Studimi

Dita Ndërkombëtare e Librit/ Studim: Sa lexojnë të rinjtë?!

Edhe pse kënaqësia në leximin mund të jetë rritur paksa gjatë kohës së pandemisë, është ende e nevojshme të inkurajohet më tej ky zakon që ndryshon dhe përmirëson kaq thellësisht jetën, pra patjetër të lexojmë. Vëzhgime dhe opinione të marra nga Donika Bakiu.

23 prilli i njohur ndryshe si Dita Botërore e Librit dhe e Drejta e Autorit, ose Dita Ndërkombëtare e Librit, është një ngjarje vjetore e organizuar nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) për të promovuar leximin, botimin dhe të drejtat e autorit. Kjo pasi u morën në konsideratë faktet se libri historikisht ka qenë instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive, si dhe mjeti më efikas për ruajtjen e tyre. Lexuesit e “zjarrtë’’ mund të flasin dhe të shkruajnë me elokuencë dhe rrjedhshmëri më të madhe, duke i bërë mendimet e tyre të lehta për t'u ndjekur nga të tjerët. Librat  ushqejnë ndjenjat, për të zhvilluar ndjeshmëri dhe për të motivuar lexuesit për të ndjekur ëndrrat dhe qëllimet e tyre.   


Prof.dr Lulzim Aliu-  Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës në RMV thotë: “ Të lexuarit është veprim i cili mund të kryhet për qëllime të ndryshme dhe sigurisht që lexohet për qëllime të marrjes së informatave të reja, për të mësuar, për të qenë në rrjedhë me zhvillimet e fundit, si edhe për kënaqësi. Sa i takon kësaj të fundit, beletristikës apo të lexurit e veprave letrare te të rinjtë (mosha shkollore) lexojnë atë që e kanë detyrim shkollor dhe shumë pak lexojnë jashtë asaj që ju kërkohet. Përgjithësisht, gjykoj se nuk lexohet mjaftueshëm dhe tendenca te të rinjtë është që të lexohen kryesisht vepra apo krijime që i gjejnë në formë elektronike. Përse nuk lexohet mjaftueshëm gjykoj se janë dy arsye: e para format e ndryshme të rrjeteve sociale dhe platformave digjitale kanë bërë që shumëkush të kaloj më shumë kohë me to dhe kjo shkon në dëm të të lexuarit, si dhe e dyta nuk ka motivim të duhur nga prindërit dhe mësimdhënësit që t'jua zhvillojnë ndjenjën e dashurisë ndaj librit që në moshë të fëmijërisë. Forma elektronike ka ndikuar në rënien e interesit për të lexuar vepra letrare. Libri si libër është zëvendësuar me celularin, tabletin apo laptopin, me përjashtime të vogla. Tituj të lexuar: - Red, White, and Royal Blue nga Casey McQuisto - It Ends With Us nga Colleen Hoover, Sëmundja e ëndrrave nga Mehmed Kraja ,- 48 Ligjet e pushetit nga Robert Green.’’          


