Bedri Dedja për Hans Kristian Andersen (1805 – 1875)
Fragment i shkëputur nga libri “SEKRETI I TALENTIT“. (pjesa e dytë - “Anatomia“ e lindjes dhe zhvillimit të talentit në moshë të re).
Anderseni u lind në qytetin e vogël danez Odense, në familjen e një këpucari. Fëmijëria dhe rinia e tij kaluan me shumë mundime dhe sakrifica. Megjithatë, ai qe një nga shfaqjet, apo dukuritë më të shquara të letërsisë botërore të shekullit XIX, pasi e pasuroi përrallën letrare me cilësinë më të lartë artistike, duke e bërë kështu interesante për lexuesit e të gjitha moshave.
Për përrallat e veta, Anderseni është shprehuar: «Gjithnjë kam patur parasysh se shkruaj jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit. Fëmijët i tërheq më shumë fabula e përrallës, kurse të rriturit i tërheq ideja e mishëruar në to».
Nëna e Andersenit, pas vdekjes së bashkëshortit nga puna e rëndë, ëndërroi që fëmijën e vet “harrakat“ t’ia kushtonte zanatit të rrobaqepësisë. Por i biri, dhënë pas ëndrrave të veta fantastike ndoqi tjetër rrugë.
Pse?
Cili është sekreti i talentit të tij?
Le të përpiqemi të deshifrojmë të dhënat.
Babai i Andersenit ishte një këpucar aspak i zoti. Megjithatë, ky këpucar e kishte rregulluar ambientin ku jetonte sipas dëshirës të vet. Në një dërrasë mbi raft mbante vëllimet e përrallave Një mijë e një net, librat me komeditë e dramaturgut të mirënjohur danez Holberg si dhe disa romane sentimentale, që i pëlqenin së shoqes, Maries. Të birit, Hansit i pëlqenin më shumë përrallat. Veç kësaj, atij i pëlqenin shumë shëtitjet e largëta, ku shihte vetëm drurë e qiell, ku ishte i lirë të mendonte çfarë të dëshironte. Gjer në fund të shëtitjes Anderseni ecte i heshtur, duke u përpjekur të ringjallë në kujtesë tregimet e gjyshes. Sytë e tij vështronin diçka të jashtëzakonshme në çdo detaj të realitetit.
Kur hyri në shkollë, gjatë pushimit të orëve të mësimit, më shumë i pëlqente të bisedonte me mësuesit se sa të lozte duke thërritur me shokët. E vetmja vajzë e klasës, Sara, atij i dukej si bukuroshja e përrallave. Mësuesi Karstens çuditej se sa bukur recitonte dhe se si i mbante mend vjershat që me leximin e parë. I pëlqente të trillonte, sikur ishte Princ ose Dukë dhe jetonte në kështjellë, saqë ndonjëherë thoshin për të: «Është mëse e qartë! Ai nuk e ka kokën në rregull dhe, me siguri, do të tallen me të, njëjtë si me gjyshin e tij!»
Po kush ishte gjyshi i tij?
Një njeri i heshtur dhe i qetë, në më të shumtën e kohës. Zakonisht, ai qëndronte pranë sobës në shtëpinë e tij dhe gdhendte në dru figura të çuditshme: kafshë me krahë, njerëz me koka zogjsh dhe pasi mbushte një shportë me to, shkonte në këmbë në fshatrat përreth dhe ua falte këto figura kalamajve, kurse fshatarkat që e shihnin me keqardhje këtë plak të urtë, i fusnin në shportë kuleç dhe vezë. Ndonjëherë atë e kapnin “valë“ gëzimi të jashtëzakonshme. Në ato momente ai e zbukuronte kapelën e vet me lule dhe lecka me ngjyra dhe me atë xhaketën e vet të irnosur, dilte nëpër rrugët e qytetit Odense duke kënduar këngë pa kuptim.
