Gjeniu 5-vjeçar

Dionisi, një djalë i zakonshëm me njohuri të jashtëzakonshme!

Kur ishte vetëm një vjeç Dionisi ka treguar interes mbi të mësuarit e shkronjave, numrave, formave gjeometrike. Po në këtë moshë ai ka mësuar emrat e të gjitha kafshëve në shqip dhe në anglisht si edhe ka mundur të formojë ‘puzzles’ të moshës 4 vjeç...

Dionis Senjo është djali i një çifti onkologësh nga Tirana. Është vetëm 5 vjeç dhe ka plot 2222 ndjekës në faqen e tij në Facebook. Ai nuk promovon modë apo llastime luksoze, por dije deri në kufijtë e gjenialitetit. Një djalë i zakonshëm me njohuri të jashtëzakonshme.


Kur ishte vetëm një vjeç Dionisi ka treguar interes mbi të mësuarit e shkronjave, numrave, formave gjeometrike. Po në këtë moshë ai ka mësuar emrat e të gjitha kafshëve në shqip dhe në anglisht si edhe ka mundur të formojë ‘puzzles’ të moshës 4 vjeç. Brenda pak muajsh Dionisi ka mësuar të lexojë dhe të shkruajë numrat dhe shkronjat në shqip dhe në anglisht.


Ka shkruar diktim që në moshën 2 vjeç!


Talenti i djaloshit, ka qenë gjithmonë një hap para pritshmërive të prindërve, duke i lënë këta të fundit përherë e më të habitur. Prindërit zbuluan që Dionisi brenda pak muajsh ka mësuar alfabetin rus në formë të shkruar.


“Ne ia ndaluam sepse kemi menduar se nuk do të jetë e dobishme për të në të ardhmen dhe kështu e orientuam në alfabetin grek që ai e ka mësuar në një pasdite, në të shkruar dhe në të folur.”


“3 vjeç mund të kryente mbledhje, zbritje me shifra pa fund, kryente veprime matematikore me numrat negativë, ndërsa shumëzimin dhe pjesëtimin jemi munduar ta ndalim t’i mësojë pasi kemi menduar se mund të humbasë interesin në shkollë, por ai arrin t’i llogarisë edhe pse e kemi penguar. Në tabelën e Mendelejevit që shitet në libraritë shqiptare gjeti dy gabime”, - shprehen prindërit.


Por a mund të ndalet një gjeni? Brenda një jave Dionisi mësoi numrat greke deri në një miliard. Në të njëjtën kohë ai mund të thotë alfabetin anglisht nga A në Z dhe nga Z në A me të njëjtën shpejtësi. Kur ishte tre vjeç filloi të lexojë gjithçka shpejt në gjuhën shqipe. Si edhe mund të lexonte numra shumë të gjatë, me 40 shifra, në shqip dhe në anglisht, gjithashtu. Në këtë moshë i njihte të gjithë planetet, shumë yje dhe galaktika, njeh shumë mirë gjeografinë e botës në hartën memece. Njeh çdo kryeqytet, flamuj, lumenj, male, dete, monedha, të gjitha elementet periodike, anatominë njerëzore, të gjitha llojet e dinosaurëve. Ai mund të shkruajë çdo gjë në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në anglisht dhe greqisht.


E dini çfarë? Në moshën 3 vjeç i vizatoi një trup gjeometrik një arkitekteje e cila nuk e njihte as si emër!


Mbani frymën! Kur ishte katër vjeç, në shërbimin e pediatrisë, gjeti një Xray dhe filloi ta interpretojë!


Nuk i mëson gjërat mekanikisht, por logjikisht. Ai është shumë i dhënë pas librave dhe çdo gjë të re. Mëson çdo gjë vetë. Në tre muaj në Kolegjin Shqiptar Tiranë ai filloi të lexojë rrjedhshëm anglisht! Ka lexuar 700 libra shqip, 135 në anglisht midis tyre dhjetëra enciklopedi.


(Denisa Canameti)

2,486 Lexime
7 vjet më parë