Handbolli

Cërriku krijon ekipin e Handbollit

Ekipi i Cërrikut do të luajë në kampionatin kombëtar ku marrin pjesë edhe 6 ekipe të tjera: Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça, Tirana, Partizani.

Bashkia Cërrik miraton me vendim të Këshillit Bashkiak pranimin e ekipit të Handbollit, si pjesë të klubit shumë sportesh të saj. Ky sport është pak i njohur në Shqipëri. 

Mësuesi i fizkulturës Florian Dedja eksperimentoi këtë sport fillimisht me nxënësit e dy shkollave të Cërrikut. Interesi erdhi duke u rritur dhe dy muaj më parë, me mbështetjen e Bashkisë, Floriani së bashku me lojtarët e tjerë të ekipit u dërguan në Kosovë për t’u trajnuar.

 “Ekipi i vajzave është i pari në Shqipëri, që krijohet si Klub”, thotë ndër të tjera Florian Dedja në cilësinë e trajnerit të ekipit.

Pas kthimit nga Kosova u formua ekipi me 14 sportistë, veç ekipit të meshkujve paralelisht u krijua dhe ekipi i femrave. Krijimi i ekipit të femrave ka qenë një sfidë. Por më në fund prindërit janë bindur bindur që të lejojnë vajzat të bëhen pjesë e ekipit. 

Ecuria pozitive dhe nisma unike ka bërë që nga ana e pushtetit lokal të shihet me seriozitet mbështetja për këtë ekip. 

Klubi i ri ka ende probleme strukturimi dhe sidomos logjistike. Trajneri i ekipit kërkon mbështetjen e biznesit dhe sponsorve, me qëllim krijimin e bazës materiale si: uniformat apo krijimin e terreneve sportive për të kryer stërvitje. 

Handbolli është sport që kërkon 7 lojtarë, të cilët luajnë me topin njësoj si në futboll, por ndryshe nga ky i fundit, topi gjuhet me dorë dhe jo me këmbë. Ekipi i Cërrikut do të luajë në kampionatin kombëtar ku marrin pjesë edhe 6 ekipe të tjera: Elbasani, Shkodra, Vlora, Korça, Tirana, Partizani.

1,965 Lexime
8 vjet më parë