Aktivitet letrar

“Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes” – Aktiviteti në nderim të autorit dhe krijimtarisë së tij për fëmijë

Në Panairin e Librit, figura e shkrimtarit të njohur për fëmijë, Bedri Dedja, u nderua përmes aktivitetit "Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes”. Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e krijimtarisë së tij në edukimin e brezave dhe risjellja ekskluzive e veprave të autorit nga Shtëpia Botuese ALBAS.

Ditën e sotme në Panairin e Librit “Tirana 2024”, në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, u realizua aktiviteti kushtuar shkrimtarit të njohur për letërsinë për fëmijë, Bedri Dedja, me temën "Bedri Dedja, gjithmonë për brezat e së ardhmes". Kjo ngjarje, e organizuar nga Shtëpia Botuese ALBAS, u përqendrua në rëndësinë e veprave të Dedes për edukimin e brezave të rinj, duke e vlerësuar atë si një figurë të pazëvendësueshme në letërsinë shqipe. 



Aktiviteti u moderua nga botuesja Rita Petro, e cila, në fjalën e saj të hapjes, e cilësoi Bedri Deden si "mesuesin e të gjithë mesuesve", duke nënvizuar rëndësinë e veprave të tij në edukimin e brezave të rinj. Petro falënderoi gjithashtu drejtoreshën e Qendrës së Librit dhe Leximit, Alda Bardhylin, për mbështetjen, dhe prezantoi anëtarët e tjerë të panelit, përfshirë vajzën e shkrimtarit, Edlira Dedja, sociologun dhe profesorin Gëzim Tushi, pedagogen Edlira Gugu, redaktoren Artemisa Bushi, ish-pedagogen Jolanda Parruca. Të pranishëm ishin edhe nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” dhe mësuesja e tyre e letërisë, Erdisa Osmani. 

ALBAS ka pasur një rol të rëndësishëm në risjelljen e veprave të Bedri Dedes, duke filluar që nga viti 2020, kur u botuan titujt e parë të kolanës së plotë të krijimtarisë së tij. Ky projekt i pasur është realizuar në bashkëpunim me vajzën e autorit, Edlira Dedja, e cila ka kontribuar për  përkujdesjen e këtyre botimeve deri sa mbërrijnë në duart e lexuesve. Deri tani, janë botuar 15 libra të shkrimtarit, të grupmoshave nga 7 deri në 13 vjeç, ndërsa shumë të tjerë priten të dalin në vijim. Disa nga titujt e kësaj kolane janë, “Presidenti i planetit të kuq”, “Sikuriada”, “Republika e 100 çudirave”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Kacimicrri rreth globit”, “Kalamajtë e pallatit tim, 1 dhe 2”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “I fundmi i Kastriotëve”, “Si katër çiliminj u bënë biznesmenë” si dhe tri tituj të rinj të rinj që prezantohen këtë vit: “Qyteti me tri kështjella”, “Djemtë e luftës”, dhe “Kryengritje në pallat”. 

 

Rëndësia e veprave të Bedri Dedes në edukimin e fëmijëve


Në fjalën e saj, Alda Bardhylin theksoi se veprat e Bedri Dedes janë gjithnjë të vlefshme, duke u konsideruar një pasuri për letërsinë për fëmijë dhe edukimin e brezave të rinj. 

Ajo e quajti veprën e tij një “letërsi që lidhet ngushtë me edukimin dhe formimin e fëmijëve”, duke nënvizuar se këto vepra kanë një rëndësi të madhe dhe vazhdojnë të kenë ndikim edhe në kohën e sotme. Bardhyli gjithashtu e vlerësoi kontributin e Edlira Dedes, për vazhdimin e trashëgimisë së babait të saj. 


Për Bedri Deden: "Babai i modernitetit në letërsinë shqipe"


Edlira Dedja, vajza e shkrimtarit, ndau me të pranishmit ndjesitë e saj dhe falënderoi Shtëpinë Botuese ALBAS për bashkëpunimin e frytshëm. Ajo e quajti babanë e saj "Babai i modernitetit në letërsinë shqipe", duke theksuar se ai e shndërroi letërsinë për fëmijë në një mjet edukimi dhe dije për formimin e fëmijëve. 