Doc.dr Arta Selmani,Profesoreshë e të drejtës familjare -Prodekane në Fakultetin Juridik- UEJL thotë: “Është evidente që revolucioni teknologjik ka depërtuar në të gjitha segmentet jetësore, madje është bërë pjesë e pandashme e ushqimit shpirtëror duke e zëvendësuar librin. Edhe përkundër rritjes së vazhdueshme të numrit të studentëve dhe të diplomuarve, kemi një ulje të lexueshmërisë së literaturës akademike, romaneve dhe formave tjera të librave të shtypur. Për shkak të prezencës së pashmangur të pajisjeve teknologjike, të rinjtë më shumë preferojnë që librat t’i kenë në formë elektronike ose audio inçizimeve. Burim informatash i një të riu janë rrjetet sociale, tek të cilat qasja është shumë e lehtë dhe temat që postohen janë aktuale dhe interesante për moshën e tyre. Të rinjtë modelet jetësore i marrin nga moshatarët e tyre dhe të ashtuquajturit VIP personat të cilët në vazhdimësi janë prezent nëpër celularët e tyre, e të cilët në asnjë mënyrë nuk promovojnë stilin e të lexuarit. Problem tjetër i radhës është dinamika jetësore. Të rinjtë konsiderojnë që jetojnë në një kohë me tempo shumë të shpejtuar, andaj ata nuk kanë kohë që 1 orë brenda ditës t’ia kushtojnë leximit. Në mesin e të rinjve libri është diçka demode dhe humbje kohe. Në të vërtetë, sa të rinj dinë për titujt e fundit, autorët më të mirë të kohës së tyre, librat klasikë, romanet avanturistikë, sa të rinj lexojnë lajmet ditore nëpër gazeta ose ndëgjonë lajme në TV? Këto tema shumë pak bisedohen në mesin e tyre, madje nëse dëshirojnë të marrin informata të tilla, të njëjtat i gjejnë përmes google, instagram ose facebook, e jo nga biseda të përditshme dhe asesi në këmbime të titutjve. Mbase, pas kalimit të viteve ata do ta kuptojnë se kanë humbur shumë nga frymëzimi që të jep një storie, nga qetësia shpirtërore që mund të ta fal një autor, kënaqësinë e gjetjes së informatave të gatshme, mundësinë që gjatë leximit të udhëtosh në vende të ndryshme dhe në kohëra të ndryshme historike. Andaj, dashuria për lexim duhet të nxitet që nga mosha 2 vjeçare, me leximin e përallave para gjumit, e më pastaj përmes dhurimit të librave motivues, enciklopedive të ndryshme si dhe storieve me rrëfime magjike, kjo me qëllim të shtimit të kurreshtjes ndaj eksplorimit të hapsirës që ofron leximi. Fëmijëve dhurojuni libra, edhe pse për momentin mbase mund të mos gëzohen si ndaj ndonjë lodre, mirëpo mund të jeni ju ata që ia hapni diapazonin që ofron libri dhe leximi. Titujt e mi të preferuar për këtë vit- Vajza në rrjetën e merimangës; Une e di pse këndon zogu në kafaz; Triologjia (Unë më parë se ti, Pas teje, Përgjithmonë unë); 10 minuta e 38 sekonda në këtë botë të çuditshme; Qumështi i zi; Triologjia (E kuqja rubin; E gjelbërt smeraldi; Blu safiri); Ikigai; Më thuaj kush jam; Eva e njerëzimit; Homodeus; 21 leksione për shekullin e 21.Për në fund, përgëzoj iniciativa të këtilla për të ndarë titujt preferencial të cilat mund të shërbejnë si një pikë reference për lexim. Gjithashtu, uroj që sa më shumë të shtohen të rinjtë të cilët organizohen përmes klubeve të tyre për të këmbyer ide për ndonjë roman mbresëlënës, si dhe të mbështeten organizimet ku rrëfehen përshtypjet dhe këmbehen idetë e fituara nga ndonjë roman siç është rasti me eventet e kësaj natyre në Space Tetova. Bisedat e këtilla midis të rinjve mund të jenë shumë të dobishme për zhvillimin e mendimit kritik dhe vetanak si dhe aktivizimin e shëndetit mental për gjëra të dobishme. Ndërkaq, ne më të rriturit, le t’i zëvendësojmë bisedat tona për ndonjë fustan të modës me përshtypjet e fituara nga “udhëtimi” në librin e fundit.’’                                                                                          


