INTERVISTË

Fituesi i çmimit “Libri i karantinës”, Ervin Nezha: Në letërsi imagjinata mund luajë një rol më të rëndësishëm se gjuha apo eksperienca letrare

Ervin Nezha është një emër i ri, por premtues i letrave shqipe. Në aktivitetin e organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ai u shpall një nga tri fituesit.

Ervin Nezha është emër i ri, por premtues i letrave shqipe. Në aktivitetin e organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ai u shpall një nga tri fituesit. Për Portalin Shkollor, Ervini rrëfen mënyrën si u bë pjesë e këtij konkursi e deri te shpallja fitues. Përveçse krijues, është edhe mësues i Gjuhë Letërsisë. Profesionin dhe pasionin duket se i ka ndërthurur, pasi shpreson të jetë ndër ata mësues që sjellin ndryshime pozitive dhe një botëkuptim të ri. 



Z. Ervin ju shprehim kënaqësinë e të paturit pjesë tē kësaj interviste për Portalin Shkollor Albas. Ju jeni shpallur fitues i aktivitetit, zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Cilat janë emocionet e para që mund të ndani me ne? 


Ju falenderoj që më ftuat për të zhvilluar këtë intervistë në një portal, i cili është kthyer në zërin e shumë mësuesve, kolegëve të nderuar, që përpiqen me mundësitë tyre të ndajnë eksperienca, apo të ngrenë problematika të punës së tyre. Për të qëndruar tek pyetja, mund të them se çdo vlerësim, çdo çmim sado modest të jetë të gëzon sepse të lë të kuptosh se po bën një punë të mirë. Çmimi letrar “Libri i Karantinës" përtej kënaqësisë së çmimit, më gëzoi për faktin se dorëshkrimi im kaloi nëpër një filtër letrar siç qe juria e konkursit dhe kjo më mbush me besim se kam bërë diçka që ka vlera. 



Frymëzimi për të shkruar mbi karantinën, lindi përpara se dëgjuat për konkursin, apo pasi dëgjuat rreth realizimit të këtij aktiviteti? 


Puna ime, për këtë dorëshkrim me rreth 20 tregime, ka nisur dy vite më parë. Pra, këto tregime të ndryshme për nga tematika dhe forma janë shkruar në një hapësirë relativisht të gjatë kohore. Kur u shpall konkursi “Libri i Karantinës", ky dorëshkrim ka qenë i paplotë, sepse mbaj mend që tre-katër tregime janë shkruar pikërisht gjatë periudhës së karantimit. Gjithësesi, pjesëmarrja ime në konkurim ka qenë një diskutim me veten deri ditën e fundit të mbylljes së konkursit, për arsye se nuk isha i sigurtë nëse duhej të konkuroja apo jo. Kjo dilemë për faktin se për juritë e librit në Shqipëri ekzistojnë mite dhe legjenda nga më të ndryshmet. Si përfundim mora pjesë falë këmbënguljes të disa miqëve, të cilët më thanë se nuk do humbasësh asgjë dhe ndodhi pastaj që dorëshkrimi im u shpall njëri nga tre fituesit. Ky dorëshkrim do të vijë i botuar nga shtëpia botuese Albas. 



Cilat janë tregimet që shkruajtët gjatë periudhës së distancimit fizik? Mund të na tregoni diçka rreth specifikave të tyre?


Tregimet që janë shkruajtur gjatë periudhës së karantinimit janë me tematika të ndryshme. Tregimi “Shalli" është një tregim onirik, me nota surreale. Njeriu që zgjedh fatin përmes ëndrrës. Një tjetër tregim është “Takimi", i cili u botua edhe në revistën rumune “Caligraf" nga përkthyesja dhe poetja Oana Glasu. “Po unë kush jam?”, është një tregim me nota satirike, që vë në lojë pikërisht megallomaninë dhe cinizmin që ekziston në rrethet tona të kulturës, artit dhe letërsisë, ku shpeshherë edhe lavdata që vijnë nga persona pa integritet, e dëmtojnë krijuesin e vërtetë. Tjetër gjë është tregimi “Të vdesësh në diell", tematika e të cilit, i mëshon fort fatit të përcaktuar të njeriut. 