Në moshën e fëmijërisë Anderseni fantazonte ndryshe… Sikur kishte shpëtuar Sarën, shoqen e tij të klasës nga zjarri; sikur ajo e kishte falënderuar dhe i kishte kërkuar ndjesë që më parë ishte tallur me të. E më pas, sikur loznin bashkë në një kopsht të mrekullueshëm, këpusnin lule të bukura, uleshin në një stol për të parë libra me vizatime e sikur Sara, papritur transformohej në bijën e një princi e së bashku niseshin për udhëtime drejt vendeve të largëta.
Më vonë ndodhi që babai këpucar i Andersenit, duke zdrukthuar drunj, vendosi të krijojë një teatër kukullash për të birin, jo vetëm për ta zbavitur atë, por edhe për t’u shkëputur vetë nga mendimet e hidhura për jetën e familjes së tij. Fëmija Andersen jepte shfaqje me këto kukulla duke interpretuar rolet e të gjithë personazheve.
Pas pak kohe ai nisi të ngjisë me kënaqësi afishet nëpër mure, për shfaqjet teatrale të grupeve që vinin në qytetin e tij. Vazhdonte të fantazonte, sikur bënte zbulime thesaresh me shkopinjtë që kishin kokë kali, të cilat ja jepte gjyshja nga punimet që kishte lënë trashëgim gjyshi. E ku nuk shkonte djali me këtë “kalë“ imagjinar! Komshinjtë mendonin se me Andersenin e vogël do të ndodhte e njëjta histori si me gjyshin e tij. Pasi kishte raste kur Anderseni i vogël jetonte edhe momente të fantazisë së sëmurë.
Tregojnë për një rast të tillë:
Një natë, Anderseni i vogël u zgjua nga gjumi dhe pa nga dritarja një hënë të plotë. Por në fakt, atij ju duk sikur hëna ishte e çuditshme. Sikur më pas, ajo mori formën e një fytyre shumë të zemëruar, e cila nisi ta kërcënojë. Palltoja e babait ishte varur në një cep. Papritur, ajo nisi të fryhej dhe të zgjasë krahët e gjatë drejt tij për ta rrëmbyer nga krevati. Djali nisi të thërrasë i tmeruar: «Mami! Dëboje atë!» E ëma, e cila po dremiste aty pranë në një minder, u ngrit menjëherë dhe nisi t’i flasë hënës me një zë të çuditshëm, si për ta frikësuar. Pas kësaj, çuditërisht, djalit të vogël iu duk se hëna dhe palltoja e babait morën pamjen e tyre të zakonshme.
Nëna e Andersenit, Maria, për arsye të ngushticës ekonomike, e dha me qira dhomën e poshtme të shtëpizës dhe u ngjit me djalin në nënkrejcën e çatisë, ku koka e Andersenit të vogël përplasej me trarët, sapo ngrihej në këmbë. Këtu kishte shumë minj dhe fëmija nisi të bëhej kureshtar për jetën e tyre, duke u hedhur thërrime para vrimave nga ata dilnin. Por megjithë zëmërgjërsinë e tij karshi tyre, minjtë nuk vendosën asnjëherë të miqësoheshin me të. «Sa keq!» - mendonte vogëlushi…
Andersenit iu krijua një mënyrë e veçantë jetese. Çdo dukuri reale ai e shihte me sytë e fantazisë së vet, ndryshe nga ajo që ndodhte në realitet. Shihte zjarre atje ku nuk kishte, shihte priftërinj me libra në duar pranë kishës, në kohën kur ata flinin gjumë. Dhe të gjitha këto ëndrra me sy hapur ua tregonte të tjerëve.
Babai nisi ta shohë me dhembje të birin. Atij iu krijua bindja se ai po rritej superticioz e pa kulturë. Mos vallë edhe ai ishte dënuar për të mos parë një jetë më të mirë? Por shpesh ngushëllohej me mendimin se i biri i donte librat dhe besonte se ata do ta nxirrnin një ditë nga errësira.