Sipas Edlirës, veprat e Bedri Dedes ofrojnë dy boshtet kryesore të edukatës: dijen dhe vlerat që mund të kalohen nga brezi në brez. Ajo gjithashtu u bëri thirrje prindërve që të krijojnë biblioteka për fëmijët e tyre, për t’i ndihmuar ata të rriten dhe zhvillohen në një ambient që inkurajon leximin dhe dashurinë për kulturën.


Gëzim Tushi: "Guru-ja që ka vendosur themelet e letërsisë për fëmijë"


Sociologu dhe profesori Gëzim Tushi, gjatë fjalës së tij, e vlerësoi Bedri Deden si një “guru” të letërsisë për fëmijë, duke theksuar se ai ka vënë gurët e themeleve të letërsisë për fëmijë në Shqipëri.

Tushi e cilësoi autorin si një figurë polivalente dhe të pazëvendësueshme, që ka lënë një ndikim të thellë jo vetëm në letërsi, por edhe në psikologjinë sociale. Ai nënvizoi se, nëse një ditë do të bëhej një "panteon" për shkrimtarët dhe intelektualët e mëdhenj të Shqipërisë, Bedri Dedja do të kishte një vend të merituar dhe të rëndësishëm aty.


Bedri Dedja, modeli i mësuesve dhe edukatorëve 


Edlira Gugu, pedagoge e letërsisë për fëmijë, foli për rëndësinë e veprave të Bedri Dedes në trajtimin e temave edukative dhe të formimit të individëve të rinj. 

Ajo sugjeroi që veprat e Dedes të studiohen më shumë në shkolla dhe universitete, për të mbajtur gjallë këtë trashëgimi dhe për ta zhvilluar më tej fushën e letërsisë për fëmijë në Shqipëri.



Artemisa Bushi, një nga redaktoret e kolanës së librave të Bedri Dedes, theksoi pasurinë dhe thellësinë e gjuhës së autorit, e cila, sipas saj, ka një ndikim të fortë edhe te lexuesit e brezit të sotëm dhe jo vetëm të prindërve të tyre. 

Redaktoja Bushi gjithashtu përmendi rëndësinë e veprave të Bedri Dedes për edukimin, duke e konsideruar atë si një mision për të depërtuar tek lexuesit dhe për t’i ofruar atyre një përvojë të pasur kulturore dhe intelektuale.



Mesuesja e letërsisë, Erdisa Osmani tha se letërsia e Bedri Dedes është një pasuri që nuk u përket vetëm fëmijëve, por të gjithëve që kërkojnë të kuptojnë më thellë botën dhe jetën. 

 “Për mua, Bedri Dedja bën pjesë nga ata njerëz që shënjojnë jetën e një njeriu. Jam tepër falënderuese për mësimet që kam marrë nga krijimtaria e tij dhe formimi letrar. Unë si mësuese ju falenderoj që na e sollët edhe një herë letërsinë e këtij autori. Është një letërsi që nuk u përket vetëm fëmijëve”. 


Rëndësia e letërsisë për fëmijë dhe trashëgimia e Bedri Dedes


Në fund të aktivitetit, ish-pedagogia Jolanda Parruca e përshkroi Bedri Deden si një shkrimtar të jashtëzakonshëm, që nuk mund të “imitohet”. 

Ajo e vlerësoi atë si një "yll që nuk është shuar", një figurë të madhe që ka lënë një pasuri të madhe për shoqërinë dhe për letërsinë shqipe.


Në një fjalim emocionues, Edlira Dedja theksoi se krijimi dhe botimi i kësaj kolane për të ishte një sfidë e madhe, por gjithashtu një detyrë e nderuar për të mbajtur gjallë trashëgiminë e babait të saj. Ajo falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti dhe e shprehu besimin se veprat e Bedri Dedes do të vazhdojnë të lexohen dhe vlerësohen nga brezat e ardhshëm.


Ky aktivitet në Panairin e Librit ishte një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi ndikimin e letërsisë për fëmijë të Bedri Dedes dhe për të kujtuar rëndësinë e këtij autori të madh në edukimin dhe formimin e mendësisë së brezave të rinj. Veprat e tij janë një pasuri e përhershme që do të vazhdojnë të shërbejnë si një udhëzues dhe inspirim për të gjithë ata që kërkojnë të edukojnë dhe të zhvillojnë breza të përgjegjshëm dhe të kulturuar.



Përgatiti: Nanila Allkja Biçaku


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

393 Lexime
1 muaj më parë