A ndikoi izolimi në dëshirën për të shkruar dhe për ta parë situatën në dimensionin artistik? 


Ky virus qe një e papritur e madhe për të gjithë botën. U krijua një situatë gati surreale, ku gjithësecili dëshironte të dinte se çfarë po ndodhte. Pastaj erdhi izolimi në shtëpi. Mund të them se asnjë izolim artificial, nuk i bën mirë mendjes krijuese. Izolimet e detyrueshme e ndrydhin imagjinatën dhe të krijojnë një gjendje jo të mirë shpirtërore, sidomos kur ky karantinim vjen si një mbrojtje ndaj një virusi misterioz, i cili nuk mund të shihet me sy, por kërcënon jetën. Në këto situata, qëndrueshmëria individuale e individit humbet ekuilibrin, mendja shndërrohet në një “karusel" që lëviz në mënyrë të çorientuar pasi humbet garancia thelbësore për jetën. Por ngadalë u mësuam të përshtateshim edhe me karantinën dhe lindi dëshira për krijim dhe lexim, si mënyra për t'i shpëtuar kotësisë dhe si mundësi për të jetuar jetën. Pasqyrimi i gjendjes që po përjeton njerëzimi reflektohet në tregimin tim simbolik “I vdekuri dhe Stuhia", që çuditërisht e kam shkruar një vit më parë, kur situata e pandemisë nuk ishte shfaqur. Ky tregim, ngjarjet e së cilit zhvillohen në një fshat malor, është një miniaturë që rrëfen se çfarë ndodh me njeriun kur e keqja ulet këmbëkryq. Mjafton që gjatë leximit të tekstit, të zëvendësosh fjalën “stuhi" me fjalën “Cov 19” për të krijuar një situatë surreale dhe ankthi të ditëve të sotme. Është një nga tregimet që më bën krenar si krijues, sepse ka marrë shumë vlerësime nga lexues të thjeshtë, por edhe nga persona të njohur të letrave shqipe.



Cili është simboli më i madh i veprës që keni shkruar dhe pse mendoni se pikërisht ju dolët fitues? Ku konsiston vlera estetike e krijimit tuaj? 


Kjo është një pyetje shumë e vështirë për t'i gjetur përgjigje, sepse kërkon që ta vështrosh veprën tënde me syrin e tjetrit. Besoj se juria ka vlerësuar stilin e drejtpërdrejtë të të rrëfyerit, pa metafora, pa letrarizma të tepruara, gjuhën e çiltër, hera-herës të shkujdesur dhe ndoshta frazat e shkurtra me imazhe të gjalla, që tregimit i falin zhdërvjelltësinë dhe karakterin befasues. Simbolikisht suksesi i këtij dorëshkrim tregon se ndonjëherë në letërsi imagjinata mund të jetë luajë një rol më të rëndësishëm se gjuha apo eksperienca letrare.



Për ta njohur më shumë Ervinin shkrimtar, cilët shkrimtarë kanë ndikuar më së shumti në formimin tuaj letrar. A ka lidhje me tyre dhe krijimeve tuaja? 


Leximet e para kanë qenë Tregimet e Moçme Shqiptare të Mitrush Kutelit, më vonë romanet aventureskë të Zhyl Vernit, por ato që më kanë intriguar së tepërmi kanë qënë tregimet e shkurtra të Jack London-it. Më tej, studimet në Fakultetin Filologjik kultivuan te unë një kulturë më të madhe leximi, por edhe shkrimi. Njohja me autorët më të mëdhenj klasikë të shek XIX-XX, sidomos rusë dhe francezë, sigurisht që kanë ndikuar. Do të veçoja tre autorë që i kanë dhënë ndikim stilit tim letrar: Huan Rulfo, Ernest Heminguey dhe Tomas Man. Te Rulfo më ka befasuar estetika brilante, aftësia për ta kthyer vetë gjuhën në intrigë. Heminguej më ka mahnitur me kompozicionin faktastik të tregimit, me teknikën tij të famshme, të fshehjes së faktit kryesor, pra ajo që njihet si efekti “ajsberg", ndërsa tek T. Mann më ka pëlqyer thellësia e mendimit dhe aftësia për ta shprehur atë në menyrën më të kthjellët të mundshme. Letërsia vjen nga letërsia dhe sigurisht që leximet e këtyre autorëve më kanë ndihmuar për të krijuar një stil timin letrar, por gjithashtu kam qenë i vetëdijshëm se për të qenë origjinal, po aq sa leximet, ndihmojnë edhe përvojat e mosleximit, që kanë të bëjnë me guximin për të eksperimentuar dhe të qenurit vëzhgues i kujdesshëm i jetës.



