KRIJIM

Ese me titull "Ferri tokësor"

Ese nga Erdet Arizaj, nxënës i klasës X në gjimnazin "Petro Nini Luarasi", Tiranë mbi Ferrin që po përjetojmë këto kohë nga prania e virusit. Prej një viti, duket sikur Ferri është zhvendosur nga vendi imagjinar për t’u shfaqur mes nesh.

Unë nuk e di nëse ekziston Ferri. Nuk e di a janë të vërteta mundimet, vuajtjet apo dyshimet, që thuhet se të torturojnë në atë vend. Po prej një viti të paktën, më duket sikur Ferri është zhvendosur nga vendi imagjinar për t’u shfaqur mes nesh. Madje ndonjëherë, më duket sikur unë dhe shokët e mi, apo bashkëmoshatarët e mi, jemi pjesë e tij. 


Si mund të mendojmë ndryshe kur çdo ditë, prej një viti, na kanë bërë shënjestra se jemi ne që infektojmë me koronavirus gjyshërit e gjyshet tona, nënat dhe baballarët tanë. Krejt pa të keq, çdo natë në TV, prej një viti, dëgjojmë mjekë e gazetarë, të ditur e injorantë, që thonë se mosha jonë janë rreziku më i madh, duke të krijuar atë ndjesinë e përfaqësuesit të së keqes. 


Më duket sikur unë me shokët e mi, kudo ku shkojmë, sa herë hyjmë në shtëpi, sa herë përqafojmë njerëzit tanë, kemi me vete një thes me virus brenda që e shpërndajmë kudo. Shtoji kësaj frikën e përditshme që vjen sapo hap celularin, laptopin, apo televizorin ku vërshojnë pa asnjë kontroll lajme të zeza mbi vdekjet, mbi moshën, mbi çdo episod që edhe mund të shmanget, atëherë të duket sikur jeton mbi buzë të një humnere. Maskat janë mbrojtëse sigurisht, por askush nuk mendon se janë kaq jonormale, dhe të shohësh njerëz me fytyrë gjysmë të mbuluar është edhe e ankthshme. Ndonjëherë duken si mbetje mumjesh. 


Nuk e di nëse këto kohë që jetojmë do të lindi një Dante për t’i përshkruar, por jam i sigurt se për shumë prej nesh, këto kohë, nuk do të jenë si yje në qiell që t’i tregojmë si histori, por do të jenë si vrima të zeza, nga të cilat askush nuk e di nëse mund të dalë më. Njësoj si në ferrin që përshkruajnë librat. Sepse me dashje, apo pa dashje, ne, që nuk kemi asgjë në dorë, gati po na fajësojnë për infeksionet e për vdekjet. Vallë çfarë bëjnë më shumë ata që perfundojnë në Ferr? 


Nëse do kisha fuqi, do u bërtisja në vesh njëri pas tjetrit, televizion pas televizioni, mjek pas mjeku, gazetar pas gazetari, portal pas portali: Të papërgjegjshëm, kujdes çfarë nxirrni nga goja. Ne kemi veshë, dimë dhe të lexojmë. Mjaft na akuzuat!



Nga Erdet Arizaj, nxënës i klasës X, gjimnazi "Petro Nini Luarasi", Tiranë 


Publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,870 Lexime
3 vjet më parë