Një ditë prej ditësh, Andersenit të vogël i bënë përshtypje të madhe fjalët e një rrobaqepëseje plakë, e cila i zbuloi një të vërtetë relative. Sipas saj, po të gërmohej e të gërmohej toka diku afër bregut, mund të hapej një tunel shumë i gjatë, i cili do ta nxirrte në mbretërinë kineze. Por ai vetë nuk mund të gërmonte aq shumë. Këtë synim mund ta arrinin vetëm banorët e Kinës. Pas kësaj historie, duke ndenjur ulur në breg, ai nisi të këndojë këngët më të bukura që dinte, me shpresën se mos i dëgjonte princi kinez, i cili, me siguri do ta ftonte për të jetuar në Kinë.
Në jetën e Andersenit të vogël u bë një kthesë kur nisi të lexojë Shekspirin. Ai nuk e kuptonte ende thellësinë e personazheve të tij, megjithatë, lumturohej nga ngjarjet e jashtëzakonshme. Atij i dukej se çdo gjë në librat e Shekspirit mund ta shihte të gjallë dhe ndjente gjithçka që përjetonin personazhet. Anderseni i vogël mësonte përmendësh faqe të tëra, duke e tmerruar t’ëmën, Marien dhe trondiste muret e dhomës së vogël, duke recituar monologjet e Mbretit Lir dhe skena nga Makbethi, me shaminë e saj në kokë, në vënd të mantelit mbretëror.
Dhe kjo punë nuk shkoi kot. Anderseni, në moshë fare të re u përgatit të krijojë një tragjedi të vërtetë origjinale, në të cilën personazhet e tij vuanin, recitonin monologje të gjata dhe në fund vdisnin. Sipas konceptit të tij, tragjedia nuk mund të kuptohej ndryshe. Kështu, ai iu fut menjëherë punës për krijimin e saj, duke zgjedhur si personazhe dy emra me tingëllimë të veçantë: Abori dhe Elvira. Një gjë e tillë iu duk maja e përsosmërisë autorit të vogël, prandaj nisi t’ua lexojë tragjedinë e sapokrijuar të gjithë atyre që pranonin ta dëgjonin. Kështu, gjer në moshën njëmbëdhjetë vjeç, ai shkroi disa “tragjedi“, në një kohë që familja e tij ngulte këmbë që ai të punonte. Dhe ai nisi të punojë në një fabrikë ku punonin vetëm të rritur. Por mendjen e kishte gjithnjë te teatri. Disa prej njerëzve të shquar të kohës u tërhoqi vëmendjen kujtesa e tij jo e zakonshme, zëri i bukur dhe aftësitë në recitim. Ata filluan të binden se djali i këpucarit do të bënte emër kur të rritej.
E ëma, Maria, vazhdonte të ngulte këmbë që Anderseni të bëhej rrobaqepës, sepse kukullat ai dinte t’i qepte bukur, në një kohë që i biri pranonte më mirë të jetonte i uritur, me dëshirën për t’u ngjitur një ditë ne skenë. Atij i ishin ngulitur në mëndje fjalët e babait, i cili i kishte thënë dikur: «Mos hiq dorë nga ajo që dëshiron të bësh në jetë; mos iu trëmb varfërisë! Mëso, lexo dhe shëtite botën!».
Anderseni u ngjit me sukses në skenën e teatrit në moshën katërmbëdhjetë vjeç, megjithëse disa specialistë mendonin se fiziku i tij i dobët nuk ishte i përshtatshëm për rolin e aktorit. U detyrua pas kësaj të punojë si zdrukthëtar. Konkuroi përsëri më vonë në teatër, në shkollë të baletit, në kanto, por pa sukses dhe përsëri iu kthye zanatit në qytetin e lindjes. Megjithëkëtë, ai nuk u dorëzua asnjëherë në vitet e adoleshencës dhe rinisë së hershme. Për këtë flasin faktet e mëposhtme.