Gjulten Ajruli –Bibliotekare e Lartë në IN Biblioteka “Koço Racin-Tetovë” thotë:” “Ka krime më të këqija se djegia e librave. Një prej tyre është që të mos i lexosh”. Ky përkufizim i Joseph Brodsky, duhet të jetë padyshim një shtysë për të ndikuar në botëkuptimin tonë mbi librat dhe rëndësinë e pazëvendësueshme që ka leximi.Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimit të teknologjisë dhe digjitalizimit dhe ndikimin e tyre në zbehjen e dëshirës për të lexuar.Zhvillimi i teknologjisë ndjeshëm ka ndikuar në dëshirën për të lexuar. Viteve të fundit bibliotekat përballen me një fenomen shkatërrues për shoqërinë siç është kriza e të lexuarit. Ardhja e kohërave të rrjeteve të ndryshme ka mbërthyer lumturinë me kthetrat e saj.Nisur nga kjo premisë, mendoj se duhet hartuar një strategji afatgjate, e kombinuar me shumë aktorë dhe faktorë, të cilët do të projektojnë rrugën e afrimit të lexuesit me librin, si dhe do të ndërtojnë një vizion që i shërben përmirësimit të dukshëm të marrëdhënies lexues-libër. Si duhet bërë kjo? Duhet që ne gjithmonë të fajësojmë të rinjtë për mosinteresimin e tyre për lexim? Sa jemi të gatshëm dhe sa punojmë në drejtim të inspirimit të tyre për të lexuar? Institucionet përkatëse, si bibliotekat dhe shkollat duhet të jenë më fleksibile në raport me këtë synim dhe të hartojnë praktika të thjeshta që mundësojnë kapërcimin e kësaj krize.Jemi dëshmitarë të ndikimit të faktorëve politik në institucionet e ndryshme shtetërore e posaçërisht në ato kulturore. Në një vend ku investimi në kulturë është minimal dhe për të ardhur keq, domosdo që edhe rezultatet e arritjeve kulturore do të jenë minimale dhe aspak të kënaqshme. Masakrimi i institucioneve kulturore, në veçanti atyre shqiptare nga ana e Ministrisë për Kulturë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është një faktor tjetër po aq i rëndësishëm në këtë aspekt. Kjo Ministri nuk ndan mjete mjaftueshëm për shtëpitë botuese, për shoqëritë kulturore shqiptare dhe si pasojë e kësaj kemi një dështim total në ngritjen e nivelit kulturor te të rinjtë në veçanti dhe në tërë shoqërinë në përgjithësi. Përderisa shtete të ndryshme të botës, si p.sh. Italia vetëm e vetëm për të stimuluar të rinjtë investoi në një projekt ku për çdo të ri që mbush 18 vjeç ofroi nga një shumë me vlerë prej 500 euro që të njejtat t’i shfrytëzojnë për libra, teatro, film dhe për aktivitete të tjera kulturore, vendi ynë, fatkeqësisht  të rinjtë i sheh me kundërvlerë prej 1000 denarësh sapo arrijnë të drejtën e votimit, me qëllim të sigurimit të posteve të tyre.Sot, të rinjtë nuk lexojnë sepse nuk kanë modele. Sepse prindërit mezi arrijnë t’i mbajnë gjallë ata e lëre t’u sigurojnë blerje të ndonjë libri me çmime stratosferike. Sot, shkolla dhe arsimi janë në nivelin më të ulët të mundshëm, sepse edhe këtu politika ka shtrirë duart. Sot, qytetit të Tetovës i mungon një bibliotekë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, i mungon një leximore, Tetovës i mungon shumçka….Atëherë, me ç‘të drejtë duhet të kërkojmë nga të rinjtë kur nuk ju ofrojmë asgjë?!!!Por, kjo nuk më dekurajon mua dhe shumë të rinjë që në plan të parë kemi librin, punën dhe jo politikën. Libri mbetet dashuria e të gjitha kohërave.Këtë e dëshmon edhe fakti që, pavarësisht të gjitha mangësive që ka shoqëria dhe sitemi ynë shtetëror, përsëri numri i lexuesve në IN Biblioteka Koço Racin-Tetovë numëron me mbi 6000 lexues aktiv dhe përkundër kushteve aspak të kënaqshme ajo akoma radhitet ndër bibliotekat më të frekuentuara në Maqedoninë e Veriut. Përpos lektyrave shkollore që janë të domosdoshme në sistemin arsimor, lexuesit tanë vazhdojnë të jenë të interesuar për të lexuar letërsi klasike, moderne, libra rozë ose edhe poezi. Librat me tematikë psikologjike rradhiten në krye të kërkesave të tyre. Si tituj që vazhdojnë të jenë më të kërkuara në Bibliotekën e Tetovës janë: “Gjuetari balonave’’- Khaled Hosseini, “Çiraku i arkitektit’’- Elif Shafak, “10 minuta e 38 sekonda në këtë botë të çuditshme’’- Elif Shafak, “Kur mbylla sytë’’- Linda Green, “Shkolla e rrugës : kujtime’’- Tara Westover, “Inteligjenca emocionale’’- Daniel Goleman, “Fillo me pse’’- Simon Sinek, “Krim dhe ndëshkim’’- Dostejevski, “Mund të jeni të lumtur pavarësisht çdo gjëje’’- Richard Carlson, “Fuqia e mendimeve’’- Burbuqe Raufi, “Babai i pasur, babai i varfër’’- Robert T. Kiyosaki  dhe shumë tituj të tjerë nga autorë të ndryshëm.Do të kalojmë shumë kriza, por rëndësinë e librit nuk do ta zbehin dot kurrë.’’   

