, problemesh që kërkojnë zgjidhje. Çdo zgjidhje gjuhësore apo kuptimore të shkakton një kënaqësi, njësoj si shkrimtari kur shkruan veprën, në gjetjen e fjalëve dhe prosedeve krijuese. Gjithmonë ka më shumë se një alternativë, për shkak të sinonimisë, apo rendit sintaksor gjuhësor, por dhe të sintaksës së imazheve. Të njëjtën gjë ka bërë edhe shkrimtari kur ka shkruar veprën. Gjetja artistike, mesazhi, intriga, universaliteti, ambiguiteti, sigurisht, i takojnë shkrimtarit.
Jemi kuriozë të dimë edhe për llojin e gjuhës nga ku përktheni, që më së shumti është rumanishtja. Pse zgjidhni të sillni vepra nga gjuha rumune në shqip dhe e anasjelltas? Çfarë ju ka lidhur me këtë gjuhë ballkanase?
Përkthimet e mia janë nga rumanishtja në shqip dhe anasjelltas, por kam përkthyer, më rrallë, dhe në frëngjisht. Vitin e kaluar u botua një vëllim 3 gjuhësh në Paris i poetes shqiptare Luljeta Lleshanaku, ku jam përkthyes i saj në frëngjisht. Kam rreth 25 vjet që jetoj në Bukuresht. Kam studiuar, kam mbrojtur doktoraturën në letërsi të krahasuar në Universitetin e Bukureshtit dhe kam botuar dhjetra libra në rumanisht, për të cilat jam shpërblyer me çmime dhe vlerësime. Jam, gjithashtu, anëtar i Lidhjes së Shrimtarëve të Rumanisë. Rumanishtja është gjuha ime e punës sot. Në këtë gjuhë kam shkruar dhe kam botuar qindra faqe, në këtë gjuhë mbaj ligjëratat universitare, në këtë gjuhë kam lexuar qindra autorë e libra, qofshin rumunë, qofshin të huaj. Duke qenë një autor dygjuhësh e duke u ndodhur midis dy kulturave, e kam ndjerë si detyrim intelektual dhe moral të përkthej nga këto dy gjuhë. Në fakt, kam dashur të ndaj me lexuesin shqiptar, kënaqësinë që kam ndjerë si lëçitës i letërsisë rumune dhe anasjelltas.
(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
“Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes” – Aktiviteti në nderim të autorit dhe krijimtarisë së tij për fëmijë
Xhamia e Et’hem Beut