Librat qenë i vetmi mjet që shërbyen për ta qetësuar dhe mbajtur gjallë shpirtin e tij. Ata shpesh ndihmuan për ta shmangur edhe nga teatri, ku atij herë pas here i jepnin mundësi të dilte në skenë, si figurant me korin e barinjve, apo të ushtarëve.
Anderseni u miqësua me një bibliotekar, i cili e lejoi t’u afrohej rafteve të librave. Sytë dhe duart e tij rrëshqisnin me ethe nëpër vëllimet e trashë. Ai merrte dy-tre prej tyre dhe dilte duke premtuar se do të kthehej përsëri të nesërmen. Ai lexonte me një shpejtësi të rrufeshme. Kështu rilexoi Shekspirin në një përkthim të ri, Valter Skottin, pas të cilit, gjithashtu, u dashurua duke çmuar shumë figurat e tij të gjalla dhe duke admiruar ngjarjet e kohëve të shkuara. U dha shumë pas letërsisë daneze të njëzet vjetëve të fundit. Në qendër të saj, në atë kohë ishte shtatlarti me sy të bukur ngjyrë qielli, autori i tragjedive të lavdishme të Danimarkës, Adam Elenshleger, të cilin e quanin “dielli i letërsisë daneze“. Anderseni përkulej para tij, qante mbi tragjeditë dhe recitonte përmendësh vjershat e këtij autori. Ai arriti të njihej nga afër me të dhe kur e takoi për herë të parë, Elenshlegeri, pasi e dëgjoi, i buzëqeshi dhe i shtrëngoi dorën, sikur ta kishte koleg.
Anderseni u njoh edhe me poetin Inheman, pasardhës i Adam Elenshlegerit, i cili, gjithashtu, e ndihmoi shumë. Kështu, dalëngadalë, ai nisi t’i kushtohej me pasion letërsisë, në fillim poezisë, e cila, megjithëse nuk shkëlqente, pritej me dashamirësi nga dy autorët e njohur. Këto dy personalitete të letërsisë daneze ndikuan që i riu Hans-Kristian Andersen t’i rikushtohej tragjedisë. Por prova e tij e parë dështoi. Ata që e lexuan, i thanë se tragjedia nuk ishte gjë tjetër, veçse një simbiozë e Elenshlegerit dhe Inhemanit. Anderseni ishte një tip tjetër krijuesi. Ai ishte formuar mbi bazën e krijimtarisë popullore e, në mënyrë të veçantë, me përrallën dhe këngën autoktone.
Kështu eci jeta e tij gjer në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, kur kuptoi se duhej të mbaronte arsimin e plotë. Anderseni nuk ngurroi. A mund ta imagjinoni atë djalë të gjatë e të rritur midis nxënësve më të vegjël e më të shkurtër? Në shkollë ai demonstroi një vullnet titanik. Provoi shumë lloje krijimesh njëkohësisht, edhe pjesë teatrale, të cilat nisën të vihen në skenë, deri sa u pozicionua në altarin e përrallës letrare, si gjeniu i vërtetë i saj.
Nga kjo kohë ka mbetur një thënie e zonjës Vulf, një nga përkrahëset e tij:
- Eh, Andersen! Ti je mjeshtër i trilleve! Sa herë të kam thënë se ky është talenti yt i vërtetë! Tregoju njerëzve histori për të qeshur!
Në tetor 1833 Anderseni shkoi në Romë. Që në ditët e para pas mbërritjes, i bëri një vizitë bashkatdhetarit të vet, skulptorit Bertel Torvaldsen, i cili kishte vite që jetonte në Itali. Ai e priti shkrimtarin e ri njëzetetetëvjeçar me shumë ngrohtësi. Sinqeriteti, shpirti i pastër i Andersenit, dashuria e madhe për artin dhe rruga e vështirë e jetës së tij ishin shumë të afërta për skulptorin. Duke tundur kokën e thinjur, ai dëgjonte i mallëngjyer tregimet e Andersenit për vetveten.
