Diplomimi

Ceremonia e diplomimit në gjimnazin "Hasan Nahi"

“Jam me fat për mësuesit e palodhur të cilët punojnë natë ditë me nxënësit. Ata janë shpresëplotë se këta nxënës vlejnë më shumë se gjithçka dhe çdo përpjekje e bërë për ta është ndihma më e madhe për të ardhmen e kombit tonë...”

22 Maj 2016 do të mbahet mend si një nga ditët më të veçanta të Gjimnazit "Hasan Nahi". Maturantët e parë të kësaj shkolle, familjarët e tyre, Drejtuesit e Fondacionit "Atmosfera", Kryetari i komunës së Malishevës si dhe mësuesit e shkollës përjetuan një natë të paharrueshme; ceremoninë e diplomimit të Maturës 2016.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Fondacionit Atmosfera Z. Talip Aktas, i përgëzoi nxënësit për suksesin e treguar dhe ju uroi suksese në udhëtimin e tyre të mëtejshëm. Ai theksoi se nxënësit nuk duhet të harrojnë asnjëherë prindërit e tyre dhe theksoi rëndësinë e kujdesit që duhet të tregojnë nxënësit gjatë hapave të jetës në mënyrë që të zgjedhin gjithmonë të mirën e të bëhen njerëz që i shërbejnë kombit dhe shoqërisë.

Kryetari i Komunës së Malishevës Z. Ragip Begaj, shprehu konsideratat më të larta duke theksuar rëndësinë e aktivitetit të Gjimnazit "Hasan Nahi". Ai përcolli emocionet e tij teksa i dhuroi një laptop nxënësit më të mirë të shkollës Lendrit Januzaj i cili është nga Malisheva.

Luljeta Sadriu, në emër të prindërve, falenderoi mësuesit e Gjimnazit “Hasan Nahi” për kujdesin dhe punën e madhe që kanë bërë me nxënësit. Ajo u uroi suksese të gjithë nxënësve.

Drejtori i Gjimnazit “Hasan Nahi” Z. Gazmend Aga e përmblodhi fjalimin e tij me “Jam me fat”. “Jam me fat për mësuesit e palodhur të cilët punojnë natë ditë me nxënësit. Ata janë shpresëplotë se këta nxënës vlejnë më shumë se gjithçka dhe çdo përpjekje e bërë për ta është ndihma më e madhe për të ardhmen e kombit tonë. Jam me fat për prindërit e mrekullueshëm të cilët ishin të parët që i besuan shkollës sonë. Jam me fat për donatorët të cilët japin shembullin më të mirë në shekullin e 21 të heroizmit, atdhedashurisë dhe bujarisë. Jam me fat për nxënësit e mrekullueshëm me të cilët herë u sollëm si prindër, herë si shokë, herë si pedagogë” - theksoi drejtori. Ai falenderoi në mënyrë të veçantë Kosovën për besimin dhe mbështetjen e treguar ndaj Gjimnazit “Hasan Nahi” dhe shprehu krenarinë e tij se e vlerësuan mirë këtë besim duke e perfaqësuar denjësisht shtetin e Kosovës kudo në botë.

Nxënësit e ekselencës me mesatare 5 në të tre vite u shperblyen dhe në emrin e tyre nxënësi Lendrit Januzaj mbajti fjalën e rastit. Lendriti falenderoi prindërit dhe mësuesit për të gjithë sakrificën e bërë për ta. Ai falenderoi dhe të gjithë nxënësit e klasës 12 B sipas veçorive të tyre. Lendriti vendosi emrin e tij si i pari i shkollës ndër maturantët 2016. Në fund ai i dorëzoi flamurin e Kosovës nxënëses Çlirimtare Salihu të klasës së 11.

Ceremonia ishte shembull përsa i perket vlerave dhe mesazhit që përmbante. Argëtim, kohë të bukur me familjet dhe mësuesit, këngë, poezi, video, mesazhe dhe lot gëzimi.

Urime dhe shumë suksese maturantëve të gjimnazit “Hasan Nahi”.

3,790 Lexime
8 vjet më parë