Claudio Magris: Coronavirus dhe poezia e rregullave
Njerëz të dashur vuajnë dhe vdesin në një vetmi që të shtrëngon zemrën, megjithatë ne nuk mund të rrezikojmë të komprometojmë jetë të tjera: ky është kodi i këtyre ditëve.
Perëndimi i deregulation? Jo vetëm në realitetin ekonomik, por edhe në jetën e ndjenjave, në krijimin artistik ose në drejtimin e jetës, lufta kundër rregullave është njëkohësisht e domosdoshme dhe shkatërruese, një përzierje e pasionit bujar, egoizmit të keq apo të pavetëdijshëm dhe e pështjellimit.
Sidomos kur, si në stuhinë shkatërruese që na goditi të gjithëve me sulmin e koronavirusit, ne e gjejmë veten të mbështjellë me një rrjet recetash dhe ndalimesh si peshku në rrjetë. Rregulli përjetohet lehtësisht si përjashtues, i ftohtë, armiqësor ndaj pasionit dhe ndaj jetës, të cilën, në fakt, e mbron. Sidomos në periudha të caktuara historike, për shembull në atë romantike, rregullat janë zhvlerësuar si abstraksione të përgjithshme, që i kundërvihen paparashikueshmërisë së krijimtarisë poetike. Benedetto Croce thoshte se kryeveprat e mëdha poetike, – të Homerit, Dantes apo të Shekspirit, – kanë mëkatuar lumturisht kundër rregullave.
Nuk është e vërtetë: rimat dhe tercinat e Dantes dhe vargu njëmbëdhjetërrokësh i çdo strofe është vetë poezia, puthja e Paolos dhe Françeskës, muzika e detit që mbështillet si një qefin në anijen e Uliksit dhe kjo vlen për të gjitha artet. Gjenet e pastra dhe të turbullta të revolucioneve artistike kanë shpallur dhe praktikuar përmbysjen e rregullave të formës dhe të jetës, por për të krijuar dhe praktikuar të tjera. Një gjeni i shthurur, rebel dhe vetëshkatërrimtar si Poe, autor i kryeveprave që shkatërrojnë çdo pritje logjike, ka zbuluar në Zanafillën e një poezie, logjikën e hekurt dhe ligjet e hekurta të vargjeve, të gjetjes dhe të arkitekturës ekspresive, që kryesojnë krijimin e poemës së tij tronditëse “Korbi”.
Refuzuar në mënyrë retorike në emër të lirisë anarkiste të tregut dhe dëshirës së çliruar nga normat morale, rregulli u kthye në rend dite kur, para disa javësh, pandemia filloi dhe vazhdon, gjithnjë e më dhunshëm, të shkatërrojë jetën tonë dhe ato të gjithë botës. Beteja kundër pandemisë dhe vdekjes po mbështetet gjithnjë e më shumë në rregulla, urdhra, vetot dhe ndërhyrjet. Megjithatë, kjo perandori e ligjit dhe e sanksionet të saj janë një strategji që mbron jetën dhe në të njëjtën kohë rrit vështirësinë dhe vuajtjen, dëmton kënaqësinë e nevojave parësore dhe krijon mërzitjen e përditshme.
Njerëzit e dashur vuajnë dhe vdesin në një vetmi që të shtrëngon zemrën, si të sëmurit të privuar nga shëndeti ose jeta, si dhe nga dora që e ka shoqëruar gjithmonë në jetë dhe për të cilën do të kishte më shumë nevojë në vuajtje ose në agoni. Rregullat na pengojnë të prekim atë dorë dhe të prekemi prej saj. Të dish që një prind, një fëmijë, një i dashur vuan i vetmuar dhe mund të vdesë i vetëm, duke mos ditur se cilat fjalë dhe mendime i vijnë në mendje ose duke ditur që ato mendime dhe fjalë nuk mund të arrijnë tek ata që i duan, është dhimbja që përmban vdekja, si fruta që përmban bërthamën.
Por a kemi të drejtë të vëmë në rrezik të tjera jetë në emër të dashurisë dhe të nevojës së tyre apo dëshirës së tyre për ne? Edhe dashuria, nëse i thyen kufijtë dhe detyrat, mund të bëhet një rrokopujë shkatërruese. Edhe në zemër, shkruan Stefano Jacomuzzi, në romanin e tij të jashtëzakonshëm Një fllad ere, shpesh gjithçka është mishmash dhe rrëmujë e madhe. Është njerëzore ta duash më shumë rrëmujën sesa rregullat; është e pashmangshme, pothuajse e natyrshme, të urresh rregullat, ndalimet e parkimit, kufijtë e shpejtësisë. Rregullat janë demokracia dhe demokracia sigurisht që është më pak tërheqëse se dashuria apo ngjyra e detit; është një vlerë e ftohtë, si rregull, e cila, megjithatë, na lejon të kultivojmë vlerat tona të ngrohta, dashurinë ose ngjyrën e detit.
Përpjekja për të shkelur rregullat është njerëzore, shumë njerëzore, është ngjyra e jetës sonë. Por ekziston edhe e kundërta, poezia e ashpër e rregullave që duhet të mësojmë ta respektojmë, si poeti që respekton njëmbëdhjetërrokëshin; përmes këtij mundimi kokëfortë dhe që duket pa ndjenja mund t’i duam rregullat, të zhvendosemi jo vetëm te fotografia e një personi që vuan dhe që vdes, por edhe te grafikët që na tregojnë ecurinë e pandemisë, jo vetëm të dimë, por edhe të ndiejmë se ato ecuri janë fatet njerëzore, secili unik dhe i papërsëritshëm.
Poezia e rregullave mund t’i japë një dinjitet të ekuilibruar fatit tonë. “Po largohem”, mendohet të ketë thënë para vdekjes Basilio Puoti, mbrojtësi i shkëlqyer i purizmit të gjuhës italiane, duke shtuar se: “Mund të thuhet edhe që po shkoj”.
Përktheu: Nanila Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...