 

Zirafete Luta punonjëse në Librarinë Albas- Tetovë thotë: “Pa dyshim që librat janë një pasuri e madhe. Dhe sot fatëkeqsisht personat që e dinë këtë janë të paktë. Ata mund t’i gjesh tek - tuk nëpër skajet e kafeneve, apo të ndonjë parku me librat e tyre në dorë, të arratisur tërësisht nga realiteti që i rrethonë. Janë pikërisht këta persona që përshkojnë, duke vëzhguar imtësishtë raftet e librarisë sonë nga fillimi deri në fund, ku mezi vendosin se cili libër do përfundoi në qesen e tyre. Mund të them se nuk ka shumë lexues, por ama ato që lexojnë janë aq të dhënë pas leximit, saqë po t’u jepej mundësia do ta merrnin tërë librarinë me vete për të ua bashkuar librave tjerë në bibliotekat e tyre. Përse kusuri tjetër i rinisë sonë nuk lexon sa duhet, është një pyetje që është bërë vazhdimisht dhe mendoj se ekzistojnë arsye të ndryshe pse ndodhë një gjë e tillë. Por sipas mendimit tim është mungesa e vetëdijes ajo që e luan rolin kryesor në këtë aspekt. Shumica e rinisë, nuk është e vetëdishme për vlerat dhe rëndësinë e librit. Leximi elektronik për një “bookworm” është sikur të lexoj histori apo statuse të ndryshme nëpër rrjetet sociale. Pra lexuesi nuk e ka ndjesinë e njëjtë sikur lexon një libër fizik. Dhe mendoj se, të paktën te ne, nuk është se e ka penguar leximin tradicional. Titujt më të preferuar për këtë vit janë: 1. Shejntori, sërfisti dhe sipërmarrësja - Robin Sharma 2. Dita e shtatë - Yu Hua 3. Rumi i ndaluar - lirika të zgjedhura 4. Nga dëshira digjem - Sapfó 5. Bankieri anarkist - Fernando Pessoa 6. Shtatë të çmendur - Roberto Arlt 7. Psikologjia e parasë - Morgan Housel 8. 13 Gjëra që njerëzit e fortë mendërishte nuk i bëjnë - Amy Morin 9. Loja e Geraldit - Stephen King 10. Gjuha e trupit - JamesBorg 11. Te lirë - Lea Ypi 12. Si të bëhesh zot i mendjes tënde- Napoleon Hill 13. Superfuqia - Ian Bremmer 14. Premtoj të dashuroj - Pedro Chagas Freitas 15. Jetë burgu - Fatos Lubonja 16. Te poshtë - Herta Müller 17. Truri i fëmijës - Daniel Siegel 18. Gra të padukshme - Caroline Perez 19. Mbaron me ne - Colleen Hoover 20. Njëri nga ne po gënjen - Karen McManus.’’  

