“Eseja e maturantit, ana kuptimore më rrëmben vëmendjen”
“Ky nxënës ka ide të qarta për të ardhmen e tij, ka argumentuar në mënyrë modeste, se ky profesion "shpërndarës droge" i sjell të ardhura të mira në jetë, i shton rrjetin shoqëror dhe për më tepër i teston shoqërinë!”
Dëshira e maturantit për t’u bërë shpërndarës droge ka bërë që në redaksinë tonë të vijnë reagime të ndryshme nga mësues dhe prindër. Sot ju sjellim mendimin e mësueses së letërsisë Jonida Lalaj. Ajo na tregon se si do të reagonte nëse një nga nxënësit e saj do kishte shkruar pikërisht këtë përgjigje.
"Të gjithëve ne, si mësues, na ndodh shpesh të korrigjojmë punë të nxënësve. Gjatë rubrikës "Shkrim i lirë", në klasë apo në shtëpi, ata shpalosin fantazinë dhe botën shpirtërore.
Çdo mendim i tyre duhet vlerësuar.
Po nëse has të tillë detyrë?
A duhet respektuar liria e mendimit e cila bie ndesh me ligjet ne fuqi?
-Ah, këtu ngec!
Në këtë detyrë has dhjetëra problematika, edhe pse "rroftë sinqeriteti”, nuk vlen....
Së pari do të korrigjoj këtë shkrim, nga ana kuptimore, strukturore dhe drejtshkrimore.
Çuditërisht si mësuese ana kuptimore më rrëmben vëmendjen dhe unë lëshoj "kujen" për brezin që po rritet...
Ky nxënës ka ide të qarta për të ardhmen e tij, ka argumentuar në mënyrë modeste, se ky profesion "shpërndarës droge" i sjell të ardhura të mira në jetë, i shton rrjetin shoqëror dhe për më tepër i teston shoqërinë!!!!
Ky lloj profesioni i jep të drejtat për të plotësuar gjithë dëshirat e së ardhmes.
Vallë është mjedisi familjar i këtij fëmije i tille, ai njeh realisht persona që gëzojnë "këtë mirësi"?
Vallë është shoqëria jonë që shet të paligjshmen si të ligjshme, antivlerat si vlera?
Ndaj një shprehje thotë që "Edukimi i fëmijës fillon 20 vite para se të lindë ai fëmijë".
Një familje e shëndoshe, pavarësisht të ardhurave (i varfër apo i pasur) duhet të kultivojë te fëmija natyrshëm, modelin e ndershmërisë, moralin dhe parimet pa cenuar shoqërinë", përfundon mësuesja.
Blerina Kapaj, nënë e dy djemve na tregon se si ajo po përpiqet të edukojë fëmijët e saj, t’i kuptojë, t’i dëgjojë... madje ajo dhe bashkëshorti i saj po mësojnë se si të reagojnë apo t’ju përgjigjen pyetjeve delikate të fëmijëve. E për këtë ata informohen mbi studimet e fundit, bisedojnë me prindër të tjerë si dhe konsultohen me specialistë vazhdimisht.
“Prindërit e rinj duhet të jenë të kujdesshëm duke iu shpjeguar fëmijëve gjithçka që ju ndodh përreth me një sens realizmi e vërtetësie, t’i rrisin fëmijët me respekt e dinjitet, t’i bëjnë të aftë për t’iu dalë zot vetes së tyre. Në jetë duhet punuar për të fituar e për të punuar duhet mësuar e më tej praktikuar... Fillon që në vegjëli që të mësohet se gjërat me vlerë nuk fitohen lehtë dhe nëse shohim që ndodh përreth që të tjerët bëjnë hile e përfitojnë më shumë kjo nuk duhet konsideruar si vlerë ... është një nismë serioze prindërimi dhe unë jam duke mësuar çdo ditë e duke u përpjekur çdo ditë të rritem bashkë me nevojat e fëmijëve të mi për të kuptuar botën. Unë dhe im shoq konsultohemi me njeri-tjetrin rreth studimeve të fundit, bisedojmë me prindër të tjerë apo dhe ekspertë për të gjetur format e duhura të të reaguarit ndaj fëmijëve dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve delikate.”
Kjo detyrë ka është komentuar dhe shpërndarë shumë herë në rrjetet sociale. Të gjithë përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh me brezin e ri. Prindërit fajësojnë veten për gjendjen ekonomike, për shkak të pamundësisë për t’ju plotësuar të gjitha nevojat dhe dëshirat fëmijëve të tyre; ndërsa mësuesit gjenden përballë një realiteti të vështirë dhe nuk dinë se si të reagojnë, përpiqen të ndalen tek struktura e shkrimit por i rrëmben përmbajtja.
Na shkruani mendimin tuaj në [email protected]
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur për ditëlindje
Karakteristikat e një mjedisi efektiv mësimor
Të njohim fëmijën përmes pikturës