SHTËPIA MONUMENT

Fillojnë punimet për restaurimin e shtëpisë, ku ka jetuar për pak kohë At Gjergj Fishta

Shtëpia ku At Gjergj Fishta ka jetuar në periudhën e hershme të jetës së tij, do t'i nënshtrohet një restaurimi. Banesa e At’Gjergj Fishtës, në Fishtë, Lezhë, mban statusin e Monumentit të Kulturës

Banesa e At’Gjergj Fishtës, në Fishtë, Lezhë, mban statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë  së “II”-të, shpallur me Vendim të Komiteti të Kulturës dhe Arteve, Nr.4, datë 7.05.1991 dhe Vendim të MTKRS me Nr.702, datë 05.06.2008.


Projekti synon restaurimin e plotë të banesës, me një fond prej 5,935,887 lekë. Punimet restuaruese do t’i përmbahen konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati.


Në projekt i është dhënë rëndësi dhe punimeve në oborrin e godinës, ku përfshihen restaurimi i murit rrethues dhe kangjellave metalike; shtrimi i rrugës, që lidh portën e hyrjes në oborr me hyrjen kryesore, në banesë;  realizimi i një sistemi drenazhi dhe sistemimet e jashtme me gjelbërim.


Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti inspektoi fillimin e punimeve të shumëpritura nga komuniteti vendor. Sipas Ministres Margariti, “pavarësisht problematikave, me të cilat është përballur vendi ynë gjatë muajve të fundit, që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, te pandemia COVID 19, Ministria e Kulturës e mbajti premtimin e dhënë në 23 tetor 2019, në Lezhë, me rastin e ditëlindjes së Fishtës”. 


Ky projekt restaurimi është pjesë e një projekti më madhor, që parashikon prekje edhe në stacione të tjera nga ka kaluar jeta e Fishtës: “Rrugëtimi fishtian”. 


Ky rrugëtim nis me: 

1. Ish- banesën, ku ka lindur At Gjergj Fishta, më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, Lezhë. 

Dikur aty ngrihej një godinë reale, e shpallur monument kulture, por sot ka mbetur vetëm një kryq dhe një libër simbolik. Aty parashikohet ndërtimi i një memoriali të denjë për poetin. 

2. Rrugëtimi vijon me banesën, ku sot nisi rikonstruksioni, në fshatin Fishtë.

3. Për të kaluar në ato institucione, ku ai do të niste udhën si klerik: si Kuvendi, kisha dhe shkolla Fraçeskane. 

4. Kuvendi i Troshanit, monument kulture, është vendi ku ai kaloi një periudhë të gjatë të kohës së tij si mësimdhënës. 

Pas studimit në Bosnje si meshtar, do të kthehej sërish në Troshan, ku edhe do të jepte meshën e tij të parë, teksa ishte 23-vjeçar. 

5. Kisha famullitare e Dom Lleshit - Zoja Nunciatë, në Lezhë, është një tjetër pikë qëndrimi, ku Fishta kryente shërbime fetare dhe shërbeu si kapelan (1896-1897). Një ndërtesë me një histori të gjatë, që ka shërbyer si spital gjatë Luftës së Dytë Botërore, e me ndalimin e besimit fetar u bë stallë dhe, në vijim, ofiçinë mekanike dhe kovaçeri. 

Këmbanaria u rrëzua dhe hyrja u tjetërsua, për të lejuar kalimin e kamionëve. 

6. Mesha e shenjtë, e kremtuar me 3 mars 1991, shënon edhe për Lezhën fillimin e një pranvere të re fetare e, njëkohësisht, rikthimin e ndërtesës historike kishtare në funksionin e saj si vend kulti i krishterë. 

Mendohet se në dritaret e kësaj kishe At Gjergj Fishta ka shkruar këngën e fundit të “Lahutës”. 

7. Selia e Shoqërisë "Bashkimi" na rrëfen për aktivitetin patriotik të At Gjergj Fishtës. Fishta mori pjesë në të gjitha botimet e shoqërisë duke filluar që nga Abetarja, libra këndimi e deri tek përpilimi i “Fjalori i Bashkimit”, 1908. 

8. Kuvendi, kisha dhe shkolla Fraçeskane nuk mund të jenë jashtë këtij itinerari. Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane, ku ndërmori si iniciativë të parë vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi, pasi në Shkodër, aso kohe, synohej ndjekja e shkollave në gjuhët italisht, frëngjisht, turqisht.

Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Ku pëveç librave të vet e të bashkëvëllezërve, mblodhi gjithçka gjeti të vlefshme për të rinj e studentë e mësues.



Parajsa Shtini 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,174 Lexime
4 vjet më parë