Kjo histori takimi është e njohur.
Torvaldseni vetë kishte vuajtur shumë në fëmijërinë dhe rininë e tij. Ai i tregoi Andersenit për veten, kur ishte fëmijë dhe shkonte me nallane druri t’i çonte drekën babait në kantier, një drekë të varfër e të mbledhur me një shami të vjetër. Babai i tij ishte gdhendës i drurit. Duke parë babanë se si krijonte figura aq të bukura nga druri, i lindi dëshira për t’u bërë edhe vetë gdhendës… Në atë kohë vogëlushin e mundonte uria, të ftohtit, vështrimet e shtrembra dhe talljet e të tjerëve. Po ai nuk e uli kokën dhe më në fund ia arriti qëllimit të vet. Në studion e tij, nga kallëpet e mermerit lindën statuja që fituan mirënjohjen e gjithë Evropës. “Kryesorja është të mos dorëzohesh dhe të mos rrënohesh shpirtërisht“, - thoshte Torvaldseni.
E tillë qe edhe rruga e Andersenit, çudibërësit të përrallës letrare, për të cilën ai kishte një koncept klasik. Ai e kultivoi këtë gjini të shkurtër të letërsisë me mençuri të jashtëzakonshme, duke e bërë aq të dashur për të gjitha moshat. Sipas tij, përralla mund të lulëzojë mbi bazën e besimit për fitoren e së mirës dhe së drejtës, mbi bazën e respektit ndaj ndershmërisë, trimërisë dhe njerëzve të varfër si dhe të përqeshjes së çdo gjëje negative në jetë. Sado që të ngutem, thoshte Anderseni, unë i ripunoj pjesët e pasuksesshme të përrallave nga dhjetë herë, kaloj netë të tëra duke punuar mbi to, gjersa dora nuk ka më fuqi të mbajë pendën. Pas botimit të vëllimit të dytë me përralla, më 1835, Anderseni merrte letra nga kompozitorët e njohur Shuman dhe Mendelson; librat e tij i pëlqenin Dikensit dhe shkrimtarëve të tjerë bashkëkohorë. Ato nisën të pushtojnë kontinentet që kur ai ishte ende gjallë, duke nisur nga Evropa, Amerika, Afrika dhe Australia. Me gjallje ai u quajt mbreti i përrallës. Megjithatë, ai ishte modest dhe i pakënaqur nga vetja. Më 1865 i shkruante Eduard Kolinit: «…mund t’ju shprehem sinqerisht se nuk e quaj veten të lumtur nga kjo lavdi me të cilën më kanë rrethuar».
Dhe kjo ndodhte atëherë, kur dy muaj para vdekjes, Anderseni lexoi një gazetë angleze, në të cilën thuhej se përrallat e tij ishin ndër librat më të lexuar në botë.
Biografja, studiuesja dhe një nga analistet më të mira të jetës dhe veprës së tij, I. Muravjova ka shkruar:
«…njohja me jetën e shkrimtarit dhe epokën e tij na japin mundësi të kuptojmë se si u formua ky talent unikal. Në rast se Hans Kristiani nuk do të rritej në një mjedis të varfër të rrethinave të qytetit, por në një kështjellë princore, ose në një vilë tregtari, në rast se ai do të ishte i mbrojtur nga shumë mësime të hidhura të jetës, - nuk ka asnjë dyshim se nuk do t’i kishim lexuar kurrë përrallat e tij… Njohja e tij e thellë me letërsinë e shkruar e pasuroi shumë estetikën e tij, i zhvilloi shijen. Përshtypjet nga librat, të harmonizuara me perceptimin popullor të jetës, që ishin karakteristika për Andersenin, figurat e folklorit popullor, që jetonin në fantazinë e tij që nga fëmijëria i dhanë atij atë “forcë magjike“ që karakterizon përrallat e tij».
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"