Studimi

Ekspertët po studiojnë eshtrat e mamuthit 14 mijë vjeçar

Rezultatet e para të studiuesve tregojnë se mamuthi ka qenë rreth 25 vjeç, ishte 3.5 metra i lartë, pesë metra i gjatë dhe peshonte rreth 5 tonë.

Ekspertët meksikanë kanë përshpejtuar punën me eshtrat e mamuthit 14.000 vjeçar, që arkeologët besojnë se do të hedhë një dritë të re mbi njerëzit primitivë.


Kockat u gjetën në vitin 2016 pranë qytetit Tultepec gjatë shtrimit të një tubacioni. Që nga ajo kohë, specialistët janë munduar të veprojnë me sa më shumë kujdes për të mos i dëmtuar eshtrat e fosilizuara. 


Zbulimi konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në vend. Mamuthi ishte i prerë në copa, çka dëshmon praninë e njerëzve të lashtë në Meksikë në të njëjtën periudhë kohe. 


“Kemi parë që kockat janë përzierë. Nuk ishin të vendosura në rendin anatomik, ndaj mendoj se pas analizimit të tyre mund të dilet në përfundimin se kafsha është copëtuar nga gjuetarët për mishin dhe lëkurën e tij”, thotë arkeologu Luis Cordoba.


Mamuthët e fundit në tokë kanë jetuar rreth 5.000 vjet më parë. Edhe pse në ditët tona, zona përreth Tultepecut është e thatë, besohet se dikur ajo mund të jetë mbuluar nga një bimësi e harlisur dhe rezerva të shumta ujore. 


Rezultatet e para të studiuesve tregojnë se mamuthi ka qenë rreth 25 vjeç, ishte 3.5 metra i lartë, pesë metra i gjatë dhe peshonte rreth 5 tonë.

1,729 Lexime
7 vjet më parë