Megjithëse në një moshë të re, profili juaj është shume i pasur. Ju jeni mësues i Gjuhë Letërsisë, gjithashtu. Cila është më e vështirë, sfida e mësimdhënies, apo sfida e të krijuarit? 


Unë kam tre vite që punoj mësues dhe po ashtu kam rreth tre vite që kam nisur të lëvroj letërsi. Janë procese shumë të ndryshme. Nëse mësimëdhënia është një marrëdhënie e vazhdueshme me nxënësit dhe kolegët, arti i krijimit është një proces më intim, pasi në një farë mënyre je vetëm ti dhe fleta e bardhë. Gjykoj se secila ka vështërsitë e veta, në varësi të rrethanave, por se mësimëdhënien e shikoj më të vështirë. Sfidat e mësimëdhënies janë nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë qëllon që ne mësuesve një situatë e vogël në dukje, një incident në shkollë, të na lerë me ditë të tëra pa gjumë. Në përgjithësi, kjo vjen sepse profesioni i mësuesit është një profesion që gjatë gjithë kohës kërkon të ndërveprosh, të ndërveprosh me nxënësin, me prindin, me psikologun, me kolegun dhe kjo të konsumon së tepërmi. Ndërsa sfida e krijimit duke qenë më tepër një dëshirë personale, një pasion, mund të shikohet edhe si një mjet shplodhës për të shkarkuar lodhjen dhe stresin e punës. 


Në lupën e një mësuesi dhe një krijuesi, si e shikoni situatën e arsimit në vend dhe cili është mendimi juaj rreth provimit të Maturës Shtetërore, për sa i përket lëndës së Gjuhë Letërsisë? 


Shikoj se janë dy pyetje të njëpasnjëshme dhe përgjigja ime do jetë e zgjeruar, megjithëse kurrësesi shteruese, sepse këto janë çështje shumë delikate, ku secili mund të japë mendimin e tij dhe asnjëherë të mos biem dakord. Nga natyra unë jam gjithmonë optimist dhe çdo lëvizje në arsimin parauniversitar, që kërkon të sjelli progres dhe përmirësim, përpiqem ta mbështes. Më shqetëson fakti se vitet e fundit politikat e arsimit parauniversitar kanë qenë të paqëndrueshme dhe këmbimi i herëpasherëshëm i kursit të tyre, ka sjellë pasiguri dhe mosbesim, tek mësuesit por edhe te nxënësit. Të krijohet përshtypja se ata që merren me këto politika arsimi janë disa persona, të cilët kanë zënë një vend burakrati në ministri dhe nuk shohin përtej murit të zyrës së tyre. Shumë nisma të ndërmarra, shumë reforma kanë dështuar në mënyrë spektakolare sepse janë implementuar pa studime përkatëse, pa studime gjeografike, ekonomike, sociale në territorin e Shqipërisë dhe ndaj kanë dështuar që në fillim, ose kanë pasur efekte gjysmake. Për shembull, barazimi i kushteve fizike dhe materialeve të shkollës ku unë jap mësim, që gjendet në një terren malor rreth 1200 m mbi nivelin e detit, me kushtet e një shkolle në Tiranë, është një lajthitje që mund ta bëjnë vetëm ato mendje që nuk kanë dhënë asnjë orë mësimi. Pra, ata injorojnë vështërsitë e transportit, dimrin e ashpër, vështërsitë ekonomike, mungesën e bazës materiale etj etj. Përtej kësaj, këto nisma arsimore, urdhërohen të zbatohen pa u provuar paraprakisht dhe më pas ndodh që ato të shëndrohen në “krime intelektuale" siç ishte rasti i nismës “3 lëndë në 6 orë", e cila bashkon orët e planit mësimor në mënyrë mekanike, duke sjellë rrëmujë, mospërqëndrim dhe lodhje. 


