“Efekti i një paragjykimi” nga Hysen Doko
“Efekti i një paragjykimi” është shkrimi letrar i Hysen Doko, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Etiketimi “mësues” apo “profesor” siç shpesh është kthyer në zhargon nga nxënësit e sotëm, për mua nuk është shumë i largët, vetëm dy vite më parë, kohë kur vendosa të punoj si mësues Matematike në shkollën 9 – vjeçare “70 Vjetori i Pavarësisë” në qytetin e Poliçanit.
Pas diplomimit kreva praktikën profesionale dhe isha në pritje të provimit të licencës, për ti hapur më pas rrugën punësimit dhe aderimit në profesionin e bukur të mësuesit.
Nga koha e përfundimit të praktikës dhe deri në ditën e licencimit nuk ishin pak, por 11 muaj (maj 2021 - prill 2022), dhe si çdo i ri 25 vjeçar më duhej të angazhohesha diku për të gjeneruar të ardhura. Në kokë më vinin lloj – lloj mundësi punësimi, si kamerier, ndihmës teknik nëper zanate të ndryshme, recepsionist hoteli, etj, por në asnjë prej tyre nuk më bëhej të nisja, pasi nuk e shihja veten tek asnjëra prej tyre. Tendenca e vetme për punë të tilla ishte eksperienca prej vetëm një jave si recepsionist hoteli, prej nga ika pa mbaruar ende faza e provës. Nuk e përtypja dot faktin se një i diplomuar për mësues nuk mund të punonte dot në këtë profesion për shkak të burokracive dhe mospërputhjeve institucionale, edhe pse e kisha me shumë pasion këtë gjë.
Teksa shfletoja internetin nga celulari, lexova diku se personat e diplomuar për mësuesi mund të punonin si mësues edhe nëse ishin në proces licensimi apo nuk ishin pjesë e portalit “Mësues për Shqipërinë”, nëse për një vend pune nuk do të kishte asnjë kandidat të paraqitur nga portali. Pasi lexova këtë lajm, mendova të tentoj njëherë për vende të tilla. Formulova në celular mesazhin:
“Përshëndetje! Jam Hysen Doko nga Korça. Kam përfunduar studimet për Mësuesi në Matematikë në vitin 2020. Kam bërë praktikën profesionale dhe jam në pritje të provimit të licencës. Kam dëgjuar që në ZVA tuaj mund të ketë hapësira për mësues Matematike ose Shkencash Ekzakte. Nëse është mundësia, shpreh gatishmërinë për të punuar atje si mësues me kontratë për disa kohë, aq sa janë nevojat në zyrën tuaj. Do të isha i lumtur nëse kërkesa ime merret në konsideratë. Faleminderit!” , dhe ua nisa të gjitha faqeve zyrtare të ZVA – ve në Shqipëri, nga veriu në jug të Shqipërisë, pa përjashtuar asnjë. Disa ZVA, më kërkuan kërkesën me shkrim së bashku me dosjen me postë, por ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte ZVA Poliçan, e cila kishte nevojë për mësues Matematike me normë të plotë, brenda profilit, me kontratë 1 vjeçare, në shkollën 9 – vjeçare të qytetit. Nuk hezitova dhe vazhdova komunikimin me këtë ZVA, ku lashë dhe takim për të dorëzuar dosjen.
Poliçani ishte nga ato qytete që e kisha lexuar vetëm në libra për uzinën, por kurrë s’më shkonte mendja se do punoja mësues aty. Pranova vendin e punës.
Shkova në shkollë që në orën 7:15. Aty gjej vetëm sanitaret dhe rojën, ku më pas filluan të vinin mësuesit një nga një dhe unë që u prezantohesha:
-Jam mësuesi i ri i Matematikës, nga Korça.
Bie zilja dhe në orarin që ishte miratuar para se unë të vija, më binte që orën e parë të kisha matematikë me klasën e 8-A. Me t’u informuar për këtë, u përballa me një reagim interesant nga disa kolegë të cilët më thanë:
-Paske mësim orën e parë të punës tënde në klasën më të vështirë të shkollës.
Si i ri që isha, s’arrita t’i jepja dot kuptim një reagimi të këtillë, megjithatë hyra në klasë me peshën e këtij “paragjykimi”. U prezantova dhe nisa të bëj apelin. Më pas, shkrova në tabelë temën e mësimit. Në klasë kaplonte heshtja.
Mbaroj orën e mësimit dhe dal nga klasa për të shkuar në sallë, ku pa hyrë brenda, mësuesit më pritën plot kureshtje:
-Hë si dole?.
Nuk doja të tregohesha i padrejtë dhe u thashë:
-Mirë shkoi kjo orë, por mbase ishte hera e parë me mua, ndaj nxënësit qëndruan mirë në klasë.
Me kalimin e ditëve krijova imazhin dhe personalitetin tim të mësuesit në Poliçan. Me ato këshillat apo sugjerimet e kolegëve, arrita të integrohem brenda kolektivit.
Çdo mësues në arsim krijon raportet e tij personale dhe profesionale me veten, kolegët dhe nxënësit, mbi bazën e personalitetit dhe natyrës që zotëron.
Kaloi një vit që u shkëputa nga ajo shkollë, por thuajse me shumicën e nxënësve të asaj klase, kryesisht djemtë, të cilët etiketoheshin si problematikët e saj, ruaj kontakte dhe respekt të ndërsjellë.
Ajo çka tërheq vëmendjen është se çdo mësues dhe nxënës është unik në karakterin dhe personalitetin e tij.
Paragjykimet nuk janë elemente që të ndihmojnë për të njohur dhe bashkëvepruar me klasën në çdo rast.
Hysen Doko
Hysen Doko ka përfunduar studimet për mësues Matematike në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” dhe programin përgatitor për “Udhërrëfyes Turistik Kombëtar” pranë Universitetit “Barleti” Tiranë. Ka punuar mësues matematike në shkollën 9 – vjeçare “70 Vjetori i Pavarësisë” Poliçan dhe aktualisht prej një viti është mësues matematike në shkollën 9 – vjeçare “Ismail Gjata” Cangonj – Devoll. Paralelisht, me kohë të pjesshme punon dhe guidë turistike kombëtare me turistë vendas dhe të huaj. Është botues i disa artikujve në revista shqiptare dhe të huaja, referues në disa konferenca shkencore.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” nga Marçela Tafilaj
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“Dashuri, që s’ka nevojë për fjalë” nga Elida Shkëmbi