Studentët në një fushatë

“Aty për ju”, fushata e veçantë e studentëve të “Bedër” për të ndihmuar nëna kryefamiljare në vështirësi ekonomike

Projekti i tyre nuk do të mbesë vetëm dhe thjesht një detyrë kursi, apo një lëndë studimore e përmbushur. Ata ftojnë të gjitha nënat kryefamiljare në vështirësi ekonomike që t’i drejtohen kësaj nisme pasi qëllimi është t’i ofrojë atyre kurse profesionale dhe punësim.

Projekti i tyre nuk do të mbesë vetëm dhe thjesht një detyrë kursi, apo një lëndë studimore e përmbushur. Në fakt studentët e masterit Shkencor dhe Profesional në Departamentin e Shkencave të Komunikimit të universitetit “Bedër” kanë ndërmarrë një nismë për të ndihmuar nënat kryefamiljare që janë në vështirësi ekonomike.


Qëllimi kryesor i fushatës “Aty për ju” është të ndihmojë për t’i siguruar punë kësaj kategorie  dhe kurse profesionale, ndërsa për fëmijët e këtyre familjeve është planifikuar të mundësohen kurse profesionale, arsim, kurse gjuhe, trajnime apo dhe punë për individët mbi 18-vjeç.

 

“Roli i arsimit profesional për punësimin e grupeve në nevojë të shoqërisë”. 


Në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, në kuadër të fushatës “Aty për ju”, studentët e Masterit Shkencor dhe Profesional të Departamentit të Shkencave të Komunikimit, organizuan workshoop-in me temë “Roli i arsimit profesional për punësimin e grupeve në nevojë të shoqërisë”. 

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte analizimi i situatës aktuale të grupeve në nevojë të shoqërisë, mundësitë dhe sfidat që ata kanë për tu shkolluar dhe punësuar si dhe ndërgjegjësimi i aktorëve kryesorë për të filluar ndërmarrjen e hapave konkrete apo projekteve të ndryshme nga institucionet, bizneset, OJF, etj, që do tu vijnë në ndihmë këtyre grupeve në nevojë.


Të ftuarit, ambasadorët e fushatës dhe aktorët e ndryshëm, diskutuan rreth arsyeve pse duhet t’i drejtohemi arsimit profesional, mbështetjes së qeverisë për profesionet, mundësive të punësimit pas arsimit profesional për këtë kategori, sfidës së integrimit në shoqëri të grave kryefamiljare, etj. Workshopi u moderua nga gazetari Renaldo Salianji. Disa nga të ftuarit pjesëmarrës ishin: sociologu, Gëzim Tushe, sipërmarrësja Valbona Begolli përfaqësuese e Dhomës Ekonomike të Gruas, Gerti Boshnjaku nga Business Magazinë, Haname Mata nga Qendra e formimit profesional, Marsela Kokoshi nga Bashkia e Tiranës, Edlira Muedini nga projekti Risi Albania, psikologia Manjola Collaku, Anila Bashllari, Nexhmie Spahiu nga Shoqata e Fasonëve, Neada Muca nga Top Channel, Nanila Biçaku Kryeredaktore e Portalit shkollor Albas, Silvana Xheka, Gjyljana Bakalli nga Shoqata e Fasonëve dhe përfaqësues nga shoqatat, bizneset, media dhe OJF.


Haname Mata Drejtuese e qendrës së formimit profesional nr.1, listoi arsyet pse duhet t’i drejtohemi  arsimit profesional. Mata tha Arsimi profesional ndikon  drejtpërdrejt tek shtresat në jetën sociale për tu integruar në shoqëri. Gjithashtu gjatë viteve të fundit ka rritje në gamën e formimit profesional. “Arsimi profesional luan një rol të rëndësishëm që njerëzit të ndërgjegjësohen dhe specializohen pasi kemi rreth 35% me arsim të lartë që vijnë dhe frekuentojnë arsimin profesional ”- tha Znj. Mata 


Sipas sociologut Gëzim Tushe, ky do të jetë shekulli i grave sepse janë shtylla kryesore e shoqërisë, ku roli i tyre është  ridimensionuar dukshëm. Nëse qeveria Shqiptare do të marrë në konsideratë gratë dhe fëmijët atëherë do të ketë barazi gjinore.