Ndërsa për Provimin e Letërsisë, mund të them se qe një provim jokorrekt. Nuk dua të ndalem te rrëmuja që u shkaktua sepse gjërat janë thënë dhe stërthënë, po mua më erdhi keq që kjo histori u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme dhe askush deri tani nuk e di sesi u ul e sesi u ngrit “tavani” i pikëve, të cilin edhe zv. Ministria e quajti “Cut off" se nuk i gjente dot një fjalë në shqip. Më tepër se gabimet serioze në drejtshkrim, pyetjeve abstrakte në formulim, alternativave të diskutueshme, më shqetësoi gjuha e drunjtë e hartimit të tekstit.


Më shqetësoi edhe mënyra, me të cilën Qendra Kombëtare e Provimeve, e mbrojti këtë tezë skandaloze, madje në një emision televiziv drejtoresha e këtij institucioni, jo vetëm që nuk reflektoi shqetësime mbi disa pika të diskutueshme të tezës, por me një vetëbesim për t’u pasur zili, kaloi në akuza, të cilat vështirë se do t’i bënin edhe ato mendje që do të ishin të sigurta se zotëronin “të vërtetën” si koncept hyjnor. Ndërsa zotëria “specialist”, emri i të cilit nuk më kujtohet, i cili thoshte “punë e madhe se teza ka gabime”, nuk duhet marrë fare në konsideratë, sepse është një figurë tragji-komike, që përfaqëson burakratin tipik dhe që i duhet vajtur për ngushëllim një orë e më parë sepse ka vdekur “intelektualisht". Por përpos këtyre që thashë, kërkoj edhe më tepër kurajo nga kolegët e mi, heronj të vërtet në punën që bëjnë, që të jenë më kritikë dhe të ngrenë problematikat hapur, sepse jam i sigurtë, më mirë se ata që punojnë me nxënësit çdo ditë, askush tjetër nuk mund t'i dijë problematikat e arsimit parauniversitar dhe mënyrën sesi mund të përmirësohet ky sistem arsimor.



Cila është risia që Ervini dëshiron të sjellë në arsim? 


Sfidat e mësimëdhënies janë të pafundme. Unë jam personi që zakonisht i lë gjërat të rrjedhin vetëvetiu, sepse kam bindjen se vetë dija, ka një natyrë, e cila nuk e pëlqen trysninë. Gjenerata e re e mësuesve përtej skepticizmit që e rrethon, mendoj se do t'i bëjë mirë arsimit tonë parauniversitar. Edhe filtrat nëpër të cilin kalon një mësues sot, për t'u rekrutuar në punë kanë pësuar një lloj përmirësimi në drejtim të meritokracisë. Kjo bën që mësuesi ta vlerësojë më shumë punën e tij dhe të jetë më i aftë për ta përballuar atë. Unë shpresoj shumë që të jem ndër ata mësues që përpiqen të sjellin diçka ndryshe, një freskim mentaliteti të nevojshëm, që kërkon botëkuptimi i ri për jetën.



Të shkruarit është diçka që vjen natyrshëm dhe është e vështirë të parashikohet, por në perspektivën tuaj, cilat janë synimet e së ardhmes? 


Në letërsi asnjëherë nuk bëhen parashikime, sepse shumë nisen drejt majës dhe pak prej tyre përfundojnë në majë. Përfundimi i këtij dorëshkrimi të parë qe një lehtësim shpirtëror dhe çmimi që ai mori qe qershia mbi të tortë, pasi tani fitoj mundësinë të botohet. Ajo që më mbetet mua është të dëshmoj se ky çmim nuk qe një rastësi dhe sfida është të përsëritem me një sukses tjetër, por sigurisht që për të përfunduar një punë të mirë, efekti kohë është i rëndësishëm dhe ndoshta duhen pritur edhe dy-tre vite të tjera për të korrur një sukses të ri.



Intervistoi Parajsa Shtini

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,101 Lexime
4 vjet më parë