   

Genta Abdiji studente e vitit të parë, Drejtimi: Komunikim Ndërkombëtar, Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, UEJL thotë: “Në shoqërinë tonë nuk lexohet mjaftueshëm nga të rriturit, në theksim të moshës së mesme, mirëpo nuk lexohet mjaftueshëm as edhe nga të rinjtë, që janë gjithnjë shënjestra e fjalëve. Në fakt, kë ta imitojnë për të mirë, në këtë suazë? Ne nuk lexojmë "sa duhet" ngaqë nuk jemi edukuar në mënyrë të shëndoshë duke u orientuar kah ambiciet dhe vlerat e bukura. Mësimi dhe arsimimi klasik me vetëm: të shkuarën në shkollë - apo detyrimin e leximit të disa veprave që në njëfarë forme (them për disa) nuk tërheqin e lexohen si detyrim, nuk ka qenë dhe nuk është një pjesë e mirë e rrugëtimit të profesionalizimit tonë. Shtoj edhe, mungesën e klubeve të librit. Në njëfarë mënyre leximi elektronik është ndeshur me leximin tradicional tek fakti që njerëzit e rrethit tonë ankohen vazhdimisht për çmimet e larta, por për ta penguar, jo. Unë ju sugjeroj të ndiqni rrjetin social Instagram për të vënë re punën e bloggerëve të librave nga qytetet tona, ku jam edhe unë për t'ju treguar se kjo është dëshmia se të rinjtë tanë nuk janë aq të "çorientuar", por edhe lexojnë në mënyrë të kombinuar: sidoqofshin ata libra. Gjatë vitit të fundit kam lexuar një numër të mirë librash, jo vetëm numër: por libra të mirëfilltë. Ndër ta vlerësoj: "Biri" nga Flutra Açka, "Ne jemi pafundësi" nga Stephen Chbosky, "Të vrasësh zogun përqeshës" nga Harper Lee, "Xhejn Er" nga Charlotte Brontë, "Getsbi i madh" nga F. Scott Fitzgerald, "Vdekje në Nil" nga Agatha Christie, "Lolita" nga Vladimir Nabokov, "Mea Culpa" nga Clare Mackintosh, "Pas dyerve të mbyllura" nga B.A Paris dhe "Vajza Anonime" nga GH dhe SP.’’        


Edhe pse kënaqësia në leximin mund të jetë rritur paksa gjatë kohës së pandemisë, është ende e nevojshme të inkurajohet më tej ky zakon që ndryshon dhe përmirëson kaq thellësisht jetën, pra patjetër të lexojmë. Për të përmendur disa nga përfitimet e tij të shumta, leximi zhvillon përqendrimin,  imagjinatën dhe ruan shëndetin e trurit. Ai gjithashtu rrit kujtesën, mbetet mënyra më e mirë për të kuptuar thellësisht çdo temë. Për më tepër, leximi stimulon aftësinë për të zgjidhur problemet, pasi historitë sjellin pengesa që hasen në mënyrë të ngjashme në jetë. Sa për vetë të rinjtë, ndoshta leximi – përtej të gjitha përfitimeve që përmendëm – është një formë shprehjeje si asnjë tjetër, që qetëson mendjen nga ekstremiteti i kësaj bote duke na lejuar të braktisim egon tonë, qoftë edhe për pak çaste. 



Nga Donika Bakiu


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,186 Lexime
2 vjet më parë