Gerti Boshnjaku përgëzoi studentët për iniciativën e marrë duke i konsideruar si formë mjaft pozitive pune dhe rast suksesi në strategjinë e përdorur, të cilës duhet t’i bashkohen aktorë të ndryshëm duke kontribuar dhe duke i mbështetur që të arrijnë objektivat dhe të ketë qëndrueshmërinë e duhur.


Nexhmie Spahiu  nga Shoqata e fasonëve tha se 90 % e të punësuarve në sektorin ku ajo bën pjesë janë zonja dhe gra kryefamiljare dhe vetëm 10 % janë meshkuj. Sektori që ajo përfaqëson është lidhur me organizata të tjera që ofrojnë trajnime specifike kualifikuese me qëllim punësimin  tyre.


Marsela Kokoshi nga Bashkia Tiranë tha: “Nga viti 2016 ne monitorojmë situatën dhe jemi në një formë mbështetje në ndërmjetësimin për punësim. Zyra e Punës në bashkëpunim me AKPA stimulonin të rinjtë që vijnë me një ide biznesi dhe i ndihmonin ata të rriten si biznes.”

Manjola Collaku Psikologe tha: “Vetëvlerësimi dhe ndërgjegjësimi i personalitetit është problemi i tyre kryesor ku shumë gra dëshirojnë të kenë një arsim profesional por nuk janë të informuara. Sipas psikologes kurset profesionale  kanë ndryshuar kushtet e jetesës dhe nxjerrin në dukje potencialin që ato gra kanë”.


Anila Bashllari rekomandoi që kjo fushatë të konsiderohet si një projekt pilot e cila duhet domosdoshmërish të bashkëpunojë me shoqatat e ndryshme të grave si dhe projekte dhe donatorë të ndryshëm mbështetës dhe të bazohet në statistika.


Silvana Xheka solli disa statistika nga AKP mbi angazhimin e grave dhe vajzave në arsimin profesional dhe zënien e tyre me punë, pas këtij arsimi. 

Praktika.al. dhe projekti Atësi për Punë informoi pjesëmarrësit në ëorkshop se ata ofrojnë trajnim falas “forma e të nxënit në vendin e punës” për të gjitha bizneset dhe personat që janë të gatshëm dhe kanë nevojë për tu integruar  në tregun e punës.


Si përfqësuese e Portalit Shkollor Albas, Nanila Biçaku u ndal te dallimi i koncepteve të edukimit dhe arsimit teksa u shpreh se “Edukimi është një proces që nuk kufizohet në kohë; ndryshe nga arsimimi, edukimi vazhdon për tërë jetën. Mundësia e bërjes së kurseve profesionale nga nënat kryefamiljare është një zgjidhje afatgjatë prej të cilës ato nuk do siguronin thjesht dhe vetëm një vend pune për të rritur të ardhurat e tyre, por do të fitonin një zanat të cilin mund ta ushtrojnë profesionalisht kurdo. Ndërsa për fëmijët e tyre arsimimi profesional është një zgjedhje edhe më e mirë, pasi ky lloj arsimimi po kthehet në të preferuar këto vitet e fundit dhe sigurisht po i jepet prioritet për vet kërkesat që ka tregu i punës”. 


Gazetarja Neada Muça pasi përgëzoi nismën dhe punën e studentëve në këtë fushatë, theksoi rëndësinë që ka në shpërndarjen e informacionit, ndërgjegjësimin e të gjitha palëve të përfshira duke kontribuar në këtë mënyrë në pasqyrimin e situatës dhe zgjidhjen e problematikave të trajtuara. 




Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,028 Lexime
1 vit më parë