Sport

“Atletët e Kosovës do ta mbajnë me krenari flamurin në Rio”

Lojërat e Rios do të jenë të parat që presin atletët nën flamurin e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, nëntë vjet pas fushatës së bombardimeve të NATO-s për t’i përzënë forcat serbe nga territori i saj.

Vrapuesja e Kosovës në 400 metra, Vijona Kryeziu, është ushtruar për Lojërat Olimpike në bjeshkët përreth fshatit të saj të lindjes, Roganë, duke përmbushur një ëndërr që deri kohët e fundit dukej e pamundur për shumë atletë të vendit të saj.

Lojërat e Rios do të jenë të parat që presin atletët nën flamurin e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, nëntë vjet pas fushatës së bombardimeve të NATO-s për t’i përzënë forcat serbe nga territori i saj.

“Unë jam shumë me fat që jam pjesë e këtyre Lojërave”, citon Reuters fjalët e 18-vjeçares.

Për të vazhduar karrierën e tyre më parë, shumë atletë nga vendi i vogël ballkanik u desh t’i lënë vendet e tyre për të marrë pjesë nën flamurin e një vendi tjetër.

Në vitin 2012 në Londër, kampionia e dyfishtë botërore e xhudos, Majlinda Kelmendi, është dashur të konkurojë për Shqipërinë. Në Rio ajo me krenari do ta mbajë flamurin e Kosovës në ceremoninë e hapjes.

“Është sukses i madh për Kosovën që është e përfaqësuar për herë të parë me flamurin e saj”, tha Presidenti HashimThaçi, të premten, kur ai ia dorëzoi flamurin Kelmendit. “Kjo është një thyerje e izolimit nga sporti pas gati tre dekadave”.

Muajin e kaluar, në llogarinë e tij në Twitter, Presidenti Thaçi shkroi: “Ne mund të fitojmë medalje të artë, mund edhe të mos e fitojmë atë, por edhe ashtu jemi heronj”.

Kosova, më në fund, u bë anëtare e Komitetit Olimpik në vitin 2014. Këtë vit ajo iu bashkuar UEFA-s dhe FIFA-s.

“Kurrë nuk kam menduar se do ta shoh këtë ditë. Është përgjegjësi për neve dhe do të tentojmë të shkojmë dhe të japim maksimumin”, tha vrapuesi në 800 metra, Musa Hajdari.

Hajdari dhe Kryeziu janë dy nga tetë atletët nga Kosova që do të udhëtojnë në Rio. Gjashtë të tjerët janë: dy notues, dy xhudistë, një çiklist dhe një gjuajtës.

2,209 Lexime
8 vjet më parë