
“Bisedë frymëzuese me poeteshën që ndriçon ndjenjat, Rita Petron” - Aktiviteti mbresëlënës në Universitetin “Ismail Qemali”
Në Universitetin "Ismail Qemali" u zhvillua një aktivitet i pasur letrar me poeten dhe botuesen Rita Petro, ku ajo ndau mendimet e ndryshme mbi letërsinë. Takimi u shndërrua në një hapësirë frymëzuese diskutimi për fuqinë e fjalës dhe rolin e letërsisë në formimin kulturor dhe intelektual të brezit të ri.
Fillimi i kësaj jave për pedagogët dhe studentët e Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës nisi ndryshe nga zakonisht. Në vend të ditës së hënë, e cila zakonisht është e ngjeshur me leksione dhe seminare, ata e nisën javën me një ngjarje të veçantë, me një “Bisedë frymëzuese me poeteshën që ndriçon ndjenjat, Rita Petron”.
Në aktivitetin letrar “Jeta në fjalë”, i zhvilluar në sallën "Ali Asllani" të universitetit, shkrimtarja dhe botuesja Rita Petro ndau mendimet e saj mbi letërsinë, poezinë dhe ndikimin e tyre te të rinjtë.

Poetja, shkrimtarja dhe botuesja Rita Petro
Takimi, që mblodhi së bashku studentë, pedagogë, mësues dhe dashamirës të letërsisë, u shndërrua në një hapësirë të frytshme diskutimi për fuqinë e fjalës dhe rolin e letërsisë në formimin kulturor dhe intelektual të brezit të ri.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Aurela Saliaj, theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve që u japin studentëve mundësinë për të njohur personalitete me ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e tyre intelektual dhe kulturor. Ajo vuri në dukje se këto takime janë një mundësi e çmuar për të nxitur dialogun mes brezave dhe për të thelluar lidhjen me letërsinë.

Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Aurela Saliaj
Organizatorja dhe moderatorja e këtij takimi, pedagogia, Marieta Mërkuri, në fillim të aktivitetit u ndal për të prezantuar jetën dhe veprën e poetes, shkrimtares dhe botueses Rita Petro.

Pedagogia, Marieta Mërkuri / Autorja Rita Petro

Gjatë fjalës së saj, Rita Petro shprehu bindjen e saj se letërsia është një thesar i pazëvendësueshëm, që ndihmon individin të kuptojë më mirë veten dhe botën përreth. Sipas saj, poezia është një mjet i fuqishëm për të shprehur ndjeshmërinë dhe për të reflektuar mbi realitetin. Ajo i inkurajoi të rinjtë të lexojnë më shumë dhe të krijojnë një lidhje të thellë me librat, pasi kjo do t’i ndihmojë të zhvillojnë aftësi të rëndësishme për jetën.

Petro gjithashtu foli për sfidat e të rinjve në epokën e teknologjisë dhe medieve sociale, duke theksuar se letërsia mund të jetë një rrugëdalje e rëndësishme për të përballuar sfidat moderne. Përmes leximit, të rinjtë mund të pasurojnë shpirtin, të hapin mendjen dhe të jetojnë më të vetëdijshëm për botën që i rrethon.
Takimi vijoi me një intervistë ku Rita Petro iu përgjigj një sërë pyetjesh mbi rrugëtimin e saj në letërsi, sfidat që ka hasur, ndikimin e përvojave personale në krijimtarinë e saj, si dhe rolin e saj si botuese. Ajo ndau me të pranishmit mendime të thella mbi procesin krijues dhe rëndësinë e poezisë si një formë arti që sfidon dhe revolucionarizon letërsinë moderne shqipe.


Një nga pyetjet e ngritura lidhej me veprën e saj më të dashur, e cila i ka lënë më shumë mbresa. Petro tregoi se secila vepër ka një vend të veçantë në krijimtarinë e saj, por disa poezi mbeten më të spikatura për shkak të ndjeshmërisë dhe fuqisë së tyre emocionale.
Për të rinjtë e pasionuar pas shkrimit, ajo dha një mesazh inkurajues: "Mos kini frikë të shkruani dhe të ndani mendimet tuaja. Letërsia është një mënyrë për t’i dhënë zë shoqërisë dhe për të krijuar një ndikim të qëndrueshëm. Besoni në fuqinë e fjalës dhe lexoni sa më shumë, sepse nëpërmjet leximit mbushet shpirti dhe hapet mendja."

Takimi u vlerësua si një eksperiencë mbresëlënëse nga të gjithë të pranishmit. Ish-mësuesja e gjuhës dhe letërsisë, Lejla Gorishti, u shpreh: "Takimi me Rita Petron ishte i magjishëm. Dy orët kaluan shpejt, ndërsa dëgjonim një intervistë të thellë me një poete të jashtëzakonshme. Fjala e saj të mbush me besim dhe optimizëm. Forca e fjalës së Ritës pati një ndikim të magjishëm te të gjithë të pranishmit, duke i bërë të reflektojnë mbi jetën, bukurinë e fjalës dhe rëndësinë e letërsisë."
Vetë Rita Petro, pas përfundimit të aktivitetit, falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për atmosferën e ngrohtë dhe të pasur me diskutime. "Ju falënderoj aq shumë për këtë takim të mrekullueshëm: organizatoren e këtij takimi, Marieta Mërkuri, rektoren Aurela Saliaj, stafin e pedagogëve, mësuesit e letërsisë, studentët e gjimnazistët, kolegët e mi, njerëz të letrave. Mirënjohje për ju!", u shpreh ajo.

Ky aktivitet, jo vetëm që nderoi letërsinë dhe fuqinë e saj transformuese, por edhe inkurajoi të rinjtë të eksplorojnë botën e librave dhe të poezisë. Diskutimet e hapura dhe ndarja e përvojave me një figurë të njohur të letrave si Rita Petro, krijuan një moment të veçantë për të gjithë të pranishmit, duke lënë pas një ndjesi të fortë frymëzimi dhe reflektimi mbi rëndësinë e fjalës së shkruar në jetën tonë të përditshme.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Libraria Albas ftesë për lexuesit: Më 28 shkurt, një mbrëmje me Anisa Markarian për librin "Fshesarja e Republikës"
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana
21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare