Arti pamor, fokusi dhe degët e tij
Arti pamor është një formë bazë e komunikimit njerëzor dhe një gjuhë universale. Artet pamore perceptohen nëpërmjet shqisës së të parit. Degët e artit pamor janë: piktura, skulptura dhe arkitektura. Artikull nga mësuesja dhe autorja e teksteve shkollore të Artit pamor, Iriana Papamihali.
“Piktura është një poemë pa fjalë”, Horaci
Arti pamor është një formë bazë e komunikimit njerëzor dhe një gjuhë universale. Artet pamore perceptohen nëpërmjet shqisës së të parit. Nëpërmjet arteve pamore njerëzit kanë portretizuar botën e tyre dhe kanë shprehur ëndrrat, idetë dhe ndjenjat e veta. Çdo vepër arti reflekton kohën dhe vendin në të cilën është krijuar. Për këtë arsye arti të ofron një mundësi unike për të udhëtuar në të kaluarën. Artistët në të gjithë botën pavarësisht gjuhës, vendit ku kanë lindur e jetuar, besimit dhe shkollimit, i bashkon dëshira për të bërë art.
Dëshira për të krijuar, performuar dhe vlerësuar veprat e artit është universale midis njerëzve. Arti lind së brendshmi dhe lind natyrshëm dhe është një lidhje e fortë shpirtërore dhe e pandashme, me të qenët artist.
Filozofët e mëdhenj, përfshijmë këtu Aristotelin dhe Platonin, kanë tentuar të përkufizojnë natyrën e artit dhe të kuptojnë kontributin e tij unik në jetën njerëzore.
Ku fokusohet arti?
- Arti është pasqyrë e shpirtit
- Arti është pasqyrë e realitetit
- Arti duhet të kënaqë syrin edhe nëse nuk është realist
- Arti duhet të shprehë idetë e artistit, besimin, dhe ndjenjat në mënyrë që të tjerët ta kuptojnë atë.
Ndoshta këto cilësi nuk janë të gjitha të përfshira në një vepër arti.
Artistët përdorin imagjinatën, krijimtarinë dhe aftësitë në një mënyrë të prekshme vizualisht. Artistët motivin për veprat e tyre e marrin nga jeta e përditshme, nga impulset e brendshme emocionale dhe nga impulset e jashtme. Artisti krijon si nga lumturia ashtu edhe nga dhimbja, duke e lënë veten ta përshkrojë ndër vena frymëzimi dhe nëpërmjet impulseve dora lëviz dhe formëson ndjenjat që e trazojnë artistin. Kështu merr jetë një vepër, që në gjenezën e saj ka një copëz jete të artistit.
Arti merr forma të ndryshme, nëse jeni duke bërë një pikturë, duke formësuar një skulpturë, duke kënduar një këngë, duke kërcyer, duke recituar një poezi, jeni duke bërë art.
Dëshira për të bërë art është e pashmangshme për njeriun në çdo periudhë historike. Gjurmët e para të artit janë shfaqur në brendësi të shpellave, në parahistori. Njeriu që në fillimet e historisë, ka bërë art sipas mënyrës së tij duke besuar në një dimension tjetër, një dimension më të fuqishëm se dimensioni njerëzor. Këtë e ka shprehur në krijimet e bëra në shpella, duke pritur, që të ndodhnin mrekullitë. Dëshira e njeriut për të bërë art, është e pashmangshme dhe e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës.
Më tej në artin egjiptian, piramidat madhështore janë edhe sot një sfidë për njerëzimin për mënyrën se si u ndërtuan. Ngrihen shumë hipoteza, si kalatë prej rëre, por e vërteta është që njeriu gjithmonë ka sfiduar kohën nëpërmjet dimensionit njerëzor, dimensionit krijues.
Në artin egjiptian lulëzoi piktura, skulptura dhe arkitektura. Arti antik grek dhe romak shpaloset me gjithë bukurinë e vet me veprat e artit dhe arkitekturën, të cilat janë dëshmi unike që vijnë deri në ditët tona. Këto vepra arti që vijnë nga thellësia e shekujve flasin me gjuhën e artit, me gjuhën e shpirtit.
Degët e artit pamor
Degët e artit pamor janë: piktura, skulptura dhe arkitektura.
Piktura dhe nëndegët e saj si: vizatimi, stampimi, mozaiku, kolazhi, fotografia, dizajni etj., janë dydimensionale, sepse realizohen mbi një sipërfaqe të sheshtë, ndërsa skulptura dhe arkitetura janë tridimensionale, sepse kanë vëllim dhe lidhje me hapësirën. Të gjitha këto degë kanë gjuhën e vet shprehëse. Artistët nuk kanë rreshtur së eksperimentuari me teknika të ndryshme artistike. Eksperimentimi ka ardhur nga dëshira e madhe e artistëve për të gjetur rrugë të reja shprehëse dhe për t’i paraqitur në punët e veta. Pafundësia e mundësive shprehëse të mjeteve dhe teknikave të ndryshme ka sjellë vepra interesante dhe të ndryshme. Kjo duket në periudha të ndryshme artistike, të cilat ndryshojnë nga njëra-tjetra, pikërisht nga gjuha artistike. Çdo artist ka stilin e tij, që e shpreh nëpërmjet gjuhës së emocioneve të veta, një gjuhë që vetëm artisti e kupton dhe e përkthen për ne, në vepra arti të çfarëdolloj forme qofshin ato.
Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Panairi i 27-të i Librit në Tiranë këtë vit do të zhvillohet në datat 